Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen, Steve Jobs shpesh ka pasur ndikim polarizues te njerëzit me personalitetin e tij autoritar. Biografi Walter Isaacson, i cili e ka intervistuar atë më shumë se 40 herë, shkruan se ka parë tek ai dy Steve – “Steve i mirë” dhe “Steve i keq”.
Si bashkëthemelues i Apple, “Steve i mirë” u bë edhe më i mirë si lider, pasi ai e kuptoi qartësisht vendin e tij në epokën e informacionit duke krijuar produkte të Apple, pa të cilat sot nuk mund të jetojmë.
Në këtë pikë, Jobs ka thënë: Nuk ka kuptim të punësosh njerëz të zgjuar dhe t’u tregosh atyre se çfarë duhet të bëjnë; ne punësojmë njerëz të zgjuar në mënyrë që ata të na tregojnë se çfarë të bëjmë.
Gjëja më e mirë që mund të bëjë një lider është që të mos jetë qëllimisht personi më i zgjuar në një dhomë. Thjesht punësoni njerëz më inteligjentë dhe bëni mënjanë.
Menaxhimi i punonjësve inteligjentë, të mirëpaguar, megjithatë nuk është një detyrë e lehtë, duke qenë se pjesës më të madhe prej tyre nuk u pëlqen të komandohen. Këshilla që na ka dhënë Steve Jobs në këtë rast është t’i drejtoni ata (mos i komandoni), ashtu siç do të bënit me këdo tjetër – Vlerësojini njerëzit si qenie njerëzore të vërteta.
Ashtu si gjithë artistët e mëdhenj, njerëzit inteligjentë janë krenarë për punën e tyre dhe duan t’u shërbejnë më së miri klientëve. Ata gjithashtu duan të rriten dhe të arrijnë mundësi të reja përgjatë rrugëtimit profesional.
Më poshtë janë dy mënyra se si liderët mund të përfshijnë dhe të frymëzojnë punonjësit më inteligjentë që të japin më të mirën në punë.
1.Jepuni liri dhe autonomi
Në ditët e sotme, stilet e drejtimit hierarkik nga lart-poshtë, që drejtojnë trafikun me një sens unik, pa një input, do të shkatërrohen, mbi të gjitha sepse punonjësit inteligjentë dinë më shumë se drejtuesit e tyre në fushën e specializimit. Ju duhet t’u jepni atyre çelësat për të menaxhuar veten; jepuni mundësinë që të zgjidhin problemet, për t’u ofruar një përvojë më të pasur klientëve; pasi me shumë gjasa ata i dinë më mirë nevojat e klientëve se vetë menaxherët, pasi janë më pranë tyre.
2.Sigurohuni që ata të ndihen të dëgjuar
Ndërtimi i marrëdhënieve personale me punonjësit inteligjentë është mënyra më e mirë për t’u siguruar që ata të ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të kuptuar. Kjo do të thotë që liderët më të ndjeshëm do të dëgjojnë nevojat e tyre, do të pyesin se çfarë ka më shumë rëndësi për ta dhe do të gjejnë një mënyrë për t’i zhvilluar në drejtimin që duan të shkojnë për t’i mbajtur ata.
Kini parasysh që nevojat e një personi inteligjent nuk ndryshojnë nga pjesa tjetër prej nesh. Ato janë: të bëjnë një punë me kuptim, të ndihen të respektuar dhe t’u njihet vlera për punën që bëjnë, të bashkëpunojnë në një kulturë me vlerë dhe në fund, të sjellin ndikim pozitiv në botë. Kjo, në fund, do të bëjë mrekulli në kompaninë tuaj.
*Marcel Schwantes, Founder and Chief Human Officer, Leadership From the Core
Burimi: INC