Italianët preferojnë vezët shqiptare

05/10/2012 4:18 PM 0 komente

Kompanitë e prodhimit të vezëve po shtojnë ndjeshëm eksportet, duke shitur jashtë vendit 50% të prodhimit. Por ndërkohë që industria rritet, e njëjta gjë po ndodh edhe me çmimin e vezës, që po shtrenjtohet për shkak të lëndëve të para

Industria e vezëve është shndërruar sot në një nga sektorët më potencialë për eksport. Të dhënat nga dy kompanitë kryesore në vend konfirmojnë se 50% e prodhimit shkon për eksport, kryesisht drejt Italisë.

Që nga viti 2006, kur firmat shqiptare fituan të drejtën për të eksportuar në tregjet e huaja, ato kanë shtuar shitjet në tregjet e huaja.

“Eksportet po ecin mjaft mirë dhe tashmë, ne gjysmën e prodhimit e eksportojmë, kryesisht në Itali, Greqi, Kroaci dhe Kosovë”, thotë Sami Gjergji, administrator i kompanisë më të madhe të vend të prodhimit të vezëve, “Floryhen”. Rreth 70% e eksporteve të vezëve gjatë vitit të fundit kanë pasur si destinacion shtetin fqinj, Itali, ku përdoret kryesisht për prodhimin e makaronave.

Megjithëse gjatë vitit të kaluar është shënuar një rënie prej 11% në eksporte, kjo është pasojë e reduktimit të prodhimit nga një kompani vendase, e cila ka mbyllur një kapanon për çështje administrimi të vetat. Gjithsesi kjo, sipas operatorëve, është e përkohshme, pasi në 2012-ën eksportet kanë vijuar rritjen.

“Aiba” dhe “Floryhen” janë dy kompanitë e vetme në Shqipëri që kanë të drejtën për të eksportuar vezë në tregjet e BE-së, pasi kanë përmbushur parametrat dhe kriteret e përcaktuara nga Europa. Veza shqiptare përdoret nga industritë për prodhimin e ushqimeve të ndryshme.

Industrialistët thonë se e kanë shumë të thjeshtë dhe kanë më tepër fitime në eksporte, sepse çmimet janë më të larta dhe është më e lehtë edhe shpërndarja e “mbledhja” e pagesave.

“Brenda vendit është më e vështirë të shesësh, sepse prodhimi është i shpërndarë dhe duhet më tepër kohë dhe burokraci për të mbledhur detyrimet”, thotë z. Gjergji.

Sipas prodhuesve, një shtysë e brendshme që po nxit eksportin është mbiprodhimi në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në pularitë tona prodhohen çdo vit mbi 900 milionë kokrra vezë. Me një konsum mesatar të llogaritur për frymë në vit 250 kokrra vezë, teprica luhatet në 10-30% të sasisë vjetore të prodhuar (në varësi të prodhimit, i cili ndikohet nga çmimi i drithërave, ushqimit bazë të pulave).

Një treg mjaft interesant për eksportuesit është edhe Kosova, ku si pasojë e përmirësimit të infrastrukturës është shumë më e thjeshtë të realizosh transportin. Sipas operatorëve, shitjet në tregun kosovar të vezës së freskët po ecin mjaft mirë, megjithëse në vend ka mjaft firma lokale që konkurrojnë. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova zë 8% të totalit të eksporteve të vezëve shqiptare në 2011.

Në fakt, në vitet e fundit, prodhimi i vezëve në vend është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, prodhimi i vezëve është dyfish më i lartë se 10 vjet më parë.

Në vitin 2000, prodhimi i vezëve ishte rreth 530 milionë kokrra vezë, ndërsa sot ka arritur 950 milionë kokrra vezë.

Rritja ka ardhur si rezultat i impianteve industriale, të ngritura vitet e fundit në vendin tonë. Për prodhimin e vezëve, përdoret një teknologji e nivelit bashkëkohor.

Në disa prej impianteve merren rendimente të nivelit botëror.

Sipas MBU-së, vitin e fundit janë prodhuar mesatarisht 12.5 kg për frymë vezë nga 7 kg në vitin 1997, prodhim që mund të krahasohet me vendet europiane, të cilat aktualisht konsumojnë 13 kg për frymë.

Kompanitë vendase janë tashmë duke investuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese, çka pritet të sjellë rritje të ndjeshme të prodhimit në vend gjatë këtij viti.

Sami Gjergji konfirmon se do të rrisë me 120 mijë kokrra prodhimin e vezëve gjatë këtij viti, sepse do të shtojë numrin e krerëve.

“Do të shtoj edhe 150 mijë krerë pula deri në fund të vitit për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregjeve europiane”, thotë z. Gjergji.

 

Shpenzojmë 10.5 miliardë lekë

Sipas të dhënave të MBU-së, konsumi vjetor për frymë i vezëve për vitin 2011 është 250 kokrra vezë, ndërsa vende si Italia, Gjermania apo Franca kanë një konsum mesatar prej 270-280 kokrra vezësh në vit. Rezulton se shqiptarët shpenzojnë 10.5 miliardë lekë në vit për të blerë vezë (duke marrë mesatarisht një çmim prej 14 lekë/vezë).

