Eksportet kanë përshpejtuar për 6-mujorin e parë të këtij viti, të udhëhequra nga performanca e mirë e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, si dhe tekstilet e këpucët.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT-i tregojnë se për periudhën janar-qershor 2013, shitjet jashtë vendit rezultuan gati 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej 17.3% në krahasim me të njëjtën periudhë, nga 16.3% që ishin ritmet vjetore të rritjes për 5-mujorin.
Dy grupmallrat kryesore, “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, “tekstile e këpucë-fason” kanë shënuar ecuri pozitive, ndërsa “materialet e ndërtimit e metaleve” kanë kthyer tendencën e rritjes në negative, për 6-mujorin, si rrjedhojë e performancës tepër negative, që filloi në maj e vazhdoi në qershor.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse e energji” u rritën me 45% për janar-qershor 2013, duke arritur në 48.7 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 41% të totalit. Prej dy vitesh, ky grupmall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania “Bankers Petroleum”. Pozitivisht ka ndikuar dhe eksporti i energjisë, pas rezervave të krijuara nga shirat e fillimvitit.
Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë rimarrë veten në pjesën e parë të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-qershor 2013, ato u rritën me 8.1% në 33.8 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve.
Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve thelluan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 6% me bazë vjetore në 16.8 miliardë lekë për periudhën janar-qershor, pasi ishin gjallëruar me 12% për 4-mujorin. Kjo tendencë erdhi si rrjedhojë e performancës negative të këtij grupi në maj e qershor.
Importet
Përkeqësohet tkurrja e konsumit dhe investimeve
Importet kanë thelluar ritmet e rënies me bazë vjetore për periudhën janar-qershor 2013, duke treguar se konsumi dhe sidomos investimet në ekonomi, nuk po arrijnë që të marrin veten.
Importet po vijojnë për të dytin vit radhazi tendencën negative, një tregues i qartë i rënies së investimeve në ekonomi, me blerjet e makinerive, pajisjeve e materialeve të ndërtimit, që po vazhdojnë të tkurren.
Sipas INSTAT-it, importet janë tkurrur me 6.3% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor në 234 miliardë lekë. Ritmet e rënies janë thelluar, në raport me tkurrjen prej 5.5% me bazë vjetore për 5-mujorin.
Ndikimin kryesor në tendencën negative 6-mujore e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit mineral lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 23% me bazë vjetore, në gati 41 miliardë lekë, duke zbritur në grupmallin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në një tregues se sektori i ndërtimit vijon tkurrjen e tij, edhe importet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 8.6% në 28 mld lekë për periudhën janar-qershor.
Në rënie të thellë janë dhe importet e makinerive-pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues i investimeve direkte në ekonomi, të cilat u tkurrën me 11.5% me bazë vjetore për 6-mujorin në 41.7 miliardë lekë.
Edhe importet e ushqimeve, pijeve e duhanit, një tregues i konsumit të individëve janë tkurrur me 3.2% në 43.3 miliardë lekë për 6-mujorin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.