Deri në fund të tremujorit të parë 2011, të dhënat e detajuara të Shoqatës së Bankave tregojnë se bankat në përgjithësi kanë rezultuar me fitim në tremujorin e parë 2012 dhe vetëm dy prej tyre kanë shënuar një humbje minimale (Credit Bank dhe Emporiki). Në përgjithësi, bankat kanë arritur që të shtojnë fitimet në krahasim me periudhën janar-mars të vitit 2011. Konkretisht, Credins e ka dyfishuar fitimin; BKT e ka rritur me 70%; Societe e ka katërfishuar atë; Union Bank e ka shtuar me 81%.
Rënie të fitimeve kanë shënuar Pro Credit dhe Intesa, ndërsa Raiffeisen ka arritur të ruajë pak a shumë të njëjtat nivele si në tremujorin e parë të 2011-s.
Për vitin 2011, sistemi bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezultoi me një fitim minimal prej 706 milionë lekësh, me rënie prej 90% në krahasim me një vit më parë, duke shënuar nivelin më të ulët, që prej vitit 1998, kur sistemi rezultonte me humbje menjëherë pas kulmimit të piramidave më 1997-n.
Shpenzimet e larta për provigjione (fondet që bankat krijojnë për mbulimin e huave me probleme) ishin arsyeja kryesore e këtij rezultati të ulët. Gjatë vitit 2011, një element tjetër ka ndikuar në uljen e rezultatit të bankave: zëri “humbje nga veprimet me letrat me vlerë”, sipas të cilit bankat rezultojnë të kenë humbur rreth 10 miliardë lekë (72 milionë euro).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.