Flet Haxhi Maleci, Baresha
Zhvillimi i sipërmarrjeve që kanë tiparet e agroturizmit ka qenë në rritje të vazhdueshme madje edhe gjatë kohës së pandemisë.
Haxhi Maleci hapi në kulmin e pandemisë qershor 2020, “Bareshën”në Reç të Malësisë së Madhe, që ofron jo vetëm shërbimin e restorantit sipas kërkesave të agroturizmit tipik, por edhe akomodimin.
Pavarësisht kësaj, ai nuk ka kërkuar të certifikohet, pasi mendon se ka ende punë për të bërë, ndërkohë që e kufizon infrastruktura e dobët ku nuk është vënë dorë, si dhe rrjeti i dobët energjetik. Nëse këto do të plotësohen ai mendon se e gjithë zona ka potencial të zhvillohet.
Ju jeni një biznes relativisht i ri që ka tiparet e një agroturizmi dhe i çelur në kulmin e pandemisë në vitin 2020. Si lindi kjo sipërmarrje?
Ne jemi hapur më 26 qershor të vitit 2020 kur sapo u hoqën kufizimet që ishin vendosur në kohën kur nisi pandemia. Në muajt e vështirë të karantinës u përqendruam tek sistemimi i gjërave të nevojshme. Rastësia e donte që të nisnim punën në kohën e pandemisë, por projekti ynë ka filluar shumë më herët, që në vitin 2017.
Kemi bërë investimet e nevojshme vit pas viti për të arritur tek ajo që jemi sot. Gjithçka është ndërtuar në një tokë të trashëguar nga gjyshi tek babai im dhe më pas tek ne.
Ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja që të merrte këtë formë për shkak të nostalgjisë dhe lidhjes shpirtërore që kam me këtë vend, ku kam kaluar verën gjatë fëmijërisë sime, pasi ne jetojmë në Shkodër.
A nuk ju stepi disi pandemia për të nisur punën në kulmin e saj?
Pandemia ishte problem, por menduam se ndoshta njerëzit duke qenë mbyllur për muaj me radhë dhe larg natyrës do të donin të dilnin. Ne jemi në një ambient të hapur në fshat, mes gjelbërimit dhe ashtu siç e menduam pati interes menjëherë.
Hapja në atë kohë rezultoi me sukses. Nga ai moment rritja ishte e menjëhershme për frekuentimin dhe pastaj kemi qenë në vijë të drejtë pra mbetemi stabël. Meritë e kësaj është sidomos vendi që ka shumëllojshmëri pemësh të paprekura si kumbulla, mollë, dardha, arra, lajthi, gështenja për të cilat zona e Reçit ka edhe emër. Kjo zonë pjesë e Malësisë së Madhe njihet për prodhimtarinë e lartë, por edhe për blegtorinë dhe numrin e lartë të krerëve të bagëtive.
A keni pasur rritje të kostove gjatë aktivitetit tuaj pasi ka shumë sektorë që po përjetojnë diçka të tillë?
Ka pasur një rritje çmimi këtë vit pra gjatë 2021 për mishin që ka qenë më e dukshme. Ky mbetet edhe bazë i konsumit, sipas llojeve pra i viçit, kecit dhe qengjit. Pjesa tjetër pastaj janë prodhime të zonës dhe ndikimi nuk ka qenë shumë i lartë.
Cila është baza e asaj që ofroni ju në strukturën tuaj?
Ne kemi shërbimin e restorantit, por edhe akomodimin në katër dhoma. Sa i takon asaj që kemi kryesore në shërbimin e restorantit jemi besnikë të traditës dhe produkteve të zonës. Për të siguruar produktet bashkëpunojmë me fshatarët.
Perimet, frutat zarzavatet sigurohen në këtë rajon. Edhe mishin e marrim nga tufat e kësaj zone. Kemi të angazhuara dhjetëra familje ndërkohë që për djathin janë të paktën tre vende ku kemi prodhim të dedikuar. Gjatë verës marrim qumështin dhe prodhojmë edhe vetë djathin e shtëpisë.
Kemi nxitur familje për të marrë tokë me qira dhe për të prodhuar për ne, duke krijuar kështu zinxhir. Në strukturë janë 7 persona të punësuar ndërkohë që kryesisht me menaxhimin merret bashkëshortja dhe me ndihmën time.
Cilët janë turistët të cilët ju frekuentojnë dhe periudhat me kërkesën me të lartë?
Shumica e atyre që vijnë për të na vizituar janë shqiptarë, por ka interes edhe nga të huajt. Ne kemi bërë një test, duke e nxjerrë në platformën Booking dhe kemi pasur rezervime. Periudhat me më shumë frekuentim janë vera dhe vjeshta.
Duke qenë një biznes i ri dhe në një zonë rurale, a hasni probleme me infrastrukturën apo me aspekte të tjera gjatë aktivitetit?
Po infrastruktura është një problem i madh. Rruga është e pashtruar dhe do të ishte një ndihmë e madhe, jo për biznesin tim, por për fshatin që ndodhet ngjitur ku jetojnë 70 familje. Një investim i tillë për bashkinë ndoshta është i papërfillshëm, por ka shumë rëndësi për zhvillimin e zonës dhe për të rritur vlerën e saj, pasi ka potencial.
Përveç infrastrukturës është problem edhe rrjeti elektrik, që është shumë i dobët. Ne po punojmë çdo ditë për të krijuar standarde dhe për të ofruar shërbim cilësor, por ka nevojë edhe për ndihmë nga shteti, për të rregulluar këto problematika. Ne kemi në plan të aplikojmë për t’u certifikuar si agroturizëm, por si fillim kemi dashur të maturojmë dhe plotësojmë të gjithë kërkesat e nevojshme.
Po vitin 2022 si e parashikoni duke pasur parasysh kushtet?
Jemi optimistë për vitin 2022 dhe mendoj se do të ketë ecuri pozitive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.