Dhjetëra punëdhënës britanikë, të cilët eksperimentuan javën e punës me katër ditë, kanë vendosur ta vijojnë atë, pas një projekti pilot, i cili u mirëprit si një zhvillim nga aktivistët për një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj private
Punonjësit e 61 kompanive britanike punuan mesatarisht 34 orë në katër ditë, mes qershorit dhe dhjetorit 2022, me të njëjtën pagë. Nga këto, 56 kompani, ose 92% zgjodhën ta vijojnë atë, 18 prej të cilave, përgjithmonë.
Sipas Autonomy, një shoqëri kërkimesh me seli në Britaninë e Madhe, që publikoi raportin së bashku me një grup akademikësh dhe me mbështetjen e grupit neozelandez 4 Day Week Global, ky është eksperimenti më i madh në botë.
Edhe pse rezultatet mund të duken interesante për kompanitë që luftojnë për të tërhequr talentet më të mira, studime të tjera tregojnë se vetëm pak punëdhënës të tjerë në Britani kanë në program së shpejti një javë pune me katër ditë.
Eksperimenti i Autonomy përfshinte 2.900 punonjës në sektorë të ndryshëm, nga shoqëria financiare Stellar Asset Management te prodhuesi dixhital Rivelin Robotics, deri te një dyqan peshku dhe patatesh të qytetit-port Wells-next-the-sea.
Pjesa më e madhe bien dakord me faktin se produktiviteti është ruajtur. Personeli deklaroi se mirëqenia dhe ekuilibri mes jetës profesionale dhe asaj private janë përmirësuar, ndërkohë që të dhënat treguan se punonjësit ishin më pak të prirë të linin punën, falë politikës së javës me katër ditë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për lëvizjen në favor të javës me katër ditë pune” – deklaroi Joe Ryle, drejtues i fushatës për javën e punës me katër ditë.
Më shumë punë e bërë për pak kohë
Paul Oliver, drejtuesi operativ në Citizens Advice Gateshead, tha se ruajtja e vendeve të punës dhe rekrutimi ishin përmirësuar dhe nivelet e sëmundjeve ishin ulur gjatë periudhës së provës.
“Stafi po bën më shumë punë në më pak kohë” – tha ai.
Për disa punonjës, dita shtesë e pushimit ishte më e rëndësishme se paga: 15% thanë se asnjë shumë parash nuk do t’i shtynte ata në një javë me pesë ditë. Disa punonjës e kishin pushim ditën e mërkurë, ndërsa të tjerët kishin një politikë treditore të fundjavës.
Punëdhënësit nga sektorët e marketingut dhe reklamave, shërbimeve profesionale dhe bamirësisë ishin më të përfaqësuar në eksperiment. Rreth 66% e pjesëmarrësve kishin 25 ose më pak punonjës, ndërsa 22% kishin 50 ose më shumë punonjës. 11% nuk ishin jo-fitimprurës.
Kjo provë pasqyron shqyrtimin e dyshimtë për mënyrën se si njerëzit punojnë, veçanërisht që nga pandemia COVID-19, kur skemat e pushimit dhe periudhat e detyrueshme të punës nga shtëpia nxitën shumë punonjës të pyesin nëse duhej të ishin në zyrë pesë ditë në javë.
Në vitet e fundit, disa korporata të mëdha ndërkombëtare kanë provuar një qasje katërditore dhe kanë raportuar gjithashtu rezultate të suksesshme.
Microsoft (MSFT.O) zbatoi një program pilot në Japoni për një muaj në 2019, ndërsa gjigandi i mallrave të konsumit Unilever (ULVR.L), bëri një provë njëvjeçare në Zelandën e Re në 2020.
Megjithatë, korporatat britanike duket se nuk janë të prira ta përqafojnë këtë risi. Kur Instituti i Kartës i Personelit dhe Zhvillimit (Chartered Institute of Personnel and Development, CIPD), që përfaqëson profesionistët e burimeve njerëzore, anketoi anëtarët e tij vitin e kaluar dhe zbuloi se shumë pak punëdhënës presin të zbatojnë javën katërditore në tre vitet e ardhshme.
Dy të tretat nuk prisnin asnjë ndryshim në dekadën e ardhshme. Sidoqoftë, provat se ajo ndihmoi në mbajtjen e stafit, mund të rezultojë e fuqishme për kompanitë që luftojnë për të rekrutuar punëtorë që nga pandemia. Britania ka një ndërlikimi të shtuar në këtë çështje, për shkak të largimit të saj nga Bashkimi Europian.
“Kjo duhet të na japë një avantazh konkurrues” tha një drejtues i lartë në një kompani sigurimesh për provat e përftuara nga zbatimi i javës katërditore. / Reuters