Europë | Efekti Putin. Opinioni publik nuk mbështet veprime të forta
Ndër reagimet më pak të pritshme ndaj pushtimit të Ukrainës, ishte përgjigjja e prerë e Italisë.
Nën drejtimin e Mario Draghi-t, Italia ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë që janë të dhimbshme për ekonominë e saj dhe ka furnizuar Ukrainën me armë – megjithëse nuk dihet saktësisht lloji dhe sasia e armëve të dërguara, shkruan The Economist.
Kjo fshehtësi ilustron ndjeshmërinë politike të vendosmërisë së zotit Draghi. Partia në koalicionin e tij të gjerë me kontingjentin më të madh parlamentar, është Lëvizja Pesë Yjet (M5S). Ajo po ndahet për shkak të Ukrainës.
Duke mos dashur që vendi të tërhiqej në një konflikt të huaj, M5S kundërshtoi sanksionet e mëparshme kundër Rusisë në lidhje me aneksimin e Krimesë, në vitin 2014.
Që nga marsi, Lëvizja Pesë Yjet është udhëhequr nga Giuseppe Conte. Si kryeministër i pavarur i një koalicioni midis M5S dhe Ligës së Veriut, midis viteve 2018 dhe 2019, Conte shpesh shoqërohej me Vladimir Putinin.
Dhe gjatë javëve të fundit, ai dhe shumica e ligjvënësve të tij, kanë kritikuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Një pakicë që përfshin ministrin e Jashtëm, Luigi Di Maio, ka vazhduar të mbështesë qasjen e qeverisë.
Problemet dolën në pah para pak ditësh, ndërsa partitë në koalicionin e gjerë të zotit Draghi, u përpoqën të binin dakord për një rezolutë që do të paraqitej në Parlament përpara samitit europian më 23 dhe 24 qershor.
Më 19 qershor, drejtuesi i lëvizjes M5S, qortoi publikisht zotin Di Maio për qëndrimin e ashpër dhe brenda dy ditësh, mbështetësit e ministrit të Jashtëm po përgatitnin një grup parlamentar të shkëputur.
Kritikët e tyre argumentojnë se motivimi i vërtetë i zotit Di Maio është personal: nëse do të qëndronte në M5S, kjo do ta nënshtronte atë dhe të tjerët ndaj një rregulli që i ndalon përfaqësuesit e zgjedhur të shërbejnë më shumë se dy mandate.
Një nga përkrahësit e Di Maio-s tha se ata synonin të fitonin mbështetjen e 70 nga 227 ligjvënësit e lëvizjes. Një tjetër tha se emri i grupit të ri do të ishte Together for the Future. Dezertimet nuk do të kenë efekt të menjëhershëm në stabilitetin e qeverisë.
Të gjitha shenjat tregonin se zoti Di Maio do të qëndronte në kabinet dhe se mbështetësit e tij do të vazhdonin të përkrahnin qeverinë. Por mbetet për t’u parë nëse Conte do të tërheqë pjesën tjetër të Lëvizjes Pesë Yjet jashtë shumicës qeverisëse në muajt në vijim.
Sondazhet tregojnë se M5S nuk është më aspak e njëjta parti që fitoi gati një të tretën e votave në zgjedhjet e vitit 2018. Por ndarja e saj në kampe armiqësore nuk do të ishte domosdoshmërisht një lajm i mirë për mbështetësit e një qasjeje të fortë ndaj Ukrainës.
Enrico Letta, udhëheqësi i Partisë Demokratike të qendrës së majtë dhe një mbështetës i vendosur i zotit Draghi, kishte shpresuar të lidhte një pakt me Pesë Yjet për të parandaluar që e djathta e fortë e Italisë të merrte pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Partia e djathtë me më shumë mbështetje, Vëllezërit e Italisë, ka një qëndrim konvencional pro NATO-s. Por Matteo Salvini, udhëheqësi i Ligës populiste të Veriut, ka qenë krejtësisht i paqartë.
Zgjedhjet mbahen vitin e ardhshëm dhe me afrimin e tyre, dy faktorë të lidhur do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm. Njëri është opinioni publik. Një sondazh për Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, zbuloi se mbështetja për Ukrainën në Itali ishte më e dobëta nga dhjetë shtetet e anketuara: 27% e italianëve fajësojnë Amerikën, BE-në ose vetë Ukrainën, për luftën.
Faktori i dytë është kërcënimi i mungesës së gazit, dimrin e ardhshëm. Sapo zoti Draghi mbërriti në Kiev së bashku me homologun francez dhe gjerman më 16 qershor, firmat italiane të energjisë filluan të raportojnë rënie të furnizimeve nga Rusia.
Në vitin 2020, Rusia përbënte 43% të importeve të gazit të Italisë. Gjermania blen edhe më shumë gaz nga Rusia (66%). Por Italia varet nga gazi për një përqindje shumë më të lartë të energjisë së saj: 43% në vitin 2020, krahasuar me 27% në Gjermani. Draghi dhe ministrat e tij kanë shkuar në Algjeri, Angola, Kongo, Mozambik dhe së fundmi në Izrael, për të gjetur furnizime zëvendësuese. Por vetëm Algjeria është e lidhur me tubacion me Italinë.
Siç deklaroi në Parlament më 3 maj ministri për Tranzicionin Ekologjik, Roberto Cingolani, strategjia e qeverisë varet nga dy gjëra. Ajo ka nevojë për dy struktura të rigazifikimit që të vihen në shërbim deri në fillim të vitit 2023 dhe që Rusia të mos e mbyllë rubinetin e gazit përpara fundit të vitit 2022. Asnjëra nga këto nuk është e garantuar.