Jack Ma nuk është më njeriu më i pasur në Kinë. Themeluesi i Tencent i zë vendin

25/06/2020 3:52 PM 0 komente

Themeluesi i Tencent, Pony Ma, i zë vendin e parë njeriut më të pasur në Kinë, Jack Ma, themeluesi i Alibaba. Me rritjen e vlerës në Bursë të Tencent dhe Pinduoduo (Pdd), aksionet e të cilave u rritën shumë shpejt këtë javë, ka ndryshuar edhe gjeografia e miliarderëve kinezë.

Sipas Bloomberg Billionaires Index, Tencent dhe Pdd kanë ndryshuar pozicionin e parë dhe të tretë të klasifikimit të miliarderëve aziatikë. Tencent, kompania më e madhe e videolojërave në Kinë, ka kapërcyer Alibaba-n, si kompania me kapitalizimin më të madh të tregut në Azi. Si rrjedhojë, edhe pasuritë personale të dy themeluesve kanë ndryshuar. Pony Ma, themeluesi i Tencent, është bërë njeriu më i pasur i Kinës, pasuria e të cilit është rreth 50 miliardë dollarë, duke lënë pas, në vend të dytë, Jack Ma, i cili vlen “vetëm” 48 miliardë.

Por nuk përfundon me kaq. Në fakt, edhe vlera e tregut të Pinduoduo, kompani me një model biznesi të ngjashëm me atë të Groupon, është thuajse dyfishuar në gjashtë muajt e parë të vitit. Pasuria e themeluesit të saj, Colin Huang, është sot rreth 43 miliardë dollarë. Rritja e beftë e pasurisë së Colin Huang ka zhvendosur në vendin e katërt në klasifikim miliarderin Hui Ka Yan, themeluesi i kompanisë së pasurive të patundshme, China Evergrande Group. Në vend të pestë, një tjetër miliarder i ekonomisë dixhitale kineze, Ding Lei, themeluesi NetEase, shoqëri konkurrente e Tencent.

Këto janë pasojat e koronavirusit, që edhe në Kinë kanë nxitur dixhitalizimin e vendeve të punës e për pasojë, kanë ndryshuar zakonet e konsumatorëve, duke rritur vlerën e tregut të shumë shoqërive të internetit. Sot, manjatët e teknologjisë mbizotërojnë rangjet e miliarderëve në Kinë.

Pony Ma, 48 vjeç, numri një i Tencent, është një figurë e veçantë. Njeriu, i cili zotëron rreth 7% të kompanisë, ka shitur 14,6 milionë aksione të Tencent gjatë 2020, për një total prej 757 milionë dollarësh. I lindur në provincën Guangdong, në juglindje të vendit, ka studiuar informatikë në Shenzen, dhe para se të krijonte kompaninë e tij, ishte zhvillues softëaresh për shërbime kompanishtelekomunikacioni. Kur krijoi Tencent, thelbi i biznesit të kompanisë së tij ishin mesazhet e menjëhershme.

Pavarësisht se Pony Ma (Tencent), është në krye të klasifikimeve dhe Colin Huang (PdD) në vendin e tretë, kjo nuk e pasqyron shkallën e rritjes së dy kompanive. Në vitin 2020, aksionet e Tencent u rritën me 31% ndërsa ato të Pdd me 121%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of