Ju lutem, më gjeni një shtëpi për të futur kokën!

03/01/2020 10:01 PM 0 komente

Finlanda ka ulur nivelin e të pastrehëve; pjesa tjetër e Europës po dështon në këtë drejtim. Gjetja e strehimit për të pastrehët është me kosto më të lirë sesa të merresh me pasojat e të pastrehëve në rrugë

Koleksioni me shishe hashashi i Tuyas zë një raft të tërë në bibliotekën, që ndodhet në shtëpinë e saj të palyer, edhe pse ajo vetë nuk i konsumon lëndë të tilla narkotike, ajo e bën një gjë të tillë sepse asaj thjesht i pëlqen pamja e tyre. Dobësia e saj, alkooli dhe varësia ndaj ilaçeve, e shndërruan atë në një të pastrehë në kryeqytetin e Helsinkit për një periudhë tre vjeçare. Por që nga viti 2018 ajo po qëndron në apartamentin e saj, falë një strategjie të quajtur “strehimi i pari” me të cilin Finlanda ka ulur në zero nivelin e të pastrehëve, shkruan The Economist.

Akbar nuk ka të njëjtin fat. Muajin e kaluar emigranti afgan qëndroi në një kamp me kushte shumë të këqija, jashtë Parisit. Për dy muaj radhazi, Akbari jetoi në një çadër prej 3.500 migrantësh aziatikë dhe afrikanë, me shpresën se një ditë do të aplikonte për statusin e refugjatit. Tuya dhe Akbar janë në skajet e kundërta të problemit në rritje të numrit të të pastrehëve të Europës. Finlanda është i vetmi shtet europian ku numrat nuk po shënojnë rritje. Në shtetet e tjera të pasura të Europës, përshkallëzimi i kostove të strehimit po detyron gjithnjë e më shumë një numër të lartë njerëzish që të shkojnë në strehëzat e të pastrehëve. Në shtetet me shërbime të dobëta sociale, shumë prej këtyre të pastrehëve përfundojnë në rrugë. Fatkeqësisht, pjesë e një fati të tillë janë edhe emigrantët pa letra.

Edhe pse statistikat mbi numrin e të pastrehëve janë të paqarta, ato mbeten shqetësuese. Nga viti 2010 deri në 2018 qeveria franceze ka dyfishuar hapësirat për akomodim në 146,000 vende, e megjithatë nuk ka mundur të plotësojë kërkesën e lartë të të pastrehëve për të gjetur strehim. Në Spanjë numri i të pastrehëve u rrit me 20.5% midis 2014 dhe 2016. Në Holandë numri i të pastrehëve është dyfishuar në dekadën e kaluar. Në Irlandë, numri i këtyre strehave është trefishuar. Qeveria gjermane vlerëson se niveli i të pastrehëve është rritur me 4 për qind në 2018, në një rekord prej 678,000 të pa strehësh, shumica e tyre emigrantë.

E gjithë kjo ka ndryshuar planet e shumë qeverive. Nëse për vite të tëra ata janë përpjekur që të gjejnë një vend ku të pastrehët të fusin kokën, tani ato po përpiqen të ndjekin strategji si ajo e Finlandës, “strehimi i pari”. E megjithatë, sfidat me të cilat ata po përballen për t’i mbajtur njerëzit larg nga rruga janë shumë të mëdha.

Qasja e parë e me strategjinë “strehimi i pari” filloi në Amerikën e Veriut në vitet 1990. Më parë agjencitë e shërbimit social përdorën një model “shkalle”: për t’u kualifikuar për një banesë të subvencionuar, njerëzit e pastrehë së pari duhej të kontrollonin problemet që kishin me sjelljen (siç janë varësia, krimi ose sëmundjet mendore). Ndërkohë, derisa ata të përfitonin një shtëpi, duhet të pranonin të iknin nga rruga dhe të strehoheshin në strehëzat për të pastrehët. Por të qenët i pastrehë e bën më të vështirë shkëputjen nga varësia ndaj drogës ose largimi nga krimi. Shpeshherë edhe strehët për të pastrehët janë plot me njerëz të rrezikshëm. Edhe pse është shumë më e rrezikshme të flesh në rrugë sesa në këto streha, shumë të pastrehë preferojnë të zgjedhin rrugën. Të pastrehët që flenë në rrugë, shpeshherë grabiten dhe mbi të gjitha sëmuren.

Po, kur qytetet amerikane dhe kanadeze filluan t’i ofronin njerëzve të pastrehë një vend për të jetuar dhe më pas të merreshin edhe me trajtimin e sëmundjeve apo varësive që ata mund të kishin, panë se një strategji e tillë u kursente atyre më shumë para për policinë, burgjet, kujdesin shëndetësor etj.

Në vitin 2008, Finlanda u bë shteti i parë europian që përqafoi strategjinë “strehimi i pari”. Numri i të pastrehëve afatgjatë ka rënë me 21 për qind në rreth 5,500 të pastrehë. (Kjo përfshin edhe ata në strehimore; numri i të pastrehëve që flenë në rrugë është i papërfillshëm, pasi ata do të vdisnin nga të ftohtit.) Të pastrehët kronikë u zhvendosën nga motelet në banesa me kontrata të vëna nën emrin e tyre. Ata e paguajnë qiranë me ndihmën e përfitimeve të qeverisë. Qeveria kursen 15,000 euro (16,500 dollarë amerikanë) në vit në shpenzimet e përgjithshme për secilin person të pastrehë që strehon. Sipas, Juha Kaakinen nga Y-Foundation, grupi më i madh i banesave sociale në Finlandë, strehat apo motelet krijojnë “një lloj kulture të njerëzve të pastrehë”.

