Në Shqipëri, ritmi i punës është i ngadaltë, ka procedura që zgjasin dhe shpesh nuk ndiqen protokollet…
Pas tendencës për të hapur biznese në Shqipëri, italianët po e shohin fqinjin e tyre si një mundësi për t’u zhvendosur përgjithmonë. Mollotutto sjell rastin e një italianeje e cila ka lënë gjithçka dhe ka zgjedhur Shqipërinë.
Roberta Todisco, me origjinë nga Leçe, prej dy vjetësh e gjysmë jeton në Tiranë dhe punon për llogari të kompanive italiane që vendosin të transferohen në Shqipëri, por edhe agjencitë që bashkëpunojnë me ato vendase në fushën e turizmit.
Roberta Todisco tregon se ka studiuar filozofi në Universitetin e Salentos dhe ka bërë një master në marketing dhe komunikim. Ajo tregon se në Itali ka pasur disa përvoja pune me kohë të pjesshme, por që nuk ishin ajo që ajo kërkonte. Dëshira për t’u larguar nga Italia nuk i erdhi menjëherë, por si pasojë e ambicies për të punuar shumë.
Në moshën 30-vjeçare u transferua në Angli për të përmirësuar anglishten e për të pasur më shumë mundësi pune. Investimi i dha frytet e para pasi u punësua nga një kompani gjermane, por për të punuar në Itali (ndërsa duhej të komunikonte në gjuhën angleze).
Por, në vitin 2014 vendosi që të largohej nga ky vend pune. Nisi që të bënte rolin e mësueses së italishtes për të huaj, përfshi këtu edhe për komunitetin shqiptar në Cuneo. Ishte momenti kur i erdhi një ofertë për të jetuar e për të punuar në Shqipëri, pasi një sipërmarrës italian kërkonte një menaxhere femër që të ndiqte startup-in e krijuar prej tij në Shqipëri.
Aktualisht punon për Asa Service Group sh.p.k. një shoqëri që ofron shërbime për sektorë si turizmi, vera, si dhe Outsourcing.
Ajo thotë se momentalisht është transferuar në Shqipëri për të dhënë këshilla në sektorin automobilistik. Së bashku me Arrigo Morettin, pronarin e agjencisë janë të fokusuar tek ofrimi i zgjidhjeve për marrësit e shërbimeve.
Sipas saj, të punuarit në Shqipëri dallohet nga ai në Itali. Në Shqipëri, thotë ajo, ritmi i punës është i ngadaltë, ka procedura që zgjasin dhe shpesh nuk ndiqen protokollet.
Por, nga ana tjetër, ka avantazhe si kostoja e jetës më e ulët dhe cilësia më e lartë. Sipas saj, “Shqipëria është një palestër ‘fair play”.
Roberta këshillon bashkatdhetarët e saj që të vendosin objektiva të qarta dhe të zgjedhin Shqipërinë, alternativa për t’u kthyer është gjithmonë aty.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.