Izolimi ndryshon zakonet tona në internet

04/05/2020 9:21 AM 0 komente

Njerëzit po përpiqen të mbushin boshllëkun e shkaktuar prej mungesës së aktiviteteve jashtë shtëpisë dhe komunikimet në video dhe internet po zënë një pjesë më të madhe të kohës në jetën tonë

 

Higjienizuesit për duart, makaronat dhe letrat higjienike janë zhdukur nga raftet e supermarketeve për shkak të krizës së koronavirusit që është përhapur tashmë në Perëndim. Por, jo vetëm karrocat e mbushura plot të supermarketeve.

Shërbimet web janë mjaft të kërkuara nga përdoruesit e internetit në izolim, për shembull kur duan të kalojnë momente argëtuese nëpërmjet Zoom apo në formën e Tiger King në Netflix. Shoqëria amerikane për matje dhe analiza, Comscore, vlerëson se trafiku ynë online, i matur në bazë të faqeve të vizituara, është rritur mesatarisht 20% në tregjet kyçe në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe ashtu si urdhrat për qëndrimin në shtëpi kanë detyruar stilin e jetës të ndryshojë, ashtu ka ndryshuar edhe sjellja jonë online. Leximi i lajmeve në faqet lokale është rritur pas një periudhe të vështirë të sektorit dhe, më shumë se kurrë, edhe shërbimi streaming. Por, për disa sektorë – udhëtimet, biletat dhe faqet sportive, trafiku është reduktuar.

 

Faqet e lajmeve

Lajmet në faqet kryesore vijojnë të tërheqin pjesën më të madhe të lexuesve, veçanërisht në Itali dhe Spanjë, ndër vendet europiane më të goditura nga virusi. Industria e trazuar e lajmeve lokale ka tërhequr fitimet më të mëdha në trafik. Shumë site lajmesh rajonale kanë hyrë në listën e 50 faqeve të monitorimit të trafikut nga Alexa në Itali, pas shpalljes së izolimit më 9 mars.

Faqet që menaxhohen nga grupi Joly, shtëpia botuese spanjolle, panë një rritje prej 76% të kohës që njerëzit kaluan nga shkurti në mars, ndërsa lexuesit kërkonin detaje se si kriza po godiste qytetin e tyre. Platforma e lajmeve lokale në SHBA, Patch.com, u rendit ndër 50 faqet e para më të vizituara në vend më 24 mars – pak ditë pasi shumë zona shpallën kufizimet e lëvizjes për shkak të COVID-19 dhe e 31-ta tre javë më pas. Ndërkohë, po shfaqen sinjale që lexuesit po lodhen nga artikujt e pafundmë të lajmeve, me një rënie të audiencës.

“Një muaj pas izolimit (me ndonjë javë më shumë në varësi të vendit), risitë ‘e normalitetit të ri’ duket se po zbehen dhe ndoshta po shohin sinjale të lodhjes” – shkruan Alex Gevers, drejtues në Comscore, në një status.

 

Rrjetet sociale

Trafiku në rrjetet sociale shënoi një rritje të madhe gjatë krizës, me përdoruesit në internet që kërkojnë të socializohen apo të kalojnë kohën. Facebook tha se shkëmbimi i mesazheve në vendet më të goditura nga virusi u rrit më shumë se 50% në mars. Italia, në veçanti, regjistroi rritje të aktivitetit, duke përfshirë një rritje me 1000% të videothirrjeve në grup. Twitter deklaroi se në mars, numri i përdoruesve ditorë u rrit me 8%.

Në krye të të gjithave është grupi i videokonferencave Zoom, i cili u shndërrua në një nga aplikacionet më popullore gjatë kohës së izolimit. Numri i përdoruesve ditorë u rrit nga rreth 10 milionë në dhjetor në 300 milionë, duke kontribuar në rritjen e çmimit të aksioneve me thuajse 150% në janar. Një tjetër fitues i ekonomisë së izolimit janë faqet e videostreaming.

Në fillim të prillit, Disney+ deklaroi se numri i abonentëve me pagesë në nivel botëror arriti në 50 milionë – vetëm 5 muaj pas debutimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pak javë pas lançimit në Europë. Edhe Netflix ndërkohë regjistroi një rritje të lartë të abonentëve, 16 milionë përdorues të rinj në fund të tremujorit të parë 2020.

Biletat, sporti, udhëtimet

Ndërkohë faqe të tjera web kanë vuajtur. Pezullimi i sportit ka goditur faqet sportive si ESPN që sipas Alexa-s është zhvendosur nga top 20 në SHBA në fillim të vitit jashtë top 50 në mes të prillit. Edhe faqe me aktivitete jashtë shtëpisë si shitja e biletave dhe udhëtimet pësuan rënie të ndjeshme të vizitave.

Është e qartë që njerëzit po përpiqen të mbushin boshllëkun e shkaktuar prej mungesës së aktiviteteve jashtë shtëpisë, me aplikacione dhe komunikimet në video dhe internet po zënë një pjesë më të madhe të kohës në jetën tonë, tha CEO i Netflix, Reed Hastings. Gjëja për të cilën jemi të sigurt është që interneti po rritet. Ai zë një pjesë më të madhe në jetën e njerëzve, për fat të mirë, dhe njerëzit kërkojnë të argëtohen”.

Burimi: Financial Times

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of