Italia, gati për nisje

22/05/2020 10:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Italia, vendi i parë në Europë që hyri në karantinë, po nis rihapjen. Por mbetet ende një rrugë e gjatë përpara

 

Magda Vergari, bashkëpronare e barit “La Lastra” në kodrat e Firences, dikur shiste 80 deri në 100 pasta në ditë. “Tani, unë porosis vetëm 20 copë”, thotë ajo me një pamje të ngrysur. Pavarësisht se Italia lehtësoi masat e rrepta kufizuese ndaj virusit COVID-19 që më 4 maj, shitjet e kafesë janë ulur deri në një të tretën e nivelit normal, shkruan The Economist.

Problemi është se klientëve nuk u lejohet të shijojnë kapuçinon e mëngjesit dhe brioshin në banakun e barit. Rregullat e reja kërkojnë ruajtjen e distancimit social dhe i lejojnë baret dhe restorantet vetëm të shesin ushqime. Klientët e zonjës Vergari duhet t’i konsumojnë ushqimet e blera jashtë.

Tashmë që Italia ka dalë nga një periudhë karantine tetëjavore, janë bërë mjaft kompromise të vështira. Më shumë industri janë lejuar të rifillojnë prodhimin. Por shumica e dyqaneve do të qëndrojnë të mbyllura deri më 18 maj. Parukeritë duhet të presin deri më 1 qershor. Por parqet janë rihapur. Tani njerëzit mund të udhëtojnë midis qyteteve, por jo midis rajoneve, pa pasur ndonjë arsye të mirë.

Dhe italianët mund të vizitojnë vetëm congiunti – një term thuajse i panjohur jashtë përdorimit zyrtar që ka shkaktuar konfuzion dhe ka nxitur shakara. Qeveria fillimisht vendosi që termi duhet të përfshijë të afërmit e familjes së personit dhe familjes së burrit/gruas, por më pas një vendim gjykate përfshiu në këtë grup edhe personat në një “lidhje të fortë dhe të qëndrueshme”, çfarëdo që do të thotë një gjë e tillë.

Të paktën dy arsye ndihmojnë në shpjegimin e ngurrimit të asaj që shumë italianë e quajnë Faza 1.5. Kryeministri Giuseppe Conte, po përballet me frikën nga infeksioni në njërën anë dhe varfërimin nga ana tjetër. Italia ka regjistruar më tepër të vdekur se çdo vend tjetër në Europë, përveç Britanisë (shifrat e së cilës përfshijnë vdekjet në azile, të cilat Italia nuk i llogarit): 29.684 të vdekur deri më 6 maj.

Por megjithëse ekonomia e saj pësoi një rënie më të ulët se ajo e Francës ose e Spanjës në tremujorin e parë, FMN-ja parashikon një tkurrje të rëndë të ekonomisë italiane prej 9.1%, deri në fund të vitit. Me një nivel borxhi që arrinte deri në 135% të PBB-së para përhapjes së pandemisë, dhe duke qenë ende e pasigurt se sa ndihmë do të marrë nga partnerët e BE-së, qeveria italiane ka ngurruar të shpenzojë shumë para për t’u përballur me problemet që po shkakton COVID-19 për individët dhe kompanitë.

Problemi tjetër i zotit Conte është pabarazia në përhapjen e virusit. Ndërkohë që kufizimet u lehtësuan, tre rajone në qendër dhe në jug të vendit nuk përjetuan infeksione të reja. Por në Lombardi, rajonin rreth Milanos, më shumë se 3.500 njerëz rezultuan pozitivë në pesë ditët e mëparshme.

E megjithatë, thirrjet më të forta për heqjen e kufizimeve kanë ardhur pikërisht nga Veriu, motori ekonomik i vendit dhe bastioni i Ligës së Veriut, partisë së krahut të djathtë të Matteo Salvinit. Sidoqoftë, kritikat e rrepta të zotit Salvini ndaj qeverisë, nuk duket se po i bëjnë shumë punë. Vlerësimet e tij në sondazhe kanë rënë. Dhe ky nuk është problemi i tij i vetëm.

Një guvernator i Ligës, Attilio Fontana në Lombardi, është akuzuar për keqmenaxhimin e krizës; ndërsa një guvernator tjetër, Luca Zaia në Veneto, ka qenë aq i suksesshëm në këtë drejtim sa kanë filluar diskutimet për ta vënë atë në krye të partisë në vend të zotit Salvini.

Për sa i përket kryeministrit, sfida e tij më e madhe mund të vijë nga koalicioni qeverisës. Matteo Renzi, i cili është kryetari i Partisë së vogël Italia Viva, e cila mund t’i kushtojë zotit Conte shumicën partiake, ka kërcënuar se do të tërheqë mbështetjen ndaj tij, nëse nuk merren masa më të shpejta për ringjallërimin e ekonomisë së rënduar të vendit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of