Me gjithë ndryshimet në ligjin organik të buxhetit dhe udhëzimet për të harmonizuar investimet publike në mënyrë të njëtrajtshme gjatë gjithë vitit, qeveria vijon me praktikën, ku gati një e treta e fondeve buxhetore për investime akumulohen në muajin e fundit të vitit, dhjetor.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë 11-mujorit 2020 u shpenzuan 63.9 miliardë lekë në projektet e investimeve nga 99 miliardë lekë të programuara, ose 67% e planit. Fondi i investimeve, më 2020 u rrit nga projektet e rindërtimit, ku mësohet se kanë avancuar shkollat më shumë se shtëpitë dhe objektet e tjera.
Të dhënat tregojnë se nga programi vjetor, mbeten të pashpenzuara 35 miliardë lekë ose 310 milionë euro.
Mosrealizimi në masën 33% përfshin mungesën e financimit për 931 projekte, për të cilat ishte parashikuar, por fondet nuk u disbursuan deri në nëntor.
Investimet buxhetore në të shumtën e tyre shkuan për pagesat e koncesioneve, procesin e rindërtimit dhe për ndërtimin e disa segmenteve rrugore si Bypass-i i Fierit, Rruga Kardhiq -Delvine dhe Unaza e Madhe.
Të dhënat e detajuara nga Thesari në Ministrinë e Financave tregojnë se në 11-mujorin 2020 kontratat e koncesionare të investimeve morën 3.6 miliardë lekë financime ose 5.6% të fondeve totale të shpenzuara gjatë periudhës. Gjysma e vlerës rreth 1.8 miliardë lekë shkuan për financimin e Rrugës së Arbrit dhe pjesa tjetër u nda ndërmjet financimit të trafikut të munguar në Rrugën e Kombit dhe inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Për procesin e rindërtimit u akorduan më pak fonde se për koncesionet. Të dhënat tregojnë se, në janar-nëntor u akorduan për procesin e ndërtimit nga thesari 2,7 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 4.1% e fondeve totale që u shpenzuan për këtë periudhë.
Nga të dhënat shihet se, projektet e mëdha që ishin programuar, por që nuk u financuan deri në dhjetor ishte një kontratë e re në Bypass-in e Fierit me vlerë 2.2 miliardë lekë. Më tej kontratat e mëdha që nuk u financuan deri një dhjetor ishin programi i rehabilitimit të Lumit të Vlorës me vlerë 1,6 miliardë lekë, programi i infrastrukturës bashkiake me 1,5 miliardë lekë dhe mbështetja për sistemin e furnizimit me ujë me 1,3 miliardë lekë. Gjithashtu nga masa e parë e mbështetjes për bujqësinë IPARD II i mbeten të pashpërndara edhe 1.1 miliardë lekë të planifikuara për 2020.
Për shkak të buxhetit optimist të parashikuar në 2020-n, ndonëse në periudhë pandemie, qeveria planifikoi më shumë shpenzime, duke shpresuar se do të mblidhte të ardhura. Por, sipas të dhënave zyrtare, për 11-mujorin, të ardhurat në buxhet ranë me 9.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, nga -3% që ishte parashikimi në buxhet. Si rrjedhojë, financat u detyruar në kurseheshin në shpenzime, duke i realizuar ato më pak se 90% e planit, duke shkurtuar kryesisht financimet për investimet kapitale./ B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.