Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përditësuar listën e subjekteve pasive deri më 25 tetor të këtij viti. Numri i përgjithshëm i bizneseve në këtë listë arrin në rreth 103 mijë. Vetëm nga 1 janari deri më 24 tetor 2017, kësaj liste i janë shtuar 10,578 biznese të reja.
Në krahasim me një vit më parë, është ulur dukshëm numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv. Në 2016-n, sipas listës së publikuar nga Tatimet, rezulton të kenë kaluar në status pasiv rreth 22 mijë subjekte.
Të paktën 25% e bizneseve të mbyllura gjatë këtij viti i përket muajve shtator-tetor, kohë kur qeveria e re deklaroi nismën e saj për Antiinformalitet 3. Nga të dhënat e listës konstatohet se muajt e fundit ka pasur një numër të madh biznesesh ambulante që kanë kaluar si pasiv.
Tatimet nënvizojnë se publikimi i kësaj liste bëhet për të shmangur që subjektet që janë aktivë të kryejnë transaksione me subjekte që janë pasivë.
Cilat biznese transferohen tek regjistri i pasivëve
Janë tre arsyet që mund të bëjnë që një subjekt të kalojë nga aktiv në listën e pasivëve. Sipas Tatimeve, kjo ndodh në rastin kur subjekti nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm, apo nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm si dhe në rast se deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.
Pra në rast se njëri nga këto kushte plotësohet, atëherë subjekti kalon në pasiv.
Borxhi tatimor i bizneseve pasive
Një nga problematikat që shfaqet për administratën tatimore është borxhi i lartë tatimor që mbartin bizneset pasive. Nëse në total në janë 146 mijë biznese me detyrime të papaguara pranë Tatimeve, më shumë se gjysma e tyre, 76 mijë janë biznese pasive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.