Prej vitesh, Italia ka qenë jo vetëm “burim frymëzimi” për shqiptarët, por edhe një ndër aktorët që ka ofruar ndihmën e vet që në fillim të viteve të demokracisë.
Ndihmat kanë qenë private sikurse edhe mes një kooperimi publik ndërmjet dy shteteve. Edhe tregtia e jashtme me Shqipërinë vijon të jetë në nivele të larta. Sipas INSTAT, eksportet tona nga viti 2012-2016 me Italinë zënë gjysmën e totalit, rreth 51%. Ndërsa sa u përket importeve, partneri kryesor tregtar vijon të jetë Italia, me rreth 30.8% të totalit.
Në bashkëpunimin e afërt mes shteteve, vlen të përmendet edhe Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS). Në një intervistë për “Monitor”, Nino Merola, drejtori i AICS për Shqipërinë tregon rreth projekteve ndër vite në vendin tonë dhe planet për të ardhmen, në optikën ekonomike dhe sociale.
Dyert e së ardhmes, risitë në Tiranë
Gjatë 8 ditëve të pranishme në një nga sallat e Kryeministrisë, “Dyert e së ardhmes”, përmes aktiviteteve të ndryshme si dhe ekspozitave me tematikë sociale, mjedisore dhe ekonomike, ofroi një panoramë më të gjerë të miqësisë së gjatë të vendit tonë me Italinë.
Me fqinjin tonë përtej Adriatikut, ndër vite na lidhin projekte të shumta, që nga infrastrukturat e reja deri te zhvillimi i qëndrueshëm i bashkësive vendore, nga mbrojtja e të drejtave të njeriut deri te ruajtja e pasurisë mjedisore.
“Doors of Tomorrow”, aktivitet i organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim – Zyra Tiranë, Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit, Projekti Natura 2000, u financua nga Bashkimi Europian dhe u bashkëfinancua nga Kooperacioni Italian, OJQ-të italiane në Shqipëri të mbështetura nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim.
Rezultatet dhe perspektivat e ardhshme të Bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë u zhvilluan në tema si: Programi Italo – Shqiptar i Konvertimit të Borxhit, Arsimi, Zhvillimi Rural, Ekonomia Sociale, Formimi, Punësimi, Të Drejtat e Njeriut, Mbrojtja e Pasurisë Mjedisore dhe Turizmi i Qëndrueshëm. Impaktin e këtyre programeve e shfaqën më mirë persona apo grupe interesi që përfituan nga to, duke treguar për publikun përvojën e tyre, sidomos në ato projekte që kishin të bëjnë me punësimin apo garantimin e të drejtave themelore.
Mure që afrojnë
Në një kontekst ndërkombëtar, i cili ka parë shpesh mure ndarëse, Kooperacioni Italian në Ballkan ndërton mure që bashkojnë. Burime nga Kooperacioni tregojnë se këto “mure” ndër vite janë ndërtuar edhe për shkolla, spitale, laboratorë, ura, rrugë. “Këto mure afrojnë popullsinë e vendit me standardet europiane të bashkëjetesës dhe të integrimit social. Në kundërshtim me iluzionet e zhvillimit nëpërmjet izolimit, Italia, me anë të aktiviteteve të Kooperacionit po ndërton në Ballkan hapësira të qëndrueshme paqeje dhe zhvillimi të përbashkët”, – thekson AICS.
Po t’u referohemi shifrave të ofruara prej tyre, në Ballkan ka 50 projekte të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim me vlerë financiare prej më se 300 milionë eurosh. 41 projekte në Shqipëri, 7 në Bosnjë-Hercegovinë dhe 2 në Kosovë. Në sajë të nismave të promovuara e të nisura me anë të fondeve të konvertimit të borxhit dhe shumë aktiviteteve të tjera të mikrokredive, projektet aktuale në Ballkan arrijnë rreth 600 në numër.
Kooperacioni ofron ndryshim, theksojnë ata, cilësi më të mirë jetese për popullsinë dhe mundësi më të mëdha për të ardhmen e brezave të rinj. Projektet e implementuara: Impianti i ujit të pijshëm në Bovillë, Shqipëri, furnizon me ujë të pijshëm qindra mijë familje dhe biznese. Nënstacionet elektrike Tirana 1 dhe Tirana 2 shpërndajnë energji tek Aeroporti Nënë Tereza, nëpër shtëpi, shkolla, spitale dhe qendra tregtare.
Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm ka të bëjë me komunitetet. Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim ndihmon në një progres 360 gradësh të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës dhe kontribuon në procesin e integrimit europian të këtyre vendeve. Bashkëpunon me Qeveritë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit, për vlerësimin e burimeve njerëzore dhe mbrojtjen e trashëgimisë historike e mjedisore. Kooperacioni Italian e bën këtë gjë nëpërmjet kredive të ndihmës, granteve dhe konvertimit të borxhit. “Sa më shumë zhvillohet Ballkani, aq më shumë zhvillohet Italia dhe Europa”,- theksohet në AICS.
