Intervistë me Brunilda Kostare, specialiste ligjore në Shoqatën Shqiptare të Bankave
Në një intervistë për “Monitor”, specialistja ligjore e Shoqatës, Brunilda Kostare, shpjegon se pengesat ligjore lidhen kryesisht me nënshkrimin elektronik të kontratave dhe hapjen e llogarive në distancë.
Në lidhje me projektligjin e ri për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, një nga shqetësimet kryesore të Shoqatës së Bankave është mosnjohja e certifikimit të Ofruesve të Besuar të Shërbimit të Kualifikuar nga vendet e Bashkimit Europian.
Një parashikim i tillë nuk do të mundësojë që kompani të mirënjohura, të certifikuara në BE, të ofrojnë këtë shërbim në vendin tonë.
Cilat janë pengesat kryesore ligjore për të mundësuar ofrimin e plotë të shërbimeve bankare dhe financiare në distancë, pa praninë fizike të klientit?
Për të parë pengesat ligjore në lidhje me shërbimet bankare në distancë duhet që veprimet që klienti kryen në banka t’i ndajmë në dy grupe:
- Kur klienti ka llogari në bankë, çdo veprim mund ta bëjë online nga llogaria, me përjashtim deri tani të pagesës së shërbimeve publike dhe nënshkrimit elektronik të dokumentit.
- Kur një klient nuk ka llogari në bankë, nuk mund ta hapë atë pa praninë fizike.
Nga sa më sipër, ende nuk janë zgjidhur pagesat për shërbimet publike pa prani fizike, nënshkrimi elektronik i kontratave dhe hapja e llogarive në distancë. Dy të fundit kërkojnë rregullim ligjor, kurse për të parën, jemi duke punuar për t’ia mundësuar publikut.
Sektori financiar, së fundmi, ka eksploruar zgjidhje për të mundësuar ofrimin e shërbimeve financiare pa praninë e klientit (p.sh. hapjen e llogarive). Cilat janë rrugët që janë përdorur dhe si e vlerësoni përvojën e deritanishme në këtë drejtim?
Për momentin, ende nuk mund të hapet një llogari nga bankat pa praninë fizike të klientit.
Identifikimi elektronik është parashikuar dhe rregulluar në projektligjin në fjalë, por mbetet ende e parregulluar me akte ligjore /nënligjore hapja e një llogarie bankare (klienti i ri), kjo pasi ende mungon rregullimi me akte ligjore dhe nënligjore mbi identifikimin elektronik të klientëve të rinj për bankat, në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Pra, mbetemi në pritje të parashikimeve / njohjes së identifikimit elektronik të Klientit të Ri për bankën për vendosjen e marrëdhënies së biznesit nëpërmjet identifikimit elektronik, në kuadër të AML-së.
Cilat janë risitë kryesore që sjell projektligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, në perspektivën e lehtësimit të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në distancë?
Projektligji ka bërë përafrimin e legjislacionit vendas me Rregulloren (BE) nr. 910/2014 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 23 korrik 2014 “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm”.
Cilat janë vërejtjet tuaja kryesore rreth projektligjit dhe në cilat drejtime mendoni se drafti mund të përmirësohet?
Një nga shqetësimet kryesore lidhur me këtë projektligj është mosnjohja e certifikimit në vendet e BE-së të Ofruesve të Besuar të Shërbimit të Kualifikuar, duke shtuar/parashikuar hallka të reja si marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe vendeve individuale të BE-së.
Një parashikim i tillë do të dekurajojë dhe nuk do të mundësojë që kompani të mirënjohura dhe me reputacion të certifikuara në BE, të ofrojnë këtë shërbim në vendin tonë.
Si pasojë, institucionet financiare dhe jo vetëm, të cilat synojnë të ofrojnë shërbime dixhitale, nuk do të munden të bazohen në ekspertizën e këtyre ofruesve me reputacion, që garantojnë sigurinë dhe cilësinë e shërbimit dhe do të jetë konsumatori shqiptar ai që do të vuajë kufizimet e këtij ligji.
Theksojmë se ky ligj duhet të njohë ofruesit e shërbimeve të akredituar në BE, sipas standardeve të BE-së, ashtu siç parashikohet dhe në ligjin “Për shërbimet e besuara”, i cili do të shfuqizohet pas miratimit të ligjit të ri.
Mungon përcaktimi se si do të bëhet vërtetimi i kopjes në letër të dokumentit elektronik. Deri më tani, kjo procedurë është e rregulluar /parashikuar në ligjin Nr. 10 273, datë 29.4.2010 “Për dokumentin elektronik”, përkatësisht në nenin 10 dhe 11, por që me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet.
Mungon një parashikim eksplicit për mënyrën dhe domosdoshmërinë e nënshkrimit elektronik të kontratës nga të dyja palët.
Kjo mangësi e lë të parregulluar dhe e bën të interpretueshëm se si do të nënshkruhet elektronikisht kontrata nga palët. (Një parashikim i tillë për nënshkrimin elektronik, mënyrën e nënshkrimit elektronik të kontratës nga palët ekziston në ligjin nr. 9880 “Për nënshkrimin elektronik”, Neni 5, Nënshkrimi elektronik i kualifikuar i kontratës “Nëse veprimi juridik është një kontratë, atëherë secila prej palëve duhet të nënshkruajë të njëjtin dokument me nënshkrimet elektronike të kualifikuara përkatëse.”)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.