Janar-korrik, 71 mijë shqiptarë shkuan me pushime në Turqi, rritje 11%

Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, 71 mijë shqiptarë zbarkuan në Turqi si turistë, sipas të dhënave zyrtare që burojnë nga statistikat e Ministrisë së Turizmit në Turqi. Turistët shqiptarë shënuan rritje me 11% në raport me 7-mujorin e 2018 dhe 23% në raport me vitin 2017.
Turqia njohu këtë vit rritje të pazakontë të numrit të turistëve nga Europa, të cilët u rritën me mbi 20% në raport me vitin e kaluar. Kjo rritje ishte e vlefshme edhe për vendet që lagen nga dete. Numri i grekëve që pushuan në Turqi u rrit me 50% dhe po në këtë përqindje u rrit edhe numri i spanjollëve dhe kroatëve që pushuan në Turqi. Numri i shqiptarëve që pushuan në Turqi këtë vit shënoi rritjen më të ulët ndër turistët e vendeve të tjera europiane që pushuan atje.
Në tremujorin e parë të 2019, shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë vendit 272 milionë euro. Në baza vjetore, numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë është rritur me 9%. Ndërsa 2018-a mund të konsiderohet si viti më i mirë për turizmin në Shqipëri, ku të huajt “zbuluan” vendin e shqiponjave, vetë shqiptarët kanë preferuar që t’i shpenzojnë jashtë paratë e tyre.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2018-n arritën në 1.42 miliardë euro, duke u rritur me 13% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar i shpenzimeve jashtë vendit, që pas viteve ’90.
Në të kundërt, të huajt kanë sjellë më shumë para në Shqipëri në udhëtimet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, të huajt që vizitojnë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë për vizitë tek të afërmit dhe qëllime turistike, shpenzuan 1.86 miliardë euro në 2018-n, edhe ky një nivel rekord, me një rritje prej 8.8% me bazë vjetore.
Bilanci neto mbetet pozitiv për Shqipërinë, me 430 milionë euro, që është diferenca mes parave që sollën turistët dhe atyre që shqiptarët shpenzuan jashtë.
Komente