Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka akorduar për Shqipërinë gjatë vitit 2016 një shifër huaje prej 153 milionë eurosh, vlerë e cila është më e ulët se ajo e dhënë në vitin 2015, që u llogarit në 225 milionë euro.
Të dhënat bëhen të ditura nga raporti financiar i BERZH-it për 2016-n. Sipas këtij raporti në total (hua e papërdorur, angazhimet dhe garancitë) kreditimi për vitin 2016 llogaritet në 340 milionë euro, vlerë e cila është më e lartë se në 2015-n (434 mln euro).
Vetëm si vlerë huaje, kredia e akorduar nga BERZH-in për Shqipërinë është më e ulët në krahasim me Bosnjë – Hercegovinën (584 mln euro), Maqedoninë (242 mln euro), Malin e Zi (208 mln euro), por më e lartë se ajo e dhënë për Kosovën (38 mln euro).
Sipas raportit, investimet vjetore të BERZH-it u llogaritën në 9.4 miliardë euro në vitin 2016 për 378 operacione. Gjatë këtij viti u nënshkruan 74 marrëveshje financiare, nën programin e lehtësimit (2015 – 9.4 miliardë euro, 381 investime dhe 65 marrëveshje financiare).
BERZH investoi në vitin e kaluar në 35 shtete. Sipas ndarjeve rajonale ato janë: 1.9 miliardë euro në Turqi; 1.6 miliardë euro në Europën Juglindore; 1.4 miliardë euro në Europën Qendrore dhe në shtetet baltike; 1.4 miliardë euro në Azinë Qendrore; 1.4 miliardë euro në Mesdheun jugor dhe lindor; 1.2 miliardë euro në Europën Perëndimore dhe Kaukaz; 0.5 miliardë euro në Qipro dhe në Greqi.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është kryesisht e fokusuar në mbështetje që ndikojnë në ndryshimin nivelit të jetesës dhe në përmirësimin e mjedisit. Mbështetja më e madhe i dedikohet sektorit privat, me fokus në: projektet e energjisë, dialogut politik, këshillim, inovacion, ndërtim të ekonomive moderne dhe konkurruese, investimeve të gjelbra, etj..
TAB.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.