Janar, sektori bankar rriti fitimin me 23%

10/03/2021 11:01 PM 0 komente

Sektori bankar ka nisur vitin 2021 me rezultat fitimprurës dhe në përmirësim.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin Janar rezultati neto i sektorit bankar ishte pozitiv në vlerën e 1.6 miliardë lekëve ose rreth 13 milionë eurove.

Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, fitimi neto i bankave është 23% më i lartë. Rritja e fitimit reflektohet edhe në tregues më të mirë të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali, i përshtatur me bazë vjetore, ishte 11.64%, nga 10.01% që kishte qenë në Janarin e vitit 2020.

Të dhënat e mësipërme mbështeten në raportimin sipas kërkesave të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe mund të kenë ndryshime krahasuar me rezultatin e llogaritur standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, që është standardi ligjor i raportimit të bankave.

Megjithëse një muaj është shumë pak për të përcaktuar tendencat, rritja e fitimit të bankave mund të interpetohet si një sinjal pozitiv i performancës së sektorit, po të kemi parasysh që në Janari të vitit të kaluar sistemi bankar dhe ekonomia ende nuk ishin prekur nga efektet e pandemisë.

Rritja e fitimit në muajin Janar vjen pas një viti kur ky tregues rezultoi në rënie të ndjeshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar fitimi neto i sektorit bankar zbriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2016, për një vlerë totale prej 16.9 miliardë lekësh ose rreth 137 milionë eurosh. Tkurrja e fitimeve erdhi kryesisht nga një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për provigjione. Duke qenë se zërat e tjera të të ardhurave dhe shpenzimeve kanë një luhatje më të ngadaltë dhe graduale në kohë, ecuria e provigjioneve është zakonisht faktori me ndikimin kryesor në ndryshimin e përfitueshmërisë së sektorit bankar nga njëri vit në tjetrin.

Viti 2021 përmban shumë të panjohura lidhur me ato që mund të jenë pasojat e cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Deri tani, masat rregullative dhe vazhdimësia e kreditimit kanë ndihmuar që raporti i kredive me probleme të mbahet nën kontroll. Është e pritshme që me shfuqizimin e këtyre masave, pas muajit mars, efekti i krizës në portofolin e kredisë të fillojë të bëhet më i prekshëm. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se bankat kanë ndjekur një qasje të kujdesshme për sa i takon provigjionimit qysh vitin e kaluar, një pjesë e efektit të pritshëm financiar edhe mund të jetë amortizuar./ E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of