Keni një ide, doni që të nisni ta zbatoni, por vazhdoni ta shtyni sepse keni shumë frikë, nuk keni mjaftueshëm para apo njohjet e duhura… Por, të gjitha këto janë justifikime sipas Jeff Haden, gazetar i “Inc.com”. Le të njihemi (me ndihmën e tij) me dhjetë “bllokimet mendore” që i pengojnë për të krijuar një sipërmarrje dhe si mund të tejkalohen.
Kam shumë frikë
“Mirë se erdhët në klub. Çdo sipërmarrës ka frikë. Megjithatë mund të zgjidhni nëse do t’ju mposhtë frika ose do ta përdorni si ‘karburant’ për të bërë ç’është e mundur që të mos dështoni. Mbani mend: Mos u kënaqni me jetën tuaj deri sa të keni realizuar ëndrrat tuaja”, shkruan Haden.
Nuk kam njohjet e duhura
“‘Twitter’, ‘LinkedIn’, ‘Facebook’, të gjitha rrjetet të ofrojnë mundësinë që të kontaktosh me këto nga Papa te Bono i U2. Disa persona të famshëm mund të arrihen shumë thjesht (ndoshta ky është sekreti i suksesit të tyre?). Natyrisht mund të mos të të përgjigjen, por në këtë pikë nuk do të jetë më faji yt. Nëse keni një arsye përse po i kontaktoni, jepuni atyre diçka në këmbim, mund të merrni një përgjigje pozitive”.
Është shumë vonë
“Mark Zuckerberg nuk është i vetmi që ka shpikur një rrjet social. Edhe inovatorë të tjerë kanë pasur dikë në krah me një produkt të ngjashëm si i tyre. Inovacioni nuk zgjat përgjithmonë: disa sipërmarrje të mëdha sot po rafinojnë idetë e vjetra që kanë ekzistuar në treg. Nuk do të jeni kurrë vonë nëse dëshironi të përmirësoheni, të bëheni më të shpejtë, më ekonomikë, më konkurrues sesa dikush që ishte para jush”.
Askush nuk ka dëshirë që të më dëgjojë
“Njerëzit janë gati të dëgjojnë gjithçka mjafton që të jetë argëtuese, thumbuese, satirike, e çuditshme, e trishtueshme, seksi. Pra, nëse dikush nuk të dëgjon, nuk është faji i tyre, por i juaji. Do të thotë se ajo që thoni nuk është e rëndësishme. Ndryshoni mesazhin tuaj dhe thoni diçka që të tjerët ta dëgjojnë me kënaqësi. Do ta shihni që do ta bëjnë”.
Nuk kam para
“Ky është arti i sipërmarrjes, të arrihen rezultate me sa më pak para, bashkëpunëtorë dhe kohë. Nuk do të mund të keni kurrë kapital të mjaftueshëm për të bërë atë që dëshironi. Pra, nëse nuk keni para të mjaftueshme për të prezantuar idenë tuaj, atëherë më mirë ndryshoni idenë. Shpesh nuk mund të shtoni atë që keni, në termat e kapitalit, por mund të vendosni ta bëni me atë që keni”.
Nuk kam kohë
“Të gjithë kanë në dispozicion të njëjtin hark kohor. Dallimi ka të bëjë me vendimin për mënyrën sesi do të mbushet: duke folur në rrjete sociale, duke parë TV, duke u marrë me ndonjë hobi, etj. Një sipërmarrës arrin të krijojë prioritete dhe të gjejë kohë për atë që dëshiron. Nëse dëshironi vërtet një gjë, atëherë koha gjendet.
Nëse dështoj…
“Dështimi, veçanërisht nëse përballë keni dikë që duhet t’i jepni llogari (familjarë, miq, klientë, punëtorë) mund të kthehet në një përvojë vërtet të keqe. Njerëzit do të flasin pas krahëve tuaja, por dijeni se ata që do ta bëjnë janë persona që nuk do të guxojnë kurrë në jetë. Të tjerë do të të respektojnë sepse po e provon dhe do të të admirojnë vetëm për këtë. Për kurajën. Dhe e dini përse? Sepse janë edhe ata sipërmarrës dhe kanë shpirtin e atyre që duan t’ia dalin me forcat e tyre. Në fund të fundit, kjo është ajo që vlen”.
