Çokollatat dhe ëmbëlsirat me kakao rrezikojnë të na kushtojnë më shtrenjtë, për shkak të një tkurrje të mundshme të prodhimit.
Organizata Ndërkombëtare e Kakaos (ICCO) parashikon që prodhimi global i këtij produkti të bjerë me 8% gjatë sezonit të prodhimit 2011-2012.
Sasia e prodhuar këtë sezon pritet të jetë 3.96 milionë tonë.
Vendet më të varfra si Gana janë “pronarët” e kakaos, produktit shumë të pëlqyer në botën e zhvilluar. I gjithë prodhimi i kakaos është i përqendruar në disa vende të Afrikës,
Amerikës Latine dhe në Lindjen e Largët. Në dhjetë vitet e fundit, tregu global ka shënuar një normë mesatare rritje prej 2% në vit, një nivel më i ulët krahasuar me normën e rritjes së konsumit (3-5%).
Prodhimi i siguruar nga Afrika ka rënë këto vitet e fundit, duke zbehur peshën që zë kontinenti afrikan në produktin bazë për një rrjet të tërë industrish ushqimore.
Gjithsesi, Afrika do të mbetet prodhuesi kryesor i kakaos në botë edhe në të ardhmen. Sipas të dhënave të FAO-s, vitin e kaluar, rreth 65% e kakaos së prodhuar në total erdhi nga Afrika.
Në këtë treg po ruan një peshë të qëndrueshme Lindja e Largët (19%).
Me rënien e prodhimit, këtë vit, pritet të bien edhe rezervat e këtij tregu. Niveli i stokut pritet të bjerë me 5%, pra në 42.7% të totalit të prodhimit, vlerëson ICCO.
Vendet e zhvilluara do të vazhdojnë të jenë konsumatorët më të mëdhenj të kakaos. Pesha e konsumit të këtyre vendeve ka arritur në 64% të totalit të konsumit.
Sipas të dhënave të ICCO-s, sasia e konsumit në vendet e zhvilluara ka arritur në 2.3 milionë tonë në vit.
Fakti që Europa nuk prodhon kakao, nuk e ka penguar këtë treg të zhvillohet në përpunimin dhe shtimin e vlerës së kokrrave që vijnë në vendet e varfra.
Tregu europian vlerësohet të përpunojë rreth gjysmën e sasisë së kakaos, pra aq sa përpunohet në të gjithë pjesën tjetër të botës. Nga tregjet prodhuese, përpunimi ndalet vetëm në bluarje.
Gati 40% e sasisë së prodhuar tregtohet jashtë kufijve në gjendje pluhuri.
Ndërsa nuk parashikohet të ketë ndonjë ulje të dukshme të konsumit në tregjet e zhvilluara, rënia e prodhimit pritet të faturohet në çmim.
Të dhënat e tregut ndërkombëtar tregojnë se në fillim të vitit, çmimi i lëndës së parë për çokollatat e ëmbëlsirat e tjera me bazë kakao nisi të rritej. Krahasuar me muajin dhjetor, çmimi i kakaos u rrit gati 5%.
Ndryshimi i prodhimit dhe rezervave të kakaos
2010-2011 2011-2012
Prodhimi (mln tonë) 4.3 3.96
Stoku (%) 47.7 42.7
Burimi: ICCO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.