Kompania shqiptare ITD, që distribuon produktet e IT në Ballkanin Jugperëndimor, ka marrë ekskluzivitetin e kompanisë multinacionale Cisco për Shqipërinë dhe Kosovën. Statusi Cisco Distributor e njeh ITD si kompani të kualifikuar për shpërndarjen e produkteve Cisco nëpërmjet rrjetit të partnerëve të saj në këto territore.
Cisco ka qenë prezent në tregun shqiptar, por pa distributor ekskluziv. Kompania Cisco ofron jo vetëm produkte, por edhe zgjidhje. Kryesisht produktet e kësaj kompanie janë artikuj të rrjetit.
Menaxherja e përgjithshme e ITD-së, Enkeleda Salillari, duket optimiste mbi ecurinë e këtyre produkteve në vend.
“Tregu i Shqipërisë konsiderohet si treg në zhvillim. Për ne është një bashkëpunim strategjik dhe pas përgatitjes së biznesplaneve mbi tregun konkluduam se tregu shqiptar është potencial dhe ka mundësi zhvillimi. Falë shtrirjes që kemi jo vetëm tregtojmë produktin, por gjithashtu edhe asistojmë me know-how”, – thotë znj. Salillari.
Fakti se ekonomia shqiptare ashtu si ajo globale po bazohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, këto lloj produktesh janë potenciale, pasi garantojnë infrastrukturën e duhur në këtë drejtim.
“Jemi optimist që do të jetë një zhvillim me rëndësi për tregun në tërësi, sepse do të fuqizojë të gjithë partnerët dhe do të përmirësojë shërbimet”, thotë drejtuesja e ITD.
Kompania vendase ITD, e cila bën pjesë në kompanitë e grupit “Infosoft”, është kompania e parë shqiptare që zotëron një status të tillë.
ITD ka nisur të operojë në tregun shqiptar që në vitin 1996. Tashmë është kompani kryesore në shtetet ku operon (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) me xhiro vjetore prej 25 milionë eurosh dhe 100 punonjës.
Kush është Cisco
Cisco është korporatë botërore themeluar në vitin 1984 dhe numëron 75,136 punonjës dhe xhiro prej 11.2 miliardë dollarësh.
Cisco është lider botëror në IT dhe ndihmon kompanitë të kapin mundësitë e së nesërmes. Sot, rrjetat janë pjesë thelbësore e biznesit, shkollës, administratës shtetërore dhe komunikimit në shtëpi. Zgjidhjet Cisco’s Internet Protocol-based (IP) networking janë themeli i këtyre rrjetave. Cisco hardware, software dhe shërbime përdoren për të krijuar zgjidhje interneti që u lejon individëve, kompanive dhe shteteve të rrisin produktivitetin, të përmirësojnë plotësimin e nevojave të klientëve dhe të forcojnë avantazhin konkurrues. Emri i Cisco-s është bërë sinonim me internetin, sikundër, me përmirësimin e produktivitetit të zgjidhjeve bazuar në Internet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.