Nuk kam ende një produkt perfekt
“Gjithsesi duhet të hidheni në veprim. Bëjeni. Më pas ndoshta do të duhet të ktheheni pas për ta përmirësuar. Shkoni treg, dëgjoni reagimet e konsumatorëve, përvetësoji dhe perfeksiononi ofertën tuaj”.
Nuk mund të rrezikoj
“Çdo rrezik që shfaqet është i kapërcyeshëm. I vetmi rrezik i vërtetë është pendimi. Një ditë mund të zgjoheni dhe të jeni me flokë të bardhë dhe të mendoni: ‘Kush e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse do ta kisha provuar”.
Nuk kam përvojë
“OK, s’ka asnjë problem. Do të mësoni. Navigoni në internet, lexoni një ose dhjetë libra. Flisni me miqtë tuaj. Punoni vullnetarisht pranë një personi që ka njohuri nga sipërmarrja dhe kërkojini në këmbim informacione. A mendoni se është shumë e vështirë? Mjaft u ankuat, nisni me jetën tuaj të re”.
…Shmangni edhe këto gabime
Nëse gjithçka shkon mirë dhe ju e ngrini biznesin tuaj, por shitjet janë të ulëta, atëherë është koha që të kuptoni arsyet. Sipas revistës prestigjioze “Forbes”, janë pesë gabime që bëhen rëndom nga sipërmarrësit. Lexojini dhe mësoni.
Nuk dini sesi t’i prezantoni tregut produktin tuaj
Asnjë sipërmarrës nuk ka lindur me njohuri në çështjet e biznesit: mësohet nga përvoja. Çështja është se shumë njerëz nuk dinë të bëjnë hapa pas. Nëse kuptoni se në çështjet e marketingut nuk jeni i zoti atëherë shpenzojeni kohën tuaj të lirë duke lexuar libra, blogje, artikujt, etj. Nëse keni para për të shpenzuar dhe pak kohë në dispozicion mund t’ia delegoni këtë detyrë dikujt që është më ekspert se ju, ndonjë konsulenti apo profesionisti të lirë.
Nuk i njihni mirë klientët tuaj
Mendoni se i njihni. Keni analizuar të gjitha karakteristikat demografike. E megjithatë ka diçka që ju mungon, që ju lejon të kuptoni se cili është problemi. Duhet të përpiqeni të gjeni zgjidhjet e duhura. Ndoshta mund të bëni disa kërkime marketingu, por gjithsesi nuk mjaftojnë. Flisni me klientët tuaj, bëjuni atyre pyetje në rrjetet sociale. Shndërrojini të dhënat dhe numrat në jetë dhe nevoja.
Mendoni se SEO nuk është punë për ju
Nuk ka rëndësi nëse jeni një biznes i vogël apo një sipërmarrje që eksporton, një fushatë SEO (Optimizimi i motorit të kërkimit) është i nevojshëm për të “kapur” klientë të rinj. Janë pikërisht fjalët kyçe që përdor në rrjet dhe që vendos në kontakt me ata që kanë nevojë për ty. Çfarë duhet të bëni nëse dini pak gjëra?
Edhe këtu është çështje parash dhe kohe. Nëse keni kohë në dispozicion atëherë mësoni taktikat e SEO-s, ka artikuj në ueb që mund t’ju ndihmojnë. Në të kundërt, punësoni një profesionist që do t’ju ndihmojë të përmirësoni konkurrencën tuaj online.
Mendoni se keni një përgjigje për gjithçka
E kotë që ta mohoni. Ka një dozë të madhe egoizmi te çdo sipërmarrës. Dhe ndoshta edhe ti mendon se mund të bësh gjithçka nga projektimi e deri te menaxhimi i financave. Këtu çështja qëndron te besimi në një staf, për t’i besuar çdo anëtari të skuadrës. Tek e fundit, i keni punësuar dhe duhet të ketë një arsye përse e keni bërë.
Nuk dini sesi të menaxhoni rritjen
Nuk e prisnit një rritje të tillë. Shitjet janë rritur dhe nuk po arrini t’i menaxhoni. Duhet të jeni gati të veproni me zgjuarsi. Në radhë të parë, punësoni staf të ri dhe mbuloni sektorët ku ka mangësi. Është shumë e rëndësishme që të ketë efikasitet në departamentin e “kujdesit ndaj klientit”: aty lind dhe zhvillohet imazhi, por mund edhe të “vdesë”.