“Kadastra fiskale, regjistri ka mbi 1.3 milionë pasuri të listuara”

26/10/2019 10:06 PM 0 komente

Albert Gjoka, Drejtor, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë

 

Projekti PorTax, që ka në themel ngritjen e kadastrës fiskale të Shqipërisë që do të shërbejë si bazë për taksën e pronës, ka avancuar dhe deri më sot në regjistër janë hedhur mbi 1.3 milionë pasuri.

Albert Gjoka, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, shprehet për “Monitor” se projekti ka një afat të paracaktuar deri më 2020 në fund të të cilit pritet të jetë finalizuar, përveç sistemit që është funksional, aktualisht edhe metodologjia për përllogaritjen e taksës mbi vlerën e tregut. Ai nënvizon se procesin e ndërlikojnë problematika të tjera të trashëguara, lidhur me pronën të cilat kërkojë angazhim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, prej më shumë se një viti, po asistohet nga pala suedeze për projektin e kadastrës. Në çfarë faze jemi aktualisht me këtë projekt, cilat janë aspektet ku ka vendosur fokusin drejtoria juaj për momentin?

Projekti ProTax është i angazhuar në dhënien e një asistence të vazhdueshme deri në arritjen e objektivit përfundimtar, që është taksimi i pronës bazuar në vlerën reale të tregut. Ky proces, në vende fqinje si Kosova, ka mbi 10 vjet dhe është një proces i ndërlikuar, i cili kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Çështjet e pronësisë në vendin tonë të trashëguar ndër vite si dhe informacioni i lidhur me këto prona ka problematikat e tij. Duhet të theksojmë faktin që taksa e pasurisë është një taksë lokale dhe projekti është duke punuar së bashku me DPTP që t’u mundësojë të gjitha njësive të qeverisjes vendore përmirësimin e bazës së tyre të të dhënave për një taksim sa më të drejtë.

Si ka qenë ecuria e popullimit të regjistrit të kadastrës dhe kur parashikohet të jetë i plotë ky regjistër?

DPTP nuk është e mandatuar me ligj dhe nuk e ka kompetencën për të populluar regjistrin e kadastrës, pasi kjo është një e drejtë dhe përgjegjësi e njësive të vetëqeverisjes vendore. DPTP, së bashku me ProTax, ka vënë në dispozicion një bazë të dhënash të qenësishme, por certifikimi dhe plotësimi i tyre duhet përfunduar nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore. Gjithashtu, DPTP ka ofruar të gjithë ekspertizën e saj për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore për metodat e mbledhjes së informacionit, si dhe trajnimin në aspektin teknik dhe ligjor për çdo punonjës që do të angazhohet me Taksën e pasurisë.

Sa prona janë të regjistruara aktualisht në regjistër dhe cilat baza po shfrytëzohen për popullimin (Agjencia e Kadastrës, OSHEE, ujësjellësit)

Në regjistër ka aktualisht mbi 1,300,000 pasuri në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për pasurimin e tij janë përdorur të gjitha bazat e të dhënave me karakter kombëtar të certifikuar nga institucionet përkatëse. Për shkak të detyrimeve ligjore, si dhe formës së disa prej bazave të të dhënave janë Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore që duhet të certifikojnë informacionin për secilën pasuri.

Ju si drejtori keni qenë aktivë në trajnime dhe workshope me njësitë e qeverisjes vendore, për të kuptuar më mirë metodologjinë dhe reformimin që ka pësuar taksa e pronës. Sa të informuar janë stafet e njësive vendore? Si ka qenë ecuria e punës së tyre?

DPTP dhe ProTax kanë zhvilluar një sërë trajnimesh me Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore gjatë vitit dhe vazhdojnë të ofrojnë trajnime të posaçme për ato njësi të cilat e kërkojnë këtë shërbim, qoftë në ambientet e tyre, apo edhe pranë zyrave tona në Tiranë.

Kur pritet të mbyllet projekti me palën suedeze dhe çfarë do të kemi në fund të këtij projekti si produkt?

Projekti ka një afat të paracaktuar deri më 2020 në fund të të cilit pritet të kemi të finalizuar së bashku me sistemin, i cili tashmë është funksional nga data 1 Janar 2019, edhe metodologjinë për përllogaritjen e taksës së pasurisë mbi vlerën e tregut.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of