Ndërkohë që Lojërat Olimpike të Tokios nuk kanë nisur ende, Japonia ka thyer një rekord, por jo në fushë. Vendi aziatik ka thyer rekordin e mëparshëm të shpejtësisë së internetit, me një transferim të dhënash 319 Tbps (Terabyte për sekondë).
Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit në Japoni thyen rekordin e transferimit të të dhënave në internet. Shpejtësia e regjistruar është 319 Tbps, thuajse dyfishi i 179 Tbps i regjistruar nga një ekip kërkuesish britanikë dhe japonezë në gusht 2020.
Grupi i kërkuesve japonezë përmirësoi transmetimin e të dhënave në thuajse çdo aspekt krahasuar me rekordin e mëparshëm. Testi i shpejtësisë u bë në një laborator duke përdorur teknologji të avancuar me fibra optike. Zakonisht kabllot me fibra optike përmbajnë një bërthamë dhe disa shtresa për të mbrojtur brenda të dhënat. Sistemi i institutit japonez përdori një kabllo eksperimentale në fibër optike me katër bërthama, në vend të një, brenda një kablloje me dimensionet e një fibre standarde.
Ashtu siç ndodh me shumë nga këto eksperimente, mund të duhet shumë kohë që kjo performancë të ketë ndikim të rëndësishëm në përdorimin e rrjetit tonë. Ndërsa fibra me katër bërthama do të funksiononte me rrjetet ekzistuese, sistemi do të ishte shumë i shtrenjtë.
Sidoqoftë, studiuesit parashikojnë që teknologjitë e tyre mund të përdoren në të ardhmen për prodhimin e fibrave të gjeneratës së re përtej 5G, duke mundësuar transmetim edhe më të shpejtë dhe më të përshtatshëm të të dhënave.
/ Wired