Programi i Konvertimit të Borxhit, çfarë ofron
Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA) ka si qëllim mbështetjen e projekteve në sektorin social, të propozuara nga institucione publike shqiptare. Projektet që pranohen për vlerësim bazohen në prioritetet strategjike të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, strategjitë e rishikuara sektoriale dhe ndërsektoriale dhe Planin e Veprimit Kombëtar për Implementimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit.
Gjithashtu duhet të bazohen në sektorët e mëposhtëm prioritarë: arsim, aftësim profesional, shëndet publik, përfshirjen sociale të kategorive të margjinalizuara, gjenerimin e punësimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në një perspektivë afatgjatë, duke kontribuar në krijimin e vendeve të lira të punës edhe në zonat rurale të vendit. Organi vendimmarrës i programit është Komiteti i Menaxhimit, i përbërë nga ministri i Financave për palën shqiptare dhe ambasadori i Republikës së Italisë për palën italiane. Komiteti i menaxhimit asistohet nga Njësia Teknike Mbështetëse (TSU) që përgatit thirrjet për propozime, vlerëson dhe monitoron zbatimin e projekteve.
Në linjë edhe me sa është arritur deri tani, tregon për “Monitor” z. Ismail Ademi, drejtori i Njësisë së Suportit Teknik pranë këtij programi, pritet që programi në përfundim të tij të ketë rritur numrin e përfituesve në më shumë zona të Shqipërisë. “Projektet e financuara janë në linjë me strategjitë e Qeverisë shqiptare, komplementare me programe të tjera të Italisë në Shqipëri dhe në harmoni me investime nga donatorë të tjerë. Aktualisht, zonat përfituese janë ato të Qarkut të Shkodrës, Vlorës, Fierit, Korçës, Dibrës, Gjirokastrës, Beratit, Durrësit. Banorët përfitues janë kryesisht fëmijët, gratë, njerëzit në nevojë, banorët e zonave rurale. Natyrisht disa projekte, duke pasur shtrirje kombëtare, kanë qenë të pranishme edhe në zona të tjera jo të përmendura më sipër”, – thotë z. Ademi
Sipas të dhënave të ofruara, programi IADSA ka filluar në vitin 2012 dhe deri tani janë prezantuar, në 5 thirrjet publike për propozime, gjithsej 333 projekt-propozime, nga të cilat 161 kanë kaluar vlerësimin paraprak dhe 57 janë financuar. Projektet e financuar nga IADSA mund të zgjasin maksimumi 24 muaj dhe duhet të kenë një buxhet që varion nga një minimum prej 200 mijë eurosh deri në një maksimum prej 400 mijë eurosh.
Aktualisht, nga 57 projektet e financuara, 13 kanë qenë për Ministritë e linjës dhe 44 për Bashkitë, duke u fokusuar në sektorin social kryesisht. Shpërndarja gjeografike e projekteve është homogjene në territorin e Shqipërisë dhe ka prekur të gjitha zonat gjeografike. Nga 57 projekte, 29 janë ende në zbatim, ndërsa 28 janë përfunduar me sukses.
Bëhet me dije se qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë firmosur fazën e dytë të programit, me një portofol të ri prej 20 milionë eurosh, që do të fillojë implementimin në vitin 2018.
Tregtia me Italinë
Eksportet shqiptare në pesë vitet e fundit (2012-2016) kanë ndjekur një trend rritës, duke përjashtuar vitin 2015, në të cilin ato kanë pësuar ulje. Rritja mesatare e eksporteve rezulton me 4,6%. Nga ana tjetër, importet gjatë këtij 5-vjeçari kanë shfaqur ecuri të luhatshme, e cila ka rezultuar në një rritje mesatare 1,4%. Partneri tregtar kryesor në eksporte me Shqipërinë, ka qenë Italia. Gjatë periudhës 5-vjeçare eksportet me Italinë zënë mesatarisht 51,0%, ndjekur nga Kosova me 7,5%, Spanja me 6,8%, Greqia me 3,9%, etj. Nga ana tjetër, Partneri tregtar kryesor në importe me Shqipërinë, ka qenë sërish Italia. Gjatë periudhës 5-vjeçare, importet me Italinë kanë zënë mesatarisht 30,8%, ndjekur nga Greqia me 8,7%, Kina me 7,5%, Turqia me 7,0%, etj.
Në vëmendje ekonomia e detit dhe arsimimi profesional
Nino Merola, drejtori i AICS për Shqipërinë, tregon për “Monitor” panoramën e gjerë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Duke pohuar se ndër vite, Kooperacioni Italian ka dhënë ndihmesën e tij për të implementuar projekte të rëndësishme dhe njëkohësisht të nevojshme për Shqipërinë, bën me dije edhe projektet e ardhshme në vendin tonë. Ekonomia e detit dhe arsimimi profesional janë ndër më të rëndësishmit…
Përse Shqipëria shihet si një vend tërheqës për investime?
