Sektori jorezident, i cili përfaqëson detyrimet e huaja të sektorëve të ekonomisë shqiptare, vijon të ruajë nivelin e 23% në totalin e përgjithshëm të mjeteve financiare. Gjatë vitit 2017, gjendja financiare e këtij sektori u karakterizua nga rritja e ndjeshme e aktivitetit në kahun e mjeteve dhe ngushtim në kahun e detyrimeve.
Këto zhvillime rezultuan në thellimin e mëtejshëm të huadhënies neto të këtij sektori, me rreth 102 miliardë lekë, në nivelin 702 miliardë lekë në fund të 2017-s. Në terma relativë kundrejt PBB-së, huadhënia neto e sektori jorezident është thelluar me 4 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 45%.
Në fund të vitit 2017, stoku i mjeteve financiare të sektorit jorezident shënon 1,689 miliardë lekë, në zgjerim me 90 miliardë lekë (ose 6% në terma vjetorë). Ndërkohë, fluksi hyrës nga ky sektor në drejtim të sektorëve të tjerë rezidentë, gjatë vitit 2017, vlerësohet në rreth 155 miliardë lekë, dhe rreth 65 miliardë lekë llogaritet kryesisht efekti negativ i luhatjeve të kursit të këmbimit dhe ndryshimeve të tjera në pozicionin/stok.
Financimi i huaj në formën e huave dhe investimeve në kapital përfaqëson ndër vite dimensionin kryesor të ndërlidhjes së këtij sektori me sektorët rezidentë të ekonomisë shqiptare – respektivisht rreth niveleve 43% dhe 37% në fund të vitit 2017. Huatë u zvogëluan me 9 miliardë lekë dhe, në fund të vitit 2017, vlerësohen në nivelin 719 miliardë lekë. Ndërkohë, investimet në formën e marrëdhënieve në kapital patën dhe rritjen më të ndjeshme gjatë vitit 2017, rreth 100 miliardë lekë, duke kapur vlerën prej 630 miliardë lekësh.
Qeveria qendrore është përfituesi kryesor i financimit të huaj në formën e huave (me 60% të totalit). Nga ana tjetër, sektori i korporatave jofinanciare është përthithësi kryesor i Investimeve të Huaja Direkte (78% e investimeve në formën e investimeve në kapital).
Nga pikëpamja e transaksioneve (fluksi) të zhvilluara gjatë vitit 2017 ndërmjet sektorit jorezident dhe ekonomisë vendase (sektorëve të tjerë rezidentë), mjetet financiare janë shfaqur dinamike, ku ndikimin kryesor e kanë dhënë investimet e kapitalit në sektorin e korporatave jofinanciare (+80% të totalit të transaksioneve).
Përpos kësaj, sektori i qeverisë qendrore ka përbërë +23% të transaksioneve të vitit 2017, si rezultat i zgjerimit të borxhit të jashtëm.
Detyrimet financiare gjatë vitit 2017, stoku i detyrimeve financiare të sektorit jorezident ndaj sektorëve të tjerë rezidentë të ekonomisë shqiptare, pësoi tkurrje me 12 miliardë lekë, në nivelin 986 miliardë lekë në fund të dhjetor 2017. Transaksioni/fluksi i pastruar për efekt të kursit të këmbimit vlerësohet në rreth 30 miliardë lekë. Edhe pse lëvizjet përgjatë instrumenteve financiare janë shumë dinamike, karakteristikë gjatë vitit mbetet preferenca për investime në depozita, kundrejt atyre në letra me vlerë.
Për rrjedhojë, në përbërjen e detyrimeve sipas instrumenteve, peshën kryesore këtë vit e mbajnë investimet në depozita, në rreth 40% të totalit, të cilat zotërohen kryesisht nga Banka Qendrore. Gjatë vitit 2017, stoku i detyrimeve financiare, në trajtën e letrave me vlerë të borxhit, u ngushtua ndjeshëm me 82 miliardë lekë në terma nominalë.
Në të njëjtën kohë, zgjerimi i detyrimeve financiare përmes instrumentit “monedha dhe depozita”, me rreth 88 miliardë në 391 miliardë lekë, u diktua kryesisht nga “investime në depozita të transferueshme” të bankës qendrore dhe bankave të nivelit të dytë. Në fund të vitit 2017, huadhënia neto e sektorit jorezident vlerësohet në 702 miliardë lekë ose 45% e PBB-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.