Joe Biden përballet me krizë humanitare në kufirin jugor

16/04/2021 10:00 PM 0 komente

Gjëja e parë që vihet re pasi kalohet ura nga Reynosa, në Mexico, Teksas, është një shenjë e madhe e bardhë me shkronja të kuqe të ndezura “BINGO”. Ajo shërben si reklamë për një sallë ku njerëzit mund të luajnë lojën. Por shërben gjithashtu si një kujtesë e fateve dhe rastësive me të cilat përballen njerëzit që emigrojnë për në Amerikë, shkruan The Economist.

Duke shpresuar se fati do të jetë në anën e tyre tani që një president pro-emigrant është në Shtëpinë e Bardhë, një numër në rritje i emigrantëve po mbërrijnë në Amerikë. Njerëz nga Guatemala, Hondurasi dhe Salvadori duan të arratisen nga dhuna, varfëria dhe uraganet. Meksikanët vijnë për t’i shpëtuar një ekonomie në tkurrje. Nga tetori i kaluar deri në shkurt, Dogana dhe Mbrojtja e Kufirit (CBP), e cila ruan kufijtë e Amerikës, hasi rreth 400,000 të huaj përgjatë kufirit jugperëndimor. Ky është numri më i lartë gjatë atyre muajve që nga viti 2006.

Shumë prej tyre janë fëmijë: në tetor-shkurt, rreth 30,000 persona nën moshën 18 vjeç u paraqitën në kufi pa prindër, duke shkaktuar mungesa në shtretër në një sistem tashmë të tendosur nga pandemia. Një rekord prej 120,000 vetash mund të mbërrijë këtë vit – 54% më shumë se në 2019, vitin e mëparshëm të pikut.

Shumë prej atyre që kalojnë kufirin në mënyrë të jashtëligjshme, nuk dallohen ose kapen nga CBP. Matt Robinson, shefi i sigurisë për Fondacionin Lindor, organizatë jofitimprurëse që menaxhon 215,000 hektarë tokë në fermën e Teksasit Jugor (një zonë përafërsisht sa madhësia e qytetit të Nju Jorkut), mendon se po vijnë 10 deri në 20 herë më shumë emigrantë të jashtëligjshëm sesa vjeshtën e kaluar.

Situata “ka ndryshuar kaq shpejt dhe është kaq e çorientuar, saqë po del jashtë kontrollit”, thotë Urbino “Benny” Martinez, sherifi i Qarkut Brooks, i cili është 70 milje në veri të kufirit, dhe ku kanë vdekur mjaft emigrantë për shkak të dehidratimit.

Situata përbën një sfidë të madhe për Joe Biden, i cili u zgjodh pjesërisht falë premtimit për të miratuar politika më njerëzore të emigracionit sesa paraardhësi i tij. Një fluks emigrantësh në kufi mund të mbingarkojnë një sistem të dobët dhe të pengojnë aftësinë e tij për të respektuar atë premtim.

 

 

Amerika është përballur me nivele të larta emigracioni të paligjshëm edhe më parë (shih grafikun), shpesh përtej kontrollit të një presidenti të ri. “Gjithmonë pritej një rritje e emigracionit për shkak të bllokimit që bëri Trump”, thotë Lee Gelernt nga Unioni Amerikan i Lirive Civile. Vitin e kaluar, Donald Trump mbylli praktikisht kufirin nën Artikullin 42, një urdhër i shëndetit publik që autorizoi dëbimin e shpejtë të të gjithë personave që hynin në kufi dhe azilkërkuesve për shkak të shqetësimeve nga Covid-19. Kjo ka rezultuar në pezullimin e kërkesave.

Por disa emigrantë po vijnë sepse veprimet e zotit Biden mund të kenë krijuar përshtypjen se Amerika nuk ka ndër mend të zbatojë ligjet e saj të emigracionit dhe do të heqë dorë nga politikat nacionaliste të zotit Trump në lidhje me sigurinë e kufirit. Në janar, administrata e Biden urdhëroi një ndalim 100-ditor të deportimeve të emigrantëve të paligjshëm që kanë ardhur tashmë në Amerikë. (Kjo u kundërshtua nga një padi nga shteti i Teksasit dhe një vendim gjykate.) Biden i ka dhënë fund politikës së epokës Trump “qëndroni në Meksikë”, sipas së cilës emigrantët e ardhshëm do të qëndrojnë në jug të kufirit për të pritur procedurat e tyre të emigracionit; rreth 20,000 njerëz së shpejti do të lejohen të hyjnë në Amerikë.