Kooperacioni Italian është një bashkëpunim mes qeverish, ndaj nuk mund të flasim për investim në terma të të investuarit si kompani private. Italia, për shumë arsye, nga afërsia gjeografike, aspekti kulturor, është e afërt me Shqipërinë, krahasuar me shtetet e tjera përreth. Pra, në mënyrë speciale me Shqipërinë është një rrugë e gjatë mes nesh. Sot, është e rëndësishme që ne të mbështesim Shqipërinë, në procesin e saj të aderimit në strukturat e BE-së, për të arritur standardet europiane.
Ndaj, Italia vijon të jetë e afërt dhe të investojë fonde publike përmes Kooperacionit Italian, sepse në këtë mënyrë e përshpejton rrugëtimin drejt aderimit në BE. E gjithë kjo sjell përfitime për rajonin. Duhet të kujtojmë që edhe shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është në nivele të larta, si tregues i një marrëdhënie të rëndësishme mes dy shteteve.
Cilët programe të AICS kanë qenë më të suksesshme?
Le ta nisim me një panoramë historike. Po flasim për një rrugëtim prej më shumë se 20 vjetësh. Puna e kryer nga Italia ka pasur shumë faza në kohë. Kemi kaluar nga një fazë fillestare në vitet ‘93-‘94, kur ishte emergjencë jetësore, ku ndihmat ishin për një Shqipëri që po i hapej botës, në një fazë të mëvonshme, të investimeve infrastrukturore. Kemi ndihmuar që të ndërtoheshin sisteme të komunikimit mes shqiptarëve: rrugë, ura. Kemi bërë investime të rëndësishme edhe në struktura të tjera.
Më pas, erdhi një fazë që vijoi me shoqërimin e programeve qeveritare, në një optikë të afrimit me standardin europian të kërkuar. Në këtë kontekst, kemi zhvilluar një sërë aktivitetesh të lidhura me optikën europiane. Sot, jemi në fazën që shumë rezultate janë arritur dhe duhet të vendosim fokusin aty ku ka ende nevoja, gjithnjë në funksion të integrimit europian. Nga çështjet mjedisore, te reforma e drejtësisë, në aspektet e natyrës sociale, ashtu sikurse edhe ato ekonomike. Ndihma jonë konsiston në atë që puna që institucionet shqiptare po bëjnë të jetë më afër standardeve të kërkuara.
Cila është fusha ku nevojat janë më të mëdha për të kontribuuar?
Përcaktimi i saktë i fushës mbase është i vështirë, por nevoja ekziston në sektorë të rëndësishëm që po rriten mirë dhe kërkojnë më tepër vëmendje dhe ndihmë nga ne. Flasim për ato që kanë lidhje me ambientin, turizmin. Ne gjykojmë si një potencial të madh për të ndihmuar në atë që quhet “ekonomia e detit”.
Në Shqipëri është ende një sektor i pazhvilluar, ndonëse ka potencial. Kur i referohemi ekonomisë së detit, nuk flasim vetëm për vijën bregdetare, por edhe gjithçka tjetër që deti ofron: peshkim, akuakulturë, zhytje për nevoja apo edhe si komercialitet. Sigurisht, një detyrë e rëndësishme e Kooperacionit Italian, është t’u japë vëmendje edhe grupeve më të pafavorizuara dhe situatave të dimensioneve sociale. Pra, jo vetëm për të krijuar mundësitë për rritje ekonomike. Duhet pasur në fokus edhe aspektet e punësimit, shkollimit, grupeve vulnerabël.
Çfarë planesh keni në të ardhmen për vendin tonë?
Shqipëria mbetet prioritet për Kooperacionit Italian, sidomos po t’i referohemi aspektit politik që Italia i jep rajonit. Pa lënë mënjanë ekonominë. Vitin e ardhshëm do të operojmë në funksion të reformës së drejtësisë, nëpërmjet edhe një bashkëpunimi mes shkollave të magjistraturës shqiptare me atë italiane. Po përpiqemi që të krijojmë një strukturë “mbrojtje civile” të ngjashme me atë italiane, në raste katastrofash natyrore, me synimin për të krijuar një qendër emergjence në Tiranë. Nga ana tjetër, sikurse e përmenda, po krijojmë terrenin e përshtatshëm për të implementuar projekte për atë që quhet “ekonomia e detit”. Do t’u japim rëndësinë e duhur edhe projekteve që lidhen me formimin profesional.
Duhet t’i japim më tepër vëmendje krijimit të kapaciteteve në nivel teknik, që duhet të jenë të asociuara me pjesën e marrjes së shkollimit. Duhet të krijohen mundësitë e duhura, sepse Shqipëria mund të ofrojnë shumë në një treg më të gjerë të punës së kualifikuar, edhe në vendet e tjera europiane. Një plan tjetër që po nisim këtë muaj përpara fundit të vitit dhe që do të zgjasë për disa vite, u dedikohet edhe rezidentëve shqiptarë në Itali. Ata janë një komunitet me njohuri dhe aftësi të mira, të cilët mund të jenë të dobishëm për komunitetin e tyre këtu në Shqipëri, për aktivitete të fushave të ndryshme.
Intervistoi: Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.