Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2015 kapën vlerën mbi 3,021 milionë lekë, ose 14.41% më shumë se në periudhën janar-mars 2014, raportoi sot Autoriteti i Mbikëqyrjes financiare.
Gjatë periudhës janar-mars 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 225,337 me një rritje prej 10.08% krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.51% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.49%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.71% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.29% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-mars 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 706 milionë lekë, ose 18.61% më shumë se në periudhën janar-mars 2014.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2015 arritën mbi 1,791 milionë lekë, ose 34.75% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars 2015, pati një rritje prej 38.49% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 9.19% krahasuar me periudhën janar-mars 2014.
Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-mars 2015 pati një ulje prej 16.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 21.89% krahasuar me periudhën janar-mars 2014.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-mars 2015, pati një rritje me 32.18% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Gjithashtu u rrit edhe numri i kontratave me 20.95%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2015 arritën rreth 1,230 milionë lekë, ose 5.11% më pak se në periudhën janar-mars 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 11.62% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2015, patën ulje me 2.60% kundrejt periudhës janar-mars 2014.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2015 siguruan rreth 578 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 76.52%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 13.64% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2015, vihet re një ulje prej 16.64% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.82% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2014.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2015, arritën në rreth 269 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 57.85% në krahasim me periudhën janar-mars 2014.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2015, arritën mbi 226 milionë lekë, ose 14.83% më pak se në periudhën janar-mars të vitit të kaluar.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2015 u rritën me 18.61% krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 477 milionë lekë, apo 67.57% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.