Shqipëria është një ndër vendet me cektësi financiare, ndaj edukimi financiar i brezave të rinj po shihet si një pikë e fortë nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave për të sjellë një qasje tjetër të popullsisë ndaj sistemit financiare.
Në këtë kuadër sot u zhvillua një konkurs me rreth 200 nxënës nga të gjitha shkollat e vendit për të testuar njohuritë në fushën financiare. Dy fituesit e këtij quiz-i do të përfaqësojnë Shqipërinë në Bruksel në një tjetër event që do të zhvillohet mes të muajit maj.
Konkurrentet u ndanë në 149 skuadra me dy persona, duke përfaqësuar shkollat në të gjithë vendin.
Kjo është hera e dytë që zhvillohet “quiz”- i për javën globale të parasë, event që ndodh në të gjithë shtetet e Europës, tradite që po e ndjek edhe Banka e Shqipërisë prej dy vjetësh në Shqipëri.
Nxënësit duhet të zgjidhnin formula të vështira për problema me pagesën e normave të interesit të kredisë, apo zbatimin e mënyrës së taksimit.
Më shumë se gjysma e nxënësve iu është përgjigjur saktë të gjithë pyetjeve, fitoren e përcaktoi koha e dhënies së përgjigjeve.
Konkursi u zhvillua në kohë reale përmes një platformë ku nxënësit zgjidhnin përgjigjen nga smart –phoni i tyre. Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë fitoi vendin e parë dhe të tretë, ndërsa të dytët u renditën nxënësit e shkollës “Sotir Gura” në Korçë.
Fituesit e vendit të parë do të përfaqësojnë Shqipërinë në muajin maj, në konkursin që do të zhvillohet mes të gjitha shteteve të Europës në Bruksel.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.