Italianët rregullojnë hundën në Shqipëri, katërfishohen hyrjet për turizëm shëndetësor

Ndërsa viti 2018 pa një tkurrje të numrit të të huajve që kanë marrë shërbim shëndetësor në Shqipëri, duket se në 2019 fati po u buzëqesh bizneseve të fushës. Sipas shifrave më të fundit të INSTAT, për 6-mujorin e parë të vitit, numri i hyrjeve të shtetasve në Shqipëri për të marrë një trajtim shëndetësor ishte 444, me një rritje prej 270% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që ishin 120. Kujtojmë se gjatë gjithë vitit 2018, numri total ishte 276.
Për rritjen e shifrave të turizmit shëndetësor, aktorët e tregut argumentojnë se ka pasur një koordinim më të mirë, e cila nisi në fund të vitit të shkuar, mes ofruesve të shërbimeve shëndetësore në vend (kryesisht privatë) dhe agjencive të huaja dhe shqiptare, për të tërhequr turistë.
Erjona Shahini, drejtuese e Health Tourism Albania, thotë për “Monitor” se kanë pasur kërkesa të larta këtë vit dhe klientët përgjithësisht vijnë nga Italia.
“Kërkesat më të larta i kemi nga italianët, të cilët na kontaktojnë direkt nëpërmjet rrjeteve sociale, ose nëpërmjet Agjencive partnere. Kjo ndodh për shkak të afërsisë midis dy vendeve. Këtë vit, i kemi dhënë shumë vëmendje në komunikim dhe marketing edhe një shteti si Anglia, sepse të dhënat tregojnë se janë rritur kërkesat në këtë fushë, e cila më parë ishte e paeksploruar. Mungesat në fonde, shkurtimet në stafin mjekësor, lista të gjata pritjeje, si dhe pasiguritë rreth Brexit bëjnë që pacientët anglezë të eksplorojnë opsione “low cost” jashtë vendit të tyre.”- thotë znj. Shahini.
Ndërhyrjet plastike janë aseti kryesor që Shqipëria ka pasur vitet e fundit për të tërhequr të huaj. Dhe kjo, thotë dr. Skerdilajd Faria, drejtues i klinikës “Keit”, ka ndodhur kryesisht për shkak të mjekëve italianë, turq apo grekë, që kanë punuar në Shqipëri në 10-vjeçarin e fundit dhe që ua kanë bërë të ditur këtë “leverdinë në çmime” bashkëkombësve të tyre.
Aktorët e tregut pohojnë se italianët në përgjithësi vijnë në Shqipëri të rregullojnë hundën, teksa çmimet janë 50% më të lira se në Itali, ndërsa britanikët po preferojnë dhe shërbimet In vitro.
Pse Shqipëria?
Me gjithë profilin e saj të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria ka nisur të jetë tërheqëse për turistët. Fluturimet ndërkombëtare lidhin Aeroportin e Tiranës me shumicën e destinacioneve në botë.
Mediat e huaja, që e cilësojnë Shqipërinë si një vend pa rreziqe dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, janë shtuar shumë vitet e fundit. Tirana është bërë një qytet modern, ku flitet gjerësisht anglishtja, infrastruktura e turizmit është e mirë dhe vizitorët e huaj do të kenë një qëndrim të qetë dhe të sigurt.
Klinikat private po punojnë pikërisht në këtë drejtim, duke qenë se lokacioni i tyre është kryesisht në kryeqytet, për të tërhequr klientë potenciale të huaj. Kirurgjia plastike po sheh një zhvillim më të lartë, se sa ndërhyrjet e tjera, sepse sipas aktorëve të tregut, emergjenca e një ndërhyrje të tillë nuk është e lartë (kryesisht bëhet për qejf dhe jo nevojë shëndetësore, ndryshe nga ndërhyrje të tjera), gjë që u jep mundësi atyre edhe që të argëtohen si turistë.
Shqipëria vijon të jetë e preferuar në kërkesa si turizmi dentar, për shkak të çmimeve të favorshme dhe lidhjeve të klinikave me agjenci partnere jashtë, të shërbimeve të mbjelljeve të flokëve, tejet e kërkuar nga të huajt sipas spitaleve private në vend, të shërbimit IN Vitro, e cila preferuar kryesisht nga italianët dhe anglezët, si dhe e operacioneve plastike të ndryshime, ku kryeson rhinoplastika, buzët dhe rimodelimi i gjoksit.
Burimi: INSTAT
Komente