Jasharaj: Nëse nuk përfshihet Ligji i Pagave në buxhet do të ketë greva

04/03/2020 11:35 AM 0 komente

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk e ka ndërmend t’u ndahet grevave. Kësaj here shkaktar mund të jetë mospërfshirja e Ligjit për Paga në buxhetin e këtij viti. Ligji për Paga që është pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, ka shqetësuar në masë të madhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, të cilët kanë paralajmëruar grevë gjithëpërfshirëse në arsim.

Pesë sindikata pritet që sot ta takojnë kryeministrin e vendit Albin Kurti, me kërkesën që të sigurohet zbatimi i Ligjit të ri të Pagave dhe përfshirjen e tij në projektbuxhetin për vitin 2020.

Kryetari i Sindikatës së e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj nuk përjashtoi mundësinë e grevës dhe veprimeve të tjera në rast se nuk merret parasysh kjo kërkesë.

“Ne pesë sindikatat, SBASHK, duke përfshirë Sindikatën e Shëndetësisë, Doganave, Policisë dhe atë të Zjarrfikësve jemi vazhdimisht në një bashkëpunim për t’i koordinuar aktivitetet, ku me një takim të përbashkët iu kemi drejtuar kryeministrit të vendit Albin Kurti me kërkesën që të takohemi me të dhe të vërtetojmë se në Projektligjin për buxhetin e vitit 2020, Ministria e Financave të ketë të paraparë buxhet për ta mbështetur gjegjësisht për ta zbatuar Ligjin e Pagave, ku ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese më në fund edhe do të deklarohet që ky ligj mund të zbatohet”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se në rast se Ministria e Financave nuk do ta përfshinë Ligjin e Pagave në projekt buxhet, atëherë situata do të jetë ndryshe.

“Ne kemi pasur takim edhe me kryetarët e niveleve komunale dhe të universitetit dhe ata duke përzgjedhur mesazhin nga anëtarësia e jonë, kanë thënë se në qoftë se qeveria do të vepronte ashtu apo nuk do të planifikonte mjete financiare për ta mbështetur Ligjin e Pagave, atëherë gjasat janë shumë të mëdha që duke e dëgjuar zërin e punëtorëve të arsimit do të veprojmë me veprime sindikale për çka do të vendos këshilli drejtues, si organi më i lartë, i SBASHK-ut”.

Ligji për Paga në sektorin publik për Shërbyesit Civil u miratua një vit më parë, më 2 shkurt 2019, në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se në shenjë pakënaqësie për këtë projektligj, për tri javë rresht patën hyrë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of