Japonia nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare mbi idenë e Bullgarisë për hapjen e një fabrike për prodhimin e makinave japoneze në shtetin bullgar, tha zëdhënësi i ministrit të Jashtëm japonez, June Saito, në një konferencë për shtyp për mediat.
“Ky vendim nuk varet vetëm prej nesh, por kryesisht nga vendimi që do të marrin prodhuesit japonezë të makinave”, tha më tej z. Saito pas takimit të ministrit të Jashtëm japonez, Taro Kono, me ministren e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva.
Sipas tij, znj. Zaharieva ka të drejtë kur shprehet se Bullgaria e ka treguar tashmë veten në drejtim të prodhimit të pjesëve të këmbimit të makinave dhe sesa e aftë ajo ka qenë në tërheqjen e investitorëve të këtij sektori. Por ka edhe shumë konkurrentë të tjerë në këtë rajon, prandaj do të jetë i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme fakti që Bullgaria të ndajë informacion me prodhuesit japonezë të makinave, gjatë seminareve që do të mbahen mbi investimet. Megjithatë, tani për tani ne nuk kemi asnjë përgjigje konkrete, theksoi z. Saito, duke mos lënë pa përmendur edhe faktin që të dyja këto shtete janë duke punuar në këtë drejtim.
Sipas z. Saito, takimet patën ecuri të mirë si me ministren e Jashtme, znj. Zaharieva, ashtu edhe me Kryeministrin Boyko Borisov, madje një ecuri më të mirë se ajo që ne kishim parashikuar.
Temat që u diskutuan mes z. Kono dhe znj. Zaharieva kishin të bënin me çështje dypalëshe (p.sh. ekonomike) dhe rajonale në lidhje me mbështetjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Një prej tyre ishte edhe Nisma për Bashkëpunim e Ballkanit Perëndimor, një projekt që duhet të plotësojë procesin e Berlinit me mbështetje ekonomike dhe shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bullgaria është tashmë pjesë e grupit të donatorëve dhe Tokio është i lumtur të ndajë përvojë në ofrimin e ndihmës për vendet në zhvillim.
Përveç Bullgarisë, krerët më të lartë të shtetit japonez do të ndalojnë edhe në Slloveni (të cilën ministri i Jashtëm i Japonisë nuk e ka vizituar kurrë), Kroaci (e rëndësishme për Presidencën e ardhshme të BE-së) dhe Serbi (ku, për shkak të interesit të kompanive japoneze, “do të kërkojmë kushte të mira investimi”). Në një vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, në Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohet në shtator një seminar, i organizuar nga JICA e UNWE-së. Në Shkup, përfaqësuesit e Sofjes dhe Tokios do të ndajnë përvojat e tyre në drejtim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shtoi z. Saito.
I pyetur se për cilët sektorë të tjerë ka shfaqur interes Japonia, z. Saito shpjegoi se përveç Teknologjisë së Informacionit, edhe industria ushqimore (një investim i kohëve të fundit në prodhimin e sushit të ngrirë) po shihet me interes. Me potencial të lartë shihet edhe industria e verës, siç është edhe aftësia për të eksportuar sipas një marrëveshjeje të mundshme tregtare midis Japonisë dhe BE-së.
Sipas të dhënave të BNB-së për vitin 2018, Investimet e Huaja Direkte të Japonisë në Bullgari arritën vlerën 55.9 milionë euro, ndërsa ato të Bullgarisë në Japoni, në 3.7 milionë euro. Sipas ambasadës në Sofje, në Bullgari veprojnë një total prej 36 ndërmarrjesh japoneze. Vizita e z. Kono në Bullgari përkon edhe me momentin e tre përvjetorëve, 110-vjetorit të vendosjes së kontakteve të para bilaterale, 80-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike dhe 60-vjetorit nga përmirësimi i tyre.