President i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se këtë javë do të ndërmarrë hapat për formimin e Qeverisë së re. Thaçi ka theksuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se këtë javë do t’i ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka treguar se Qeveria e re do të jetë me legjitimitet të plotë nga Parlamenti, e aftë për ta luftuar përhapjen e Covid-19 dhe për t’i shërbyer popullit.
“Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për ta forcuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ndaj Kosovës”.
Për këtë postim Thaçi e gjeti mbështetjen tek i përzgjedhuri special i Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar në dialogun Kosovë – Serbi, RichardGrenell, i cili ka shtuar se porsa të hiqet taksa dhe masa e reciprocitetit, menjëherë do të fillojë dialogu në mënyrë intensive.
“Pasi të bien tarifat / reciprociteti (mbase këtë javë?), Atëherë Dialogu fillon me zell. Unë kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim sot në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë”.
Këto deklarime u kundërshtuan nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. I pari me reagim ishte zëvendëskryeministri HakiAbazi i cili tha se Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të veprojë si mbret i Kosovës.
“Nuk mundet Thaçi të negociojë lirinë e tij me fatin e shtetit. Jemi shumë, jemi bashkë, jemi në të drejtë dhe jemi të pathyeshëm në mbrojtjen e demokracisë, pavarësisë, territorit dhe kushtetutës së vendit”.
Reagim pati edhe nga Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, eurodeputetja Viola vonCramon-Taubadel, e cila ka thënë se ndoshta RichardGrenell nuk është në dijeni, por tarifat prej 100 për-qind tashmë janë të hequra nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin.
“Ndoshta gjë e re për të, por tarifat janë hequr nga Qeveria në detyrë dhe Kryeministri i saj Albin Kurti. Nëse dikush është i interesuar të udhëheqë një dialog, ai/ajo mund të fillojë me Qeverinë e Kosovës në çdo kohë. Nuk ka nevojë ta rrëzosh atë në një krizë pandemike”.
Që nga mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti që u mbështet nga 82 deputetë më 25 mars 2020, Presidenti Hashim Thaçi ia ka kërkuar emrin e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për ta formuar Qeverinë e re. Mirëpo Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje që të kalojë situata e krijuar nga Covid-19 dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje.
Nga 1 prilli me vendim të Qeverisë në detyrë, mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë liruar nga tarifa prej 100 për qind.
Taksa 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Taksën 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.
Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.
Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.
Ky reciprocitet në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.