Italia është bashkuar me disa vende të tjera duke vendosur kufizime për udhëtimet që vijnë nga India për të shmangur kështu përhapjen e një “mutacioni të dyfishtë” Covid-19, pasi shteti aziatik regjistroi normën më të lartë të infektimeve në botë për të katërtën ditë rresht. Greqia dhe Zvicra janë shtetet e fundit europiane që kanë raportuar se varianti indian është zbuluar edhe në vendet e tyre.
Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, tha se ai kishte nënshkruar një urdhër që ndalon udhëtarët e huaj që kanë qenë në Indi në 14 ditët e fundit të hyjnë në vend. India po lufton me një lloj “mutacioni të dyfishtë” të Covid-19.
Të Dielën, ajo njoftoj rritjen më të lartë një-ditore të rasteve në botë për të katërtën ditë, me 349,691 infektime të reja dhe 2,767 vdekje. Rezidentët italianë do të lejohen të kthehen nga India me një rezultat negativ të testit në nisje dhe një në mbërritje të tyre dhe pastaj duhet të hyjnë në karantinë, tha Ministri. Atyre që janë tashmë në Itali dhe që kanë udhëtuar nga India në 14 ditët e fundit ju kërkua që t’i nënshtrohen një tamponi. India shënon rritjen më të lartë në botë të Covid dhe prandaj Franca e ka vendosur atë në listën e vendeve më të rrezikuara.
Mutacioni i dyfishtë në Greqi dhe Zvicër
Greqia njoftoi konfirmimin e rastit të parë të mutacionit të dyfishtë të Indisë brenda territorit të saj. Autoritetet shëndetësore thanë se varianti ishte zbuluar tek një grua 33-vjeçare emigrante që jetonte në zonën e Athinës. Gruaja kishte udhëtuar në Dubai më 4 Prill dhe kishte siguruar një test negativ PCR kur u largua nga Greqia. Edhe autoriteti i shëndetit publik të Zvicrës konfirmoi rastin e tij të parë me mutacionin e dyfishtë indian. “Rasti i parë i variantit indian të Covid-19 është zbuluar edhe në Zvicër,” tha Zyra Federale Zvicerane e Shëndetit Publik (BAG) në një njoftim në twitter. Varianti u zbulua tek një udhëtar i cili mbërriti në Zvicër pas tranzitit përmes një aeroporti europian”.
“Personi ndryshoi fluturimet në një vend europian përpara se të fluturonte për në Zvicër”, tha zëdhënësi Daniel Dauwalder për AFP në një email, duke shtuar se kampioni pozitiv u zbulua në mars në rajonin verior të Solothurn.
Këto lajme u publikuan pasi autoritetet belge thanë se një grup prej 20 studentësh indianë të infermierisë që mbërritën nga Parisi kishin rezultuar pozitivë me këtë variant të ri. Javën e kaluar, Britania ndaloi hyrjen për udhëtarët nga India.
Franca ka njoftuar se ata do t’i nënshtrohen një karantine 10-ditore pas mbërritjes në vend. Sistemi i kujdesit shëndetësor në Indi po përballet me një valë të re infektimesh që shkaktohen pjesërisht nga varianti i mutacionit të dyfishtë, i njohur si B.1.617.