Janar, kreditë me probleme u rritën lehtë në 8.2%

10/03/2021 12:08 PM 0 komente

Raporti i kredive me probleme njohu rritje të lehtë në muajin janar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ai arriti nivelin e 8.2%, nga 8.11% në fund të vitit 2020. Rritja minimale e fillimit të vitit megjithatë nuk e shmang këtë tregues nga nivelet e qëndrueshme tëregjistruara në vitin 2020.

Rritja e lehtë e raportit në muajin Janar mund të jetë ndikuar edhe nga zvogëlimi i portofolit të kredisë për periudhën. Stoku i kredisë për ekonominë në fund të Janarit kishte vlerën e 606.4 miliardë lekëve, rreth 2.6 miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2020.

Qëndrueshmëria e raportit të kredive me probleme u ndikua shumë nga masat rregullatore lehtësuese që ndërmori Banka e Shqipërisë. Shfuqizimi i përkohshëm i kërkesës për të riklasifikuar kreditë e ristrukturuara ka mundësuar mbështetjen e huamarrësve që vuajtën pasojat e krizës pandemike. Në fillim të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi t’i shtyjë këto masa edhe për një tremujor tjetër, me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë përmirësimit të aftësisë paguese të debitorëve ndaj bankave tregtare. Kjo strategji deri tani ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të kredive me probleme, por edhe vazhdimin e rritjes së kredisë për ekonominë. Në fund të janarit, portofoli i kredisë ishte në rritje me 6.6% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, masat e përkohshme e bëjnë të vështirë për të krijuar një ide të qartë të atij që mund të jetë efekti i deritanishëm i krizës në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Ky efekt mund të fillojë të shfaqet në gjysmën e dytë të vitit, por shpresa e bankave dhe autoriteteve vendimmarrëse është që efektet e pandemisë do të fillojnë të zbuten, duke i dhënë frymëmarrje bizneseve, sidomos në sektorët e lidhur me turizmin dhe udhëtimet.

Pavarësisht qëndrueshmërisë së raportit të kredive me probleme, bankat, nga ana e tyre, kanë rritur ndjeshëm provigjionet ose shpenzimet e parashikuara për humbje të pritshme nga kreditë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar provigjionet arritën vlerën e 7.3 miliardë lekëve, duke arritur njëkohësisht nivelin më të lartë që prej vitit 2016. Rritja e provigjioneve nënkupton që efektet financiare për bankat nga një përkeqësim eventual i cilësisë së kredisë do të jenë më të kontrolluara.

Aktualisht, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 49 miliardë lekë, ndërsa bankat në pesë vitet e fundit kanë nxjerrë jashtë bilanceve më shumë se 65 miliardë lekë kredi të humbura.

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of