Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, në një komunikim për mediat u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm në respektimin e masave kundër Covid-19. Zoti Jaka pohon se, nëse do të kthehen masat shtrënguese, pasojat për ekonominë do të ishin të rënda.
“Jam këtu për të përcjellë disa mesazhe. Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë ata që u kujdesën për mua për atë që kalova para një jave. Ishte një shtrim 3-ditor në spital, që mori gjithë terapinë e duhur, duke iu nënshtruar protokollit nga stafi i mrekullueshëm mjekësor. Është momenti që ne të gjithë të mbështesim bluzat e bardha dhe të respektojmë kërkesat që kërkon kundër Covid-19.
Unë qëndrova vetë 3 ditë në spital dhe ju siguroj që puna e mjekëve ishte e jashtëzakonshme, kemi të bëjmë me një staf që sakrifikojnë dhe mohojnë jetën e tyre. Ne mendojmë se e kemi kaluar virusin, se jemi post-Covid-19, por jemi post-karantinë. Kjo do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos provokojmë masat shtrënguese. Të gjithë duhet të respektojmë masat nga Ministria e Shëndetësisë, pasi pasojat do të ishin të rënda për një ekonomi të brishtë si e jona.
Më lejoni që si një njeri që e përjetova dhe e kalova vetë këtë virus, u bëj thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe duhet të kenë më shumë besim te puna e mjekëve, e stafit të spitalit infektiv.
Nikolin Jaka tha se zbatimi i protokollit të masave anti-Covid-19 ka një kosto për biznesin dhe analiza e përballimit të tyre nga sipërmarrja do të trajtohet nëpërmjet një platforme qe do t’i paraqitet qeverisë, po ashtu edhe humbjet e shkaktuara nga zbatimi i protokollit.
“Dua t’u bëj të ditur se koordinatorja Muçostepa, po bashkëpunon me qeverinë për të pasur një platformë të qartë se si duhet të mbështetet sipërmarrja dhe sa është e mundur kjo të bëhet, pasi shumë industri janë të rënduara dhe presin të dalin nga kriza. Një analizë e hollësishme do të bëhet pas një periudhë 3-mujore në mënyrë që të dalin edhe kostot evidente. Do të analizohen kostot e skenarit për të investuar dhe për të zbatuar protokollin, por edhe kostot e një skenari tjetër që rëndon më shumë se sa duhet dhe ka kompani që e kanë të pamundur të vazhdojnë aktivitetin e tyre.”
Kreu i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, formatimin e qeverisë të Kosovës e vlerësoi pozitivisht, ndërsa shtoi se bashkëpunimi ekonomik mes 3 vendeve do të nxiste zhvillimin e ekonomisë.
“Është lajm i mirë formatimi i qeverisë të Kosovës dhe pritet të formatohet dhe ajo e Maqedonisë. Shpresojmë që ekonomia e 3 vendeve, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni do të jetë një suport i mirë për turizmin dhe zhvillimin e tregtisë. Heqja e tarifave dhe barrierave mes 3 vendeve do të ketë efekte pozitive të ekonomia jonë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.