Administrata e Biden e ka mbajtur Artikullin 42, që e lejon të dëbojë më shumë emigrantë të paligjshëm në mënyrë të menjëhershme. Ajo ka zgjedhur të pranojë të mitur të pashoqëruar, pavarësisht nëse ata kualifikohen për azil apo jo. Disa familje i kanë dërguar fëmijët në Amerikë sepse kështu kanë më tepër shanse për t’u pranuar. Pasi u përplas me politikën e “tolerancës zero” të administratës Trump, që rezultoi në ndarje familjare, zoti Biden po përballet me familje që zgjedhin të ndahen vullnetarisht për të dërguar fëmijët në Shtetet e Bashkuara.

 

Zëra që qarkullojnë

“Janë përhapur zërat se ne i kemi hapur dyert e kufirit”, thotë Neal Wilkins, i cili drejton Fondacionin e Lindjes. Norma Pimentel, e cila drejton Bamirësitë Katolike të Luginës së Rio Grande dhe bashkëvepron me shumë prej familjeve të mbërritura, fajëson “krimin e organizuar” për përhapjen e mesazhit se tani është koha për të ardhur. Kontrabandistët po përdorin ndryshimin e administratës për të nxitur biznesin e tyre. Nga Amerika Qendrore ata kërkojnë 10,000 dollarë, që përfshin një “kajotë” për t’i drejtuar nëpër terrene të ashpra dhe tre përpjekje, nëse largohen nga Patrulla Kufitare në dy përpjekjet e para. Shumë familje shpresojnë të shkojnë në kufi për të filluar procesin e azilit.

Në javët e fundit, më shumë familje janë lejuar për shkak të një vendimi nga qeveria meksikane për të ndaluar marrjen e familjeve me fëmijë të vegjël që CBP është përpjekur të dëbojë. Në pritje të testeve negative Covid-19 (Artikulli 42 mbetet në fuqi), familjet transferohen në Luginën e Rio Grande pa pasur nevojë të bëjnë një kërkesë për azil, ndërsa familjet me fëmijë më të mëdhenj se shtatë vjeç, ndalohen. Ata që rezultojnë pozitivë dërgohen nëpër hotele për t’u karantinuar.

Organizatat Bamirëse Katolike të Luginës së Rio Grande po ndihmojnë rreth 700 familje të reja çdo ditë në strehën e tyre në McAllen, përballë stacionit të autobusëve. Korrespondenti i The Economist ishte atje ndërkohë që një tjetër duzinë emigrantësh mbërritën tek Patrulla Kufitare. Të gjithë kishin fëmijë të vegjël me vete, disa vetëm disa muajsh. Kjo nxit idenë dhe lajmet se kufijtë e Amerikës po hapen, gjë që i inkurajon të tjerët të vijnë. Fëmijët përmenden më tepër nëpër gazeta, por Andrew Selee, presidenti i Institutit të Politikave të Emigracionit, thotë se “ka shumë më tepër prindër me fëmijë sesa të mitur të pashoqëruar”.

Sistemi është i mbingarkuar. Sistemi amerikan i emigracionit u krijua kur njerëzit beqarë, kryesisht burra meksikanë, po përpiqeshin të kalonin kufirin për të gjetur punë. Në dekadën e kaluar, ka pasur tre ndryshime demografike në kaluesit e kufirit: nga meksikanët tek amerikanët e Amerikës Qendrore; nga beqarët tek familjet dhe fëmijët; dhe nga ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje humanitare tek ata që kërkojnë azil.

Edhe pse azilkërkuesit në kufirin jugor mund të arratisen nga rrethana të dëshpëruara, shumica nuk do të përmbushnin standardin që i lejon të qëndrojnë. Por ata që kalojnë një intervistë e cila provon “frikën e besueshme” shpesh lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që dokumentet e tyre procesohen.

