Shumë turistë vizitojnë pyjet e lashta me Sekuoja në Kaliforni për të parë pemët gjigante që krijojnë kurorë mbi ta. Por tani ka një mundësi për të eksploruar pak më nga afër kurorat e tyre nëpërmjet një “shëtitje në qiell”.
“Redwood SkyWalk”, në Sequoia Park Zoom, do të hapet këtë fundjavë dhe do t’u japë mundësi vizitorëve të zbulojnë pyllin nga lartësia.
“Shëtitorja në qiell”, e cila ndodhet në Eureka, Kaliforni, përbëhet nga një seri urash në lartësi, të lidhura me njëra-tjetrën, prej nga ku vizitorët mund ta shohin pyllin me sekuoja nga një këndvështrim i ri. E gjatë rreth 400 metra, kjo do të jetë edhe shëtitja më e gjatë në “qiell” në Amerikën Perëndimore. Duke qenë se nuk ka shkallë, i gjithë vendi është i arritshëm edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.
“Redwood SkyWalk” ndodhet brenda Sequoia Park (Parkut me Sekuoja), një pyll 67 hektarë në qytetin e Eureka-s. Eureka ndodhet në Qarkun Humboldt, pjesë e të cilit është Parku Kombëtar Redwood, ku rritet më shumë se 45 për qind e pyjeve me sekuoja të mbrojtura të Kalifornisë.
Platformat të cilat qëndrojnë pezull mbi pemë nuk sjellin pasoja në tokën e pyllit. Ato janë projektuar për të pasur “ndikim të papërfillshëm” në rritjen e pemëve, duke i lejuar ato që të vazhdojnë të rriten. Ndërkohë që platformat i çojnë vizitorët më pranë pemëve, ata këshillohet të mos i prekin lëvoret e tyre delikate.
Përurimi i parkut do të bëhet nën udhëzimet aktuale të COVID-19, ndërkohë që Kalifornia pritet të heqë shumë nga kufizimet mbi kapacitetin dhe distancimin social më 15 qershor. / Lonely Planet