Teknologjitë ndryshojnë punën. Teknologjitë dixhitale transformojnë jetën tonë, zakonet tona.
“Fotografia” që na shfaq IDC, në raportin Future of Work, nuk u lë hapësirë dyshimeve: teknologjitë inteligjente dhe brezat dixhitalë do ta transformojnë përgjithnjë punën, aq sa kompanitë duhet të ndryshojnë edhe mënyrën për të matur ecurinë e punonjësve.
Me fjalë të tjera, ajo çfarë na pret është një revolucion i vërtetë në biznes, në momentin kur Inteligjenca Artificiale do të depërtojë më shumë në proceset operative dhe brezat e parë dixhitalë, millennials, do të përfaqësojnë pjesën me të madhe të forcës së punës. Ose ndryshe, në dy-tre vitet e ardhshme.
Zyra e punës është kudo
Sipas studimit të IDC, brenda vitit 2021, 60% e kompanive Global 2000 (kompanitë më të mëdha të kuotuara në bursë në botë) do të adoptojnë atë që vetë shoqëria e analizave e cilëson Future WorkSpace, ose një koncept i ri hapësire në punë, i cili “do të përmirësojë përvojën dhe produktivitetin e punonjësve nëpërmjet një ambienti fizik dhe virtual më fleksibël, inteligjent dhe bashkëpunues”. Hapësira e punës në të ardhmen nuk do të jetë “statike apo me orare të përcaktuara”, por do të jetë “kudo, në çdo moment, në çdo pajisje, duke ndryshuar tendencën e milliennials apo brezave që do të vijnë”.
Roli i Inteligjencës Artificiale do të jetë vendimtar
Edhe pse sot teknologjitë e Inteligjencës Artificiale përdoren kryesisht për të përmirësuar konsumin e pajisjeve vendin e punës (dritat, ajri i kondicionuar etj.,) instrumentet e reja inteligjente “do t’i ndihmojnë punonjësit të bëhen më shumë produktivë në harkun e pak viteve”.
Ndryshojnë Burimet Njerëzore
Sipas IDC, transformimi i mjedisit të punës dhe të kulturës së punës në përgjithësi “do t’i detyrojë kompanitë të ndryshojnë edhe mënyrën e rekrutimit dhe matjes së produktivitetit të punonjësve”.
Studimi thotë që brenda vitit 2022, 35% e kompanive do të zëvendësojë KPI (key performance indicator) me KBI (key behavioral indicator) për të matur bashkëpunimin, komunikimin, aftësinë për të zgjidhur problemet, rezultatet dhe objektivat e vetë personelit. Metrikat që lidhen me produktivitetin do të jenë në krah të “metrikave më moderne, që njëherë e një kohë konsideroheshin ‘soft skill’, d.m.th. jo të matshme dhe më pak të rëndësishme) por sot konsiderohen të rëndësishme për të arritur ato nivele produktiviteti të nevojshme për të kënaqur kërkesat e klientëve”.
Burimi: Il Sole 24 Ore