Drejtorja e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato ka njoftuar këtë të enjte dorëheqjen e saj nga posti që mbante duke argumentuar se kjo vinte në një kohë kur ajo ishte akuzuar nga një kompani private për një procedurë dhe se përballja me akuzat dhe procesin ligjor po vështirësonte detyrën e saj të përditshme.
“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.
Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).
Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.
Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.
Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.
Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku” shkroi Qato në faqen e saj në rrjetin social Facebook.
Javëve të fundit zhvillimet që kanë pasur në qendër ARRSH kanë qenë të shumta nisur që nga problematika me rrugën Krdhiq-Delvinë e deri tek përplasja e të dhënave mes një kompanie që ka koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe vetë institucionit. Qato mbante pozicionin e kreut te ARRSH qe nga janari 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.