Qeveria italiane po kërkon sugjerime nga inxhinierët për të rindërtuar dyshemenë e Koloseut në Romë dhe për ta kthyer atë në lavdinë e tij të dikurshme.
Projekti do të ketë një buxhet të përgjithshëm prej 18.5 milionë euro dhe puna pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
“Rindërtimi … është një ide e shkëlqyer që po qarkullon në të gjithë botën,” tha Ministri i Kulturës Dario Franceschini në një deklaratë.
“Do të jetë një ndërhyrje e madhe teknologjike që do t’u ofrojë vizitorëve mundësinë që, jo vetëm të shohin dhomat nëntokësore … por gjithashtu të vlerësojnë bukurinë e Koloseut ndërsa qëndrojnë në qendër të arenës,” shtoi ai.
Ministria e kulturës tha se dyshemeja e ridizajnuar dhe çdo komponentë mekanikë, duhet të jenë në gjendje të mbyllen shpejt në mënyrë që të mbrojnë hapësirat nëntokësore nga shiu.
Një dysheme e re do të “lejonte publikun të kuptonte plotësisht përdorimin dhe funksionimin e kësaj ikone të botës antike”, thuhet në deklaratë.
Ministria tha që ngjarje kulturore, të tilla si koncerte apo teatro, mund të mbahen potencialisht në Koloseum pasi të jetë instaluar dyshemeja.
I ndërtuar 2 mijë vjet më parë, Koloseu ishte amfiteatri më i madh i ndërtuar në Perandorinë Romake, dhe organizoi luftime gladiatorësh dhe argëtime të tjera publike.
Mbetet një nga monumentet më të famshme të Italisë dhe rreth 7.6 milionë njerëz e vizituan atë në vitin 2019.
Propozimet për të rindërtuar dyshemenë e Koloseut duhet të paraqiten deri në 1 Shkurt dhe projekti pritet të përfundojë deri në 2023./BBC