Jugu, projektet me vila luksoze dhe porte jahtesh

23/10/2017 4:28 PM 0 komente

Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Territorit, pas zgjedhjeve të qershorit e hapi siparin e saj me një listë të gjatë vendimesh, 27 të tilla, që përfshinin vendime të ndryshme nga hidrocentralet tek fabrikat e sigurisht edhe komplekse turistike.

Ndër vite, KKT ka miratuar disa projekte që janë vendosur kryesisht në zonën e Gjirit të Lalëzit, por edhe në Jug në Palasë. Harta e projekteve me komplekse turistike duket se po plotësohet vit pas viti dhe dy të fundit i përkasin Ksamilit dhe Jalit.

Projekti në Ksamil

E para ndër vendimet e këtyre komplekseve ishte një lejë zhvillimi për objektin “Kompleks Turistik në parcelën 5 dhe 6a, zona kadastrale 2297, në zonën turistike Ksamil, Sarandë”, me subjekt zhvillues shoqëria “Boiken” sh.p.k.

Përfaqësuesit e kompanisënuk ishin të arritshëm për detajet e projektit sipas kontaktit të vënë nëdispozicion, në faqen e tyre zyrtare. Vendimi i KKT nuk paraqet qartë detajet mbi projektin që do të zhvillohet, por ky i fundit duket si vazhdim i një projekti më të hershëm të kompanisë të nisur nga viti 2008 i njohur si Kep Merli. Sipas broshurës, ky kompleks përfshin në vetvete dy gadishuj, atë jugor dhe verior.

Në gadishullin verior, në përbërje janë një hotel me pesë yje dhe vilat detare në anën jugore të tij. Në total parashikohen 207 dhoma, 3 suita luksoze, 3 restorante, 2 bare, një dhomë konferencash, qendër SPA, një port për jahtet dhe 13 vila detare plus 4 luksoze me pishina.
Gadishulli Jugor dominohet nga një hotel-familjar dhe vila mesdhetare që shtrihen poshtë në lindje.

Kjo pjesë përfshin 250 dhoma, suita, bare, restorante, sallë konferencash, amfiteatër, qendër SPA dhe Mirëqenie, 2 porte jahtesh me 90 vende për ankorim, 33 vila mesdhetare, secila me pishinë individuale.

Kep Merli shtrihet në një hapësirë 280 mijë metra katror dhe nga kjo, koeficienti i ndërtimit është sa 7% e totalit. Ndërtimi plotë ende nuk ështëpërfunduar,ndërkohë që synimi është tërheqja e klientelës elitare.

Projekti në Jal

Vendimi i dytë i Këshillit Kombëtar të Territorit në datë 16 tetor ishte dhënia e një leje zhvillimi për objektin: “Kompleks Turistik, Hoteleri dhe Shërbime, me vendndodhje në Jal, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqëria “Soleil & Sea” sh.p.k.

Aktualisht subjekti ka të ndërtuar hotel dhe vila në zonën e Jalit, duke ofruar edhe shërbimin half board në rast se kërkohet nga agjencitë që rezervojnë. Leja e KKT është sërish në Jal duke i hapur rrugë zgjerimit me vila shtesë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of