Megjithëse prodhimi i vezëve ka ecur me hapa të mirë, kjo industri ka shumë probleme, sepse “në vendin tonë mungon industria e përpunimit të vezëve, e cila është në fazat fillestare”.

Aktualisht ekzistojnë 22 firma që merren me prodhimin e këtij produkti (vezëve), të cilët kanë tregtuar një pjesë të produkteve të tyre jashtë vendit, si për shembull në Kosovë e Kroaci. “Numri i shoqërive të vezëve është rritur vitet e fundit, pasi, sipas prodhuesve “tregu i prodhimit të vezëve është me leverdi dhe ekzistojnë dhe mundësitë për eksport”.

Shtimi i numrit të shoqërive të prodhimit të vezëve, si dhe rritja e prodhimit në vend, ka sjellë dhe uljen e importit.

 

Mungesë e lëndës së parë

Megjithëse prodhuesit e vezëve kanë hedhur një hap pozitiv vitet e fundit, kjo industri ka sërish disa probleme, si konkurrenca e pandershme në treg, sigurimi i lëndës së parë në vend, rimbursimi i TVSH-së si dhe mungesa e industrisë përpunuese të vezëve.

Problemi më urgjent për këtë industri është mungesa e prodhimit të lëndës në parë në vend.

Aktualisht lënda e parë për këtë industri importohet dhe është ende e vështirë që ajo të sigurohet në vend, për shkak të madhësisë së vogël të fermave, cilësisë dhe rendimentit të prodhimeve të tyre.

“Për këtë problem jemi menduar më shumë në sfondin e së ardhmes së afërt, në kuadër të një koncepti të ri mbi organizimin e prodhimit bujqësor, që do të nxiste fermerët të prodhonin lëndët e para, për të cilat ka nevojë prodhimi i vezëve”, thonë industrialistët.

Shoqëritë u kushtojnë rëndësi të veçantë sistemeve të shpërndarjes së vezëve në të gjithë vendin. “Shpërndarja e vezëve është bazuar në kërkesën e konsumatorit, pra produkti duhet të hidhet në treg i freskët. Në përgjithësi kemi një sistem të kombinuar shpërndarje, ku përveç strukturave tona, hyjnë në lojë dhe agjentët ekonomikë si tregtarë të shitjes me shumicë për një treg të caktuar.

Sistemi ynë i shpërndarjes bazohet jo thjesht mbi baza të gjeografisë administrative, por në kërkesat e tregut, kombinuar me interesat e shoqërisë dhe me çmimin e produktit, për të cilin konsumatori është gati të paguajë”, thotë Sami Gjergji, administrator i “Floryhen”.

 

 

Konsumi i vezës për frymë në vendet kryesore (kokrra vezë/vit)

 

SHBA 259

Kinë 468

Spanjë 224

Meksikë 308

Greqi 118.5

Republika Çeke 296

Gjermani 225

Hungari 265

Shqipëri 200

Burimi: Komisioni Ndërkombëtar i Vezëve+MBUMK

 

 

TENDENCA

Çmimi drejt 18-20 lekëve

Megjithëse kompanitë duken të kënaqura me ecurinë e viteve të fundit, ku shitjet brenda dhe jashtë vendit janë shtuar, konsumatorët nuk kanë të njëjtën ndjesi.

Çmimet e vezëve janë rritur vitet e fundit, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

Çmimi i vezëve në tregun e pakicës është sot 16-17 lekë kokrra, kur një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, ishte në nivelin 14 lekë/kokrra.

Shtrenjtimi duket se nuk përfundon këtu. Fakti konfirmohet nga prodhuesit vendas.

Gjatë këtij viti, veza pritet të pësojë rritje të mëtejshme të çmimit duke arritur në tregun e pakicës vlerën 18-20 lekë/kokrra. Rritja e çmimit të vezëve shtrenjton automatikisht një sërë produktesh që prodhohen prej saj, por njëherësh do të rëndojë më tej “xhepat” e konsumatorëve vendas.

Arsyeja kryesore e shtrenjtimit të vezës është rritja e çmimeve të lëndëve të para. Industrialistët shpjegojnë se sot janë duke i importuar lëndët e para me një çmim 60-70% më të lartë se disa muaj më parë. Lëndët e para importohen kryesisht nga vendet e largëta, si Brazili, Argjentina dhe Amerika, ndërkohë që ka importe të pakta edhe nga Europa apo shteti i rajonit, Serbia.

Përmbytjet e shumta që ndodhën këtë vit kanë ulur ndjeshëm prodhimin e lëndëve të para dhe kanë çuar automatikisht në rritjen e ndjeshme të çmimit.

Nga ana tjetër, tregu botëror po përballet me kërkesën e vazhdueshme në rritje për lëndë të parë nga Kina, e cila po shndërrohet në një nga prodhueset më të mëdha në rang botëror të prodhimit të vezëve.

Edhe Europa duket se është në të njëjtin presion, kur nga një anë prodhimi i vezëve po rritet dhe nga ana tjetër, ai i lëndëve të para po reduktohet.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of