Ndonëse buxheti ka arritur ta marrë veten gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, me të ardhurat në total që u rritën me 4% në krahasim me janar-korrikun e një viti më parë, zërat që mbajnë peshën kryesore në buxhet po shfaqin një rendiment shumë të ulët, sipas buletinit fiskal te shtate mujorit te Ministrise se Financave.
Të ardhurat nga tatim fitimi vijuan tendencën e tyre tepër negative, duke shënuar një rënie prej gati 22% në krahasim me shtatëmujorin 2011. Kjo ecuri reflekton ecurinë negative të KESH, por dhe rënien e normave të fitimit të operatorëve kryesorë celularë, AMC e Vodafone, por njëkohësisht dhe një gjendje amullie te biznesi, që po vuan krizë likuiditeti dhe rënie të ndjeshme të fitimeve.
Treguesi tjetër i rëndësishëm, ai i TVSH, që është një indikator për qarkullimin e parasë në ekonomi, ka shënuar një rritje minimale prej 1.5%.
Edhe të ardhurat nga akciza kanë shënuar një rritje minimale prej 0.4%.
Në rënie është dhe tatimi mbi të Ardhurat personale, teksa të ardhurat nga ky zë ishin 3% më të ulëta në bazë vjetore për periudhën janar- korrik 2011.
Ai që ka shpëtuar buxhetin është zëri “Taksa nacionale dhe të tjera”, që është rritur me 5.4 miliardë lekë, nga 7.2 miliardë lekë që u rritën të ardhurat buxhetore në total. Vlerësohet që një pjesë e madhe e kësaj rritjeje ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të gjobave te bizneset.
Një zë tjetër në kategorinë e të ardhurave jo tatimore, i specifikuar sërish si “të tjera” ka shënuar një rritje të ndjeshme me rreth 3.5 miliardë lekë.
Nëse këto dy zëra “të tjera” nuk do të kishin një ecuri kaq pozitive, atëherë rritja e të ardhurave buxhetore do të kishte qenë minimale.
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.