Efekti i tërmetit në strukturën e dëmeve të tregut të sigurimeve ka kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për muajin janar, dëmet për sigurimet e detyrueshme motorike janë rikthyer të dominojnë, me rreth 49% të totalit të paguar nga kompanitë e sigurimeve.
Në janarin e vitit të kaluar, dëmet nga sigurimet e detyrueshme motorike përbënin vetëm 20% të totalit, ndërsa ato nga sigurimi i katastrofave zinin pothuajse 58%. Klasat e tjera të sigurimit me peshë domethënëse në strukturën e dëmeve ishin sigurimi Kasko i automjeteve me 12% dhe sigurimi i shëndetit me 8% të totalit.
Tërmeti i nëntorit 2019 ishte një ngjarje e paprecedentë në historinë e shkurtër të tregut shqiptar të sigurimeve dhe për herë të parë, ai bëri që dëmet në sigurimin nga forcat e natyrës të zënë peshën kryesore, duke kaluar ato motorike.
Sipas AMF-së, gjatë vitit 2020, siguruesit paguan rreth 2.9 miliardë lekë dëme në këtë kategori, shumë kjo që përbënte pothuajse 42% të dëmeve totale të paguara gjatë vitit 2020. Dëmet nga sigurimet e detyrueshme motorike në fund të vitit zinin më pak se 40% të totalit.
Por, viti 2021 e ka ndryshuar këtë tablo të përkohshme dhe ka rikthyer sigurimet e detyrueshme motorike si zëri dominues edhe në dëme, përveçse në prime. Shuarja e efektit të tërmetit është ndier edhe në vlerën totale të dëmeve të paguara nga kompanitë shqiptare të sigurimeve. Për janarin, kompanitë e sigurimit paguan 541 milionë lekë dëme, 28% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia ishte më e thellë në segmentin e sigurimeve të jo-jetës, me pothuajse 30% më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Shifrat e janarit tregojnë se tregu i sigurimeve vazhdoi të ruajë ritme të ngjashme me vitin e kaluar. Për janarin, numri total i kontratave të sigurimit ishte pothuajse 30% më i ulët krahasuar me janarin e 2020. Edhe për janarin, rënia erdhi kryesisht nga produktet e sigurimit të lidhur me lëvizjen ndërkufitare, si sigurimi i aksidenteve në udhëtim, kartoni jeshil apo polica kufitare.
Në vlerë, primet e shkruara bruto u rritën me 9%, kryesisht si efekt i disa sigurimeve me vlerë të madhe në klasën e sigurimit të pronës nga katastrofat. Sigurimet e pronës shënuan rritje të primeve me afërsisht 120% dhe me shumë të ngjarë, rritja ka ardhur nga sigurime të pronës në segmentin e biznesit. Por, e matur si numër kontratash, rritja në këto klasa sigurimi ishte modeste, me rreth 2%. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.