Shqipëria është një vend i pasur me burime të mineraleve të ndryshme. Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i tyre, përbën një aktivitet të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Tradicionalisht, pas vitit 1944, industria nxjerrëse dhe e përpunimit të mineraleve si kromi, bakri, hekuri, qymyrguri, ka siguruar të ardhura të konsiderueshme.
Zhvillimi i industrisë minerare ka kaluar në tri faza:
Faza e parë përfshin periudhën e paraçlirimit, deri në vitin 1945. Kjo fazë lidhet me dy ngjarje të rëndësishme për industrinë minerare. Në vitin 1922, u përpilua Harta Gjeologjike e Shqipërisë, e para e këtij lloji në Ballkan. Në vitin 1929, u hartua dhe miratua Ligji Minerar i Mbretërisë Shqiptare, i pari në Shqipëri, mbi bazën e të cilit filloi puna për zbulimin dhe shfrytëzimin e mineraleve.
Faza e dytë përfshin periudhën e pasçlirimit deri në vitin 1994, vit në të cilin u miratua “Ligji minerar i Shqipërisë”, me asistencën e Bankës Botërore. Në këtë fazë, 1945-1994, aktiviteti minerar ishte i centralizuar, në dorën e shtetit totalitar dhe organizimi ishte në formën e ndërmarrjeve shtetërore.
Faza e tretë përfshin periudhën mbas vitit 1944 deri në ditët e sotme. Në këtë fazë minierat u privatizuan totalisht dhe aktualisht nuk ka asnjë minierë në aktivitet, ku të jetë pronar shteti.
Kromi
Shqipëria ka prodhuar maksimalisht deri në 1.3 milionë tonë në vit. Ndërsa sot, edhe pse numri i minierave është më i madh se para viteve ‘90, vendi prodhon rreth 400 mijë tonë, pra rreth 35% të prodhimit të atëhershëm. Aktualisht në Shqipëri janë rreth 150 subjekte që punojnë në sektorin e kromit. Masivi më i madh i rezervave të kromit në vend është ai i Has-Tropojës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 794 km².
Bakri
Përpara viteve ‘90 vendi ynë ka prodhuar rreth 1.4 milionë tonë mineral bakri. Gjatë kësaj kohe u vunë në shfrytëzim shumë miniera, u ndërtuan 7 fabrika pasurimi dhe 3 uzina të përpunimit të bakrit. Bëhej edhe përpunimi i tij në cikle të mbyllur për prodhim bakri katolik, elektrolitik dhe kabllove, si dhe nxirrte rreth 150 deri në 200 kg ar dhe rreth 1.5 tonë argjend, duke qenë se këta të fundit qëndrojnë të lidhur me të në shfaqjen e tyre në natyrë. Bakri i rezistoi tranzicionit dhe puna vazhdoi me ritme të kënaqshme deri në vitin 1996. Pas vitit 1997-‘98, industria e bakrit u mbyll plotësisht, për t’u rihapur kohë më vonë. Në total, janë zbuluar rreth 68 milionë xeherorë bakri. Në potencialin kryesor të tij e kanë vendburimet e Pukës, Mirditës, më pak të Korçës, Kukësit, Hasit dhe Shkodrës.
Hekur –nikeli dhe nikeli silikat
Nikeli silikat është minerali kryesor i vendit, sepse është i vetmi mineral për të cilin Shqipëria vlerësohet me vendburime të rezervave të madhësisë së mesme, dhe veç kësaj është mjaft fitimprurës, sikur të mund të kishim të zhvilluar industrinë e përpunimit të tij. Para viteve ‘90, hekur-nikeli i prodhuar ka qenë në nivelet 1.4 milionë tonë. Ai përpunohej më tej për prodhimin e gizës dhe çelikut. Sot, problemi i tij janë kapacitetet, pasi tregu vazhdon të jetë i ulët dhe po ashtu niveli i çmimeve. Pas shkatërrimit të Metalurgjikut në Elbasan, i gjithë prodhimi aktual, që shkon diku rreth 100-150 mijë tonë në vit, eksportohet i gjithi si mineral në Maqedoni e Kosovë.
Titaniumi
Është pasuria e dytë minerare. Vlerësohen të jenë rreth 130 milionë tonë rezerva, por deri më tani nuk janë nxjerrë në dritë, sepse industria e nxjerrjes dhe përpunimit të tij është shumë e kushtueshme. Mineralizimet e tij gjenden në Sukaxhi dhe Ungrej të Kashnjetit, si dhe në Pukë, Ulzë, Berishë të Tropojës, Kaçinar, Shtuf e Lurth
Uraniumi
Dy janë fushat kryesore të përdorimit të këtij minerali, për prodhimin e armëve të shfarosjes në masë dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Në vendin tonë, studimet për këtë mineral janë ende në nivelin e kërkimit, megjithatë, për aq sa është studiuar, rezervat gjeologjike të llogaritura në vendburimin e Nimçës janë rreth 29.000 tonë, me përmbajtje 0.77% uran
Ari
I vetmi burim ari i njohur në vendin tonë është vendburimi i Gjazuj, por edhe kjo mbetet një tezë e paprovuar, sepse asnjëherë nuk janë bërë shpime perfekte sipas parametrave të përcaktuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Një firmë shqiptare ka filluar punimet në një minierë ne korçë.
PER SECILEN DUHESHIN DHE VETITE FIZIKE
Nikeli eshte metali me i kerkuar per prodhimin e baterive per makinat elektrike qe po shtohen dita dites. Prodhuesi me i madhe ne bote i nikelit eshte indonesia me 400 mije tone. Dmth ne si Shqiperi kemi prodhuar 1.4 milione tone hekur nikel..gati 4 here me shume se cfare prodhon sot indonesia ne kohen e socializmit. Pra kemi potenciale per ta arritur kete gje me nje investim te vogel. Eshte per te ardhur vertete keq, qe nje vend me pasuri perrallore te jete vendi me i varfer ne Evrope. Shqiperia eshte katandisur ne nje koloni moderne te firmave te huaja… Read more »
Fjalë të vërteta
Bravo
Bravo
sa pak info