Presidenti i AmCham, Enio Jaço ka reaguar pas publikimit të Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane ndërsa ka deklaruar se Shqipëria ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.
Në një reagim në rrjetet sociale të AmCham, Jaço thekson se rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë.
Jaço thekson se Dhoma Amerikane ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.
“Rezultatet e Indeksit të Biznesit për vitin 2021 janë matës real që tregojnë se Shqipëria, ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.
Rritja me 71% e anëtarëve që morën pjesë në Index, më e larta që në krijimin e saj, tregon për rëndësinë që bizneset i japin terrenit ku ata operojnë dhe rregullave të lojës. Por rënia me 0.5 pikë nga një vit më parë dhe rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë.
Dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës Europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët.
Në kthimin e besimit tek bizneset, duhet së pari, dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me përgjegjësi të lartë. Dhoma Amerikane ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri!” thuhet në reagimin e Presidentit të AmCham.
Bie indeksi i besimit të Dhomës Amerikane nga pandemia dhe progresi më i ulët sesa pritej
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.