Numri i kartave të kreditit i është kthyer rritjes këtë vit.
Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të parë numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në rreth 118 mijë.
Që nga fillimi i vitit, numri i tyre është rritur me 8700 njësi ose rreth 8%. Numri i kartave të kreditit ka kaluar edhe nivelin që shënonte në të njëjtën periudhe të një viti më parë, me rreth 2.3% më shumë. Karta e kreditit ishte një nga ato produkte bankare që u prek ndjeshëm nga pandemia.
Në fund të vitit 2020, numri i kartave aktive të kreditit zbriti në më pak se 109 mijë, në rënie me 4.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo është hera e parë në 15 vitet e fundit që numri i kartave të kreditit pëson rënie vjetore. Ato mund ta kenë ndier më shumë efektin e pasojave të pandemisë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet. Rënia drastike në udhëtimet mes shteteve ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar më si të domosdoshme. Por, rënia e përkohshme e numrit të tyre mund të jetë ndikuar edhe nga faktorë të ofertës. Kartat e kreditit vlerësohen nga bankat si produkte kreditore me një rrezik relativisht të lartë. Pandemia solli rritje të papunësisë dhe pasigurisë rreth aftësisë paguese, sidomos për prdouktet e kredisë kufi, si overdraftet apo kartat e kreditit. Në këto kushte, bankat mund të kenë rritur përkohësisht standardet e kujdesit, çka mund të ketë sjellë edhe uljen e kartave të kreditit aktive.
Karta e kreditit është një produkt që nuk ka arritur të zhvillohet shumë në tregun shqiptar. Një studim krahasues i Bankës Botërore vitin e kaluar se rreth 8% e shqiptarëve në moshë madhore zotëronin një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve. Në Eurozonë, kjo shifër është disa here më e lartë dhe pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti. Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sa me prapambetjen në depërtimin e shërbimeve bankare, aq edhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike.
Rënia e vitit të kaluar ishte specifike për kartat e kreditit, ndërsa numri i kartave të pagesave në tërësi ka vazhduar të rritet edhe gjatë pandemisë, i mbështetur nga segmenti më i madh i tregut, ai i kartave të debitit, të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Për vitin 2020, numri i kartave bankare në total u rrit me 4.8% Në tremujorin e parë të këtij viti, rritja ka vijuar më tej dhe sipas Bankës së Shqipërisë në fund e tremujorit i numri i kartave bankare arriti në 3.1 milionë ose 3.2% më shumë krahasuar me fillimin e vitit./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.