Kompleksi ku jeton znj. Tuya, i drejtuar nga Ushtria e Shpëtimit, klasifikohet si “strehim i mbështetur”. Janë rreth 20 persona staf për 87 rezidentë që janë akomoduar aty. Çdo hyrje ka një kuzhinë të sajën, ndërsa kafeneja është e përbashkët për të gjithë. Punonjësit socialë kanë hapur një kartelë për secilin prej rezidentëve ku shënojnë ecurinë e tyre nga dita në ditë, ndërkohë që i përfshijnë ata në aktivitete të ndryshme. Çdo vit mund të ndodhë që disa prej këtyre rezidentëve edhe të diplomohen, por pritshmëritë nga viti në vit po zbehen, shprehet Antti Martikainen, drejtori i këtij kompleksi. Të bindësh një banor problematik që të mos hedhë mbeturina nga dritarja është një fitore më vete.

Por e gjithë kjo kërkon padyshim burime të shumta në dispozicion. Finlanda ka punësuar qindra punonjës të rinj socialë. Në vitin 2017 ajo subvencionoi njësi strehimi publike për qiramarrësit me të ardhura të ulëta, rreth 7,000 njësi më shumë sesa Anglia, me një popullsi me një të dhjetën e madhësisë.

A mundet që edhe shtetet e tjera të mëdha të veprojnë në të njëjtën mënyrë? Në Francë, linja telefonike e urgjencës për strehimin kombëtar (numri 115) merr rreth 20,000 thirrje në ditë. Gjatë “Natës së solidaritetit” që zhvillohet çdo vit në Paris, vullnetarë të ndryshëm dalin në rrugët e kryeqytetit për të mbledhur të gjithë të pastrehët që ndodhen atje, numër ky që në shkurtin e këtij viti arriti në 3.622 njerëz. Të varfrit përballen me rritjen e qirave dhe punësimin e pasigurt, thotë Bruno Morel nga Emmaüs Solidarité, një organizatë strehimi. Çdo vit nga 1 nëntori deri më 31 mars Franca ndalon pronarët e tokave që të dëbojnë prej tyre të gjithë të pastrehët që janë vendosur aty, dhe këtë vit rajoni i Parisit krijoi mbi 7,000 vende të përkohshme strehimi për periudhën e dimrit. Por z. Morel shprehet se ky numër duhet të arrijë deri në 10,000 njësi strehimi. Një problem tjetër është ndarja midis të pastrehëve vendas, për të cilët bashkitë janë përgjegjëse, dhe emigrantëve të cilët janë nën kujdesin e qeverisë kombëtare. Dominique Versini, nënkryetare e Bashkisë së Parisit, fajëson shtetin për kampet e migrantëve: kur qyteti u përpoq të krijojë një qendër pritjeje për t’i strehuar ata, thotë ajo, qeveria e bllokoi atë. (Në nëntor qeveria mbylli kampet dhe transferoi emigrantët në strehimore të përkohshme në zona periferike dhe shumë larg Parisit).

Anne Hidalgo, Kryebashkiakja e Parisit, e shndërroi sallën e pritjes të hotelit de Ville në Paris, në një strehë ku u akomoduan rreth 39 gra të pastreha. Znj. Hidalgo gjithashtu ka forcuar edhe kontrollet ndaj dhënies së banesave me qira në Paris. Ky kontroll ka bërë që çmimet e shtëpive si ato me qira apo edhe ato që janë në shitje të jenë mesatarisht të lira. Por, një nismë e tillë është shoqëruar gjithashtu edhe me një hezitim nga ana e firmave ndërtuese për të ndërtuar pallate apo godina të reja.

Qeveria po ndërton rreth 7500 njësi të reja të strehimit social në vit, por z. Morel thotë se shumë pak prej tyre do t’u jepen të varfërve. Gjermania është më aktive në strehimin e emigrantëve në krahasim me Francën. Por stoku i banesave të saj publike është tkurrur në mënyrë dramatike dhe shtëpitë e ndërtuara me anë të ndihmave qeveritare mund të shiten ose jepen me qira vetëm pas 30 vjetësh.

Berlini, i cili kishte 360,000 njësi të strehimit social në vitet 1990, tani ka vetëm 100,000. Qiratë janë dyfishuar gjatë dekadës së kaluar. Ashtu si në Paris, qeveria gjermane ka ndaluar rritjen e qirave. Problemi i të pastrehëve në Europë ndërthur dy çështje. Ndërtimi i banesave publike është ngadalësuar ndërkohë që çmimet e shtëpive me qira janë rritur shumë shpejt. Nga ana tjetër emigracioni i paligjshëm krijon një popullsi të pastrehë, të cilën shumë vende nuk janë në gjendje që ta akomodojnë. Kjo ka ndikuar që në shumë vende të sabotohet strategjia efikase “strehimi i pari”.

Edhe pse shtete të tilla Franca, Gjermania, Italia, Holanda janë angazhuar të gjitha për të përmbushur më së miri këtë strategji, një pjesë e mirë e programeve të e tyre vazhdojnë të mbeten në kuadër të iniciativave lokale dhe ajo çka është më e keqja shumë prej tyre konsiderohen ende si programe pilote. “Por pse duhet ta quash një strategji të tillë një program pilot, kur të gjithë e dimë fare mirë se ajo funksionon më së miri?”, shprehet z. Martikainen, Drejtori i ndërtesës së ku banon znj. Tuya në Helsinki. Në pjesën më të madhe të Europës, gjërat nuk janë aq të thjeshta saç mund të mendohen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of