Ekonomia e Italisë rrezikon një “rreth vicioz” të rritjes së dobët dhe mungesës së besimit, ka paralajmëruar guvernatori i Bankës së Italisë, teksa papunësia u rrit në nivelet më të larta të 13 viteve, në një kohë që recesioni u thellua.
Më shumë se 35% e italianëve të rinj janë pa punë, në një kohë që mbylljet e fabrikave, falimentimet dhe shkurtimet e sektorit publik kanë nxitur një valë pakënaqësish ndaj politikave të rrepta të qeverisë teknokrate të Mario Montit, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Duke folur në një konferencë bankare në Romë, Ignazio Visco, guvernatori i bankës qendrore, vlerësoi reformat strukturore të z. Monti, që kishin ndikuar në rritjen e besimit të tregjeve për Italinë.
Megjithatë, z. Visco paralajmëroi se kohë të vështira vinin përpara, me reformat që do të kishin ndikim vetëm në afatin e mesëm dhe ndërkohë që qeveria po planifikon masa të tjera të rrepta për të financuar një borxh publik prej 2 trilionë euro – ose 126% të prodhimit ekonomik, i dyti pas Greqisë në eurozonë.
“Ka një rrezik të një rrethi vicioz – ku në një ambient me rritje të ulët dhe ulje të kursimeve, familjet ndihen të pasigurta dhe rritja përkeqësohet më tej,” tha z. Visco.
Italia ra sërish në recesion në gjysmën e dytë të 2011; qeveria parashikon se ekonomia do të tkurret me 2.4% këtë vit dhe 0.2% në 2013.