Kuvendi i Kosovës më në fund i ka thënë po projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Në tentimin e shtatë, votuan 64 deputetë pro për ta kaluar në parim këtë projektligji.
Kundër projektligjit kishin dalë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovë.
Ndër pikat më të diskutuara në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga fondi pensional.
Votimit i parapriu një debat mes kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, me kryeparlamentaren që u ankua se s’është kontaktuar fare nga Qeveria për projektligjin. Ajo konfirmoi votën pro teksa po ashtu kërkoi nga pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe vërejtjet e opozitës.
Me votimin e këtij Projektligji i hapet rrugë tërheqjes së 10 përqindëshit nga Fondi Pensional i Kosovës.
Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.
Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.
Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.
Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.