Sistemi i mbingarkuar i emigracionit tani ka 1.3 milionë çështje pezull, rreth dy herë e gjysmë më shumë se numri kur Trump mori detyrën. Zgjidhja zgjat me vite, dhe shumica e emigrantëve zhduken në komunitetet e tyre ndërsa presin. Sipas një studimi nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, midis azilkërkuesve nga vendet e Trekëndëshit Verior të El Salvadorit, Guatemalës dhe Hondurasit, të cilët mbërritën midis viteve 2014 dhe 2019, 28% u riatdhesuan deri në fillim të vitit 2020.

Megjithatë departamenti nuk ka regjistruar asnjë largim për 72% të tjerët. Vetëm 8% u është dhënë një lloj lehtësimi që t’i mbrojë nga dëbimi, por të tjerët ose janë ende në pritje të gjykimeve, ose kanë vendosur të qëndrojnë për një kohë të pacaktuar, edhe pse nuk u lejohet ligjërisht ta bëjnë këtë.

Pjesa më e madhe e barrës për të ndihmuar emigrantët që mbërrijnë në Amerikë, ka rënë prej kohësh tek grupet jofitimprurëse, veçanërisht gjatë valës së mëparshme në vitin 2019 nën presidentin Trump. Por Covid-19 po i mbingarkon shoqëritë bamirëse me sfida të tjera. “Këtë herë do ta kemi shumë më të vështirë, sepse nuk kemi vullnetarë, – thotë Motra Pimentel. Po na mungojnë njerëzit për ta bërë punën siç duhet”. Rruga e Bashkuar e Qarkut El Paso kohët e fundit u kërkoi 100 ish-vullnetarëve të ndihmonin, por vetëm gjashtë thanë se mund të pranonin, thotë nënkryetarja Christina Lamour.

Kjo ndikon në komunitetet përtej Luginës. “Edhe 80 milje larg kufirit, njerëzit preken nga situata”, thotë Susan Kibbe nga Shoqata e të Drejtave të Pronës në Teksasin e Jugut. Disa blegtorë kanë frikë të shkojnë në disa pjesë të tokës së tyre, thotë ajo, pasi janë kërcënuar nga kontrabandistë dhe anëtarë të kartelit. Agjentët që patrullonin më larg në veri janë tërhequr deri në kufi.

Gjatë një udhëtimi 90 minuta me makinë nga Raymondville në Hebronville në Luginën Rio Grande, zakonisht mund të shihen dhjetë oficerë të Patrullës Kufitare dhe gjashtë oficerë nga Departamenti i Sigurisë Publike të Teksasit, llogarit zoti Robinson i Fondacionit të Lindjes. Kur korrespodenti i The Economist kreu këtë udhëtim, ai nuk pa asnjë. Çdo ditë mund të ketë rreth 100 emigrantë që fshihen në Qarkun Brooks, thotë sherifi Martinez, por duke qenë se pjesa më e madhe e Patrullës Kufitare të qarkut është tërhequr në jug, kontrollet lihen pa u bërë.

Një kaos i tillë ka ndërlikime në sigurinë kombëtare. Will Hurd, ish-kongresmen, thotë se organizatat e inteligjencës duhet ta bëjnë përparësi eliminimin e kontrabandës së njerëzve në Amerikën Qendrore. Nuk janë vetëm meksikanët dhe banorët e Amerikës Qendrore që arrijnë përmes kufirit jugor, por edhe të tjerë nga Azia, Lindja e Mesme dhe gjetiu, të cilët kërkojnë të hyjnë të pazbuluar.

Këtë muaj, CBP ka kapur të paktën tre grupe me më shumë se 100 emigrantë secili, përfshirë nëntë rumunë. Përveç njerëzve, kontrabandistët kalojnë edhe droga përtej kufirit. Sa më shumë emigrantë të mbingarkojnë sistemin, aq më shumë kjo shkëput vëmendjen nga detyra e kontrollit të drogës. Midis tetorit dhe shkurtit, konfiskimet e fentanilit u rritën me rreth 360% nga një vit më parë.

 

 

Kush tha çfarë dhe kur?

Konfuzioni në lidhje me politikën kufitare është i madh. Biden ende nuk ka emëruar drejtues të përhershëm në CBP dhe ICE, Kontrollin e Emigracionit dhe Doganave. Një zyrtar ligjor e pyeti korrespodentin e The Economist nëse Artikulli 42 ishte ende në fuqi. Të tjerë nuk janë të sigurt nëse ishin Shtetet e Bashkuara apo Meksika që vendosën të mos i kthejnë pas familjet me fëmijë të vegjël.

Hugo Zurita, i cili drejton Good Neighbor Settlement House, një organizatë jofitimprurëse në Brownsville, thotë se duhet të ketë “më shumë komunikim me Uashingtonin dhe zyrtarët lokalë. Nuk po them që duhet të dimë çdo detaj, por duhet të dimë se çfarë do të ndodhë”. Studimi i kushteve në kufi do të ndihmonte. “Problemi i madh që ne vazhdojmë të kemi me qeverinë është se ata asnjëherë nuk vijnë këtu për të folur me njerëzit që janë në vijat e frontit, të cilët jetojnë dhe punojnë në komunitet”, thotë Dennis Nixon, shefi i bankës IBC, në Laredo, Teksas.

Zoti Biden tashmë ka urdhëruar rishikimin e politikave të ndryshme të emigracionit, nga sistemi i azilit deri tek mënyra e ribashkimit të familjeve të ndara nën zotin Trump. Ai nuk ka shumë kohë. Tashmë grupet për të drejtat e emigrantëve, duke pasur më shumë ndikim se më parë, po bëjnë thirrje që t’i jepet fund Artikullit 42 të imponuar nga Trump.

Por “nëse ata do ta hiqnin këtë masë, sistemi do të mbingarkohej edhe më tepër”, thotë Theresa Cardinal Brown nga Qendra e Politikave të Paanshme, një think-tank. “Tani për tani, Artikulli 42 është e vetmja gjë që po i jep kohë administratës për të vendosur sistemin e emigracionit që dëshiron”. Është diskutuar për krijimin e ambienteve të pritjes që nuk janë vetëm për qëndrim, por që emigrantët të mësojnë më shumë rreth procesit të azilit dhe të marrin informacione: si ato që kanë hartuar disa vende europiane për refugjatët. “Strehët dhe organizatat jofitimprurëse nuk mund të jenë mbështetja e vetme”, thotë zonja Brown.

Në muajt e ardhshëm, Biden do të ndodhet midis dy forcave kundërshtare. Njëri është krahu i majtë i partisë së tij, që është bërë më kërkues në fushën e emigracionit, duke kërkuar masa të tilla si heqja e doganave dhe mosmbajtja e të miturve të pashoqëruar.

Krahu tjetër janë republikanët, të cilët kanë sinjalizuar se synojnë ta përdorin kufirin si një argument kyç për të marrë përsëri shumicën e Kongresit në zgjedhjet e ndërmjetme në vitin 2022. Në qoftë se Biden nuk mund të tregojë se po e përballon me sukses valën e emigrantëve dhe po zotëron partinë e tij, kufiri mund t’i kushtojë demokratëve humbjen e vendeve, ashtu si thirrjet për “heqjen e fondeve për policinë” në vitin 2020.

Problemet kufitare gjithashtu paraqesin kërcënim për axhendën e vetë zotit Biden. Ai dëshiron reforma gjithëpërfshirëse në emigracion, duke u ofruar emigrantëve të paligjshëm tashmë në Shtetet e Bashkuara, një rrugë drejt statusit ligjor dhe mbështet dhënien e shtetësisë për “ëndërrimtarët” (dreamers), të cilët u sollën në Amerikë kur ishin fëmijë të vegjël.

Por këto perspektiva zbehen kur rritet vala e emigrantëve. “Çdo politikë që po përpiqemi të miratojmë në lidhje me emigracionin, është në rrezik më të madh, në varësi të kushteve aktuale në kufi”, thotë Woody Hunt, një biznesmen nga Teksas, i cili, së bashku me një grup udhëheqësish biznesi, mbështet ofrimin e statusit të përhershëm për “ëndërrimtarët”. Për Biden, kufiri jugor po bëhet shpejt një moçal moral dhe politik.

Përktheu Lira Muça

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of