Volumi i udhëtimeve në Shqipëri ka rënë në muajin janar 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shihet se udhëtimet e të huajve për biznes dhe turizëm në Shqipëri janë rritur, ndërsa kalimet transit janë ulur.
Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin janar 2017 është 462.812. Krahasuar me janar 2016, ky tregues rezulton me rritje 0,5%.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vend është 172.757. Krahasuar me janar 2016, ky numër është ulur me 0,4 %. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit janar 2017 janë 558.109, duke shënuar një ulje me 4,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit janar 2017 është 371.041. Krahasuar me janar 2016 ky numër është ulur 1,3%.
Numri i vizitorëve të huaj, që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në muajin janar 2017, rezulton 30.374, ndërsa në janar 2016 ky numër ishte 15.714.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në janar 2017 është 169.822 dhe përbëjnë 95% të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me janar 2016, numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është ulur 0,7 %.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 0.5% të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar rritje me 14,3%.
Hyrjet e shtetasve të huaj, në rrugë tokësore, zënë peshën më të madhe me 75,9 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore dhe detare zënë respektivisht 19,3% dhe 4,8%.
Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin janar, rezulton nga Kosova me 33,3%. Pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 14,6%, Greqia me 13,6%, Mali i Zi me 12,0%, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.