Kambana për sigurimin e pronës?

14/12/2019 10:10 PM 0 komente

Dy tërmetet e fundit në vend, ai i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, kanë lënë kompanitë e sigurimit me mijëra dosje në dorë mbi prona që kërkojnë dëmshpërblim. Konstatimet për dëmet nga tërmeti i nëntorit tregojnë se për 1943 prona pretendimi është 12 milionë dollarë, një shifër kjo që pritet të rritet, me rritjen e numrit të kërkesave nga qytetarët. Kompanitë e sigurimit nuk shprehin shqetësim për këtë pjesë, duke nënvizuar se marrëdhënia e risigurimit që ata kanë, i mbulon të gjitha këto shpenzime. Ato nënvizojnë se nëse Shqipëria, një vend me ekspozim të lartë ndaj tërmeteve e fatkeqësive natyrore, do të kishte një skemë sigurimi për pronat, sot nuk do ta kishte të nevojshme të rriste borxhin apo të prekte buxhetin. Kompanitë do të mbanin peshën kryesore.

 

Nga Nertila Maho

Shqipërisë nuk i ishte dashur të përballej me emergjenca civile për tërmetet prej dekadash. Të mësuar me skena përmbytjesh, tradicionalisht në pjesën e Shkodrës, Lezhës e në shumë raste edhe në Tiranë pranë autostradës Tiranë-Durrës ku biznese të tëra zhyteshin në ujë, panorama e emergjencave tona kishte këtë fytyrë. Në qershor të këtij viti ishte rasti i parë i një emergjence të lidhur me tërmetet lokalizuar në Korçë. Banorët e disa fshatrave u detyruan të flenë për javë me radhë jashtë në çadra pas lëkundjeve të vazhdueshme sizmike që kishin një magnitudë 3.5 të shkallës Rihter.

Por situata në atë kohë u kalua pa ndonjë panik të madh në Tiranë apo pjesën tjetër të vendit, pak prej etheve të parazgjedhjeve vendore, pak prej koordinatave të largëta nga selitë e politikës e pak prej faktit që u mendua se e gjitha do të kalonte.

Dhe në të vërtetë kaloi, deri në 21 shtator, kur një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter tronditi qarqet e Durrësit e Tiranës. Vazhdimin e kësaj tashmë e dimë të gjithë. Ende pa u gdhirë mirë në 26 nëntor Shqipëria u lëkund sërish por këtë herë nga një tërmet që sot lakohet se kishte një magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, më i forti në dekada me pasoja të jashtëzakonshme, ku humbën jetën 52 persona dhe me mijëra familje mbetën pa shtëpi apo me banesa të dëmtuara.

Sot jemi në gjendje të jashtëzakonshme që ka përfshirë Tiranën, Durrësin, Laçin dhe Lezhën, më një faturë financiare ende të pa finalizuar, por që shumëkush e di që ajo do të jetë fatura më e kripur që vendi ynë ka paguar në rast emergjence. E ashtu sikurse herëve të tjera edhe këtë radhë në skenë ka dalë i njëjti debat. Kush do paguajë për dëmet, nga do të vijnë financimet?

Në këtë pikë del gjithmonë në horizont sigurimi i detyrueshëm i pronës. Një projekt i nxitur nga Banka Botërore por që del nga sirtarët sa herë ka fatkeqësi natyrore e futet sërish në sirtare sa herë e keqja kalon. Por a duhet të kemi në Shqipëri një skemë detyruese për sigurimin e pronës siç e aplikojnë vende me risqe të ngjashme sizmike si Turqia? Kjo e fundit ngriti një mekanizëm të plotë kur në vitin 1999 u godit nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të jashtëzakonshme. Mekanizmi i njohur si ‘Turkish Catastrophe Insurance Pool’ krijoi në rezervën e tij 200 milionë dollarë dhe siguroi kapacitet ripagese deri në 1 miliardë dollar në tregjet ndërkombëtare. Programi ka ulur ndjeshëm nga ana tjetër ekspozimin e shtetit ndaj fatkeqësive natyrore.

 

Sigurim i detyrueshëm? Qeveria nis diskutimet me kompanitë

Tregu i sigurimeve në vend është një treg i vogël që vlerësohet rreth 100 milionë euro. E pavarësisht kësaj shifre numri i kompanive aktive në të është i lartë. Janë 11 në total ku të paktën tetë prej tyre janë aktive edhe në produktet e jo-jetës ku përfshihet sigurimi i pronës. Banka Botërore në një studim të bërë në Shqipëri pak vite më parë vlerësonte se primi mestar i riskut për sigurimin e një prone ishte rreth 50 euro. Por pavarësisht lobimit që është bërë për sigurimin e pronës ai asnjëherë nuk arriti të kalonte si një ligj detyrues më vete.

Kjo sepse Shqipëria nuk ishte përballur me një ngjarje si ajo e 26 nëntorit ku pasojat janë alarmante ndërkohë nga ana tjetër qeveritë nuk kanë dashur të merrnin përsipër koston politike të etiketimit se po vendosnin edhe një taksë më shumë, kur fatkeqësisht nuk janë kursyer me taksa të reja apo koncesione vit pas viti.

Edhe sot kompanitë e sigurimit po lobojnë sërish por këtë herë duket se edhe qeveria e ka vendosur se sigurimi i pronës të shkojë drejt një plani sigurim me detyrim. Në një tryezë të mbajtur me kompanitë e sigurimit ish-ministri i Financave dhe tashmë kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se do të nisin debatet teknike për të finalizuar një draft mbi