Flet Arjan Kadareja PhD, CFA
Eksperti i çështjeve monetare, Arjan Kadareja, thotë se, ajo që realisht e ndikon ekonominë dhe aktorët ekonomikë është norma reale e interesit, d.m.th. norma nominale e interesit pa inflacionin e pritshëm.
Norma reale e interesit është pranë zeros në momentin që flasim, pra është ende stimuluese për ekonominë.
Kjo do të thotë që huamarrësit, individë, qeveri e biznese, me gjithë rritjet e interesave nominale, prapëseprapë kanë ambient favorizues për marrje huash dhe/ose zgjerim aktiviteti, tha ai.
Në terma afatshkurtër, për sa kohë ekonomia shqiptare rritet realisht, borxhi publik do të jetë i stabilizuar dhe madje mund të ulet, shtoi ai.
Banka Shqipërisë sinjalizoi në konferencën e fundit me misionin e FMN-së rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit. Qeveria si një operator i madh në ekonomi po përballet me kosto të larta të financimit të borxhit të brendshëm. Rritja e interesave të letrave të qeverisë është më e shpejtë se rritja e normës bazë të interesit. Si do të ndikohet niveli i borxhit dhe financimi i tij?
Në situatën aktuale është lëvizja e tre faktorëve që më së shumti e ndikon nivelin e borxhit publik ndaj PBB-së: norma e interesit, inflacioni dhe rritja ekonomike.
Norma e interesit është në rritje dhe kjo rrit koston e shërbimit të borxhit. Pra, qeveria do të duhet të paguajë interes më të lartë kur merr borxh të ri për të financuar deficitin buxhetor të vitit, si dhe për të rifinancuar borxhin që maturohet.
Kjo rrit deficitin buxhetor dhe rrjedhimisht, borxhin ndaj PBB-së.
Inflacioni relativisht i lartë vërtet i rrit normat e interesit në ekonomi por, nga ana tjetër, e ul borxhin në raport me PBB-në, sepse rrit (fryn) PBB-në nominale.
Dihet që borxhi është nominal (në terma të parasë) dhe krahasohet me PBB-në nominale.
Rritja reale ekonomike për vitin 2023 nga FMN parashikohet të jetë rreth 2%. Për faktorë të tjerë të pandryshuar, një rritje më e ulët ekonomike e ndikon për keq (në rritje) raportin e borxhit ndaj PBB-së.
Mendoj se në terma afatshkurtër, për sa kohë ekonomia shqiptare rritet realisht, borxhi publik do të jetë i stabilizuar dhe bile mund të ulet.
Në kushtet aktuale, rritja reale ekonomike mendoj se rrezikohet kryesisht nga zhvillimet e ardhshme afatshkurtra në sektorin e energjisë, d.m.th. situata hidrike në Shqipëri dhe çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare, si dhe nga situata e ekonomive të partnerëve tregtarë të Shqipërisë, sidomos e BE-së në përgjithësi dhe Italisë në veçanti.
Sipas jush, cilat janë kostot dhe përfitimet në ekonominë e gjerë prej normave të interesit?
Ajo që realisht e ndikon ekonominë dhe aktorët ekonomikë është norma reale e interesit, d.m.th. norma nominale e interesit pa inflacionin e pritshëm. Norma reale e interesit është pranë zeros në momentin që flasim, pra është ende stimuluese për ekonominë.
Kjo do të thotë se huamarrësit, individë, qeveri e biznese, me gjithë rritjet e interesave nominale, prapëseprapë kanë ambient favorizues për marrje huash dhe/ose zgjerim aktiviteti. Në fund të fundit, norma reale e interesit pranë zeros mat barrën reale që huamarrësit paguajnë për shlyerjen e huasë.
Ata që kanë kursyer dhe investuar kanë të ardhurat reale të ulëta ose humbje, në atë masë që vala inflacioniste ishte e paparashikuar, d.m.th. e pa marrë parasysh në normat nominale të interesit.
Si parashikohet trajektorja e interesave në periudhën afatmesme dhe si duhet të orientohen individët për administrimin e kursimeve të tyre në këtë periudhë?
Mendoj se trajektorja do të jetë në rritje, si për shkak të inflacionit, ashtu edhe synimit për normalizimin e nivelit të normave të interesit. Investuesit, bankat fondet e investimit dhe individët, për arritjen e kthimeve reale pozitive është normale që do të kërkojnë interesa më të larta për huadhënie.
Gjithashtu, banka qendrore e ka rritur dhe duket se do të vazhdojë të rrisë normën e interesit për të ngadalësuar inflacionin e për ta çuar eventualisht në objektivin e saj.
Një objektiv tjetër i bankës qendrore duket se është normalizimi i politikës monetare. Interesi normal afatshkurtër (njëjavor) për ekonominë shqiptare mund të jetë rreth nivelit 4%, ndërkohë me gjithë rritjet e vazhdueshme, norma e interesit e politikës monetare sot ka arritur në 2.25%. Pra duket se ka ende “rrugë” në të përpjetë deri në normalizim.
Mendoj se investuesit nuk duhet t’i ndryshojnë planet dhe objektivat afatgjata të investimeve, për shkak të humbjeve afatshkurtra.
Jam gjithashtu i mendimit se investimet duhet të jenë në fonde të mbikëqyrur nga autoritete publike, të mirëdiversifikuar dhe të menaxhuar nga profesionistë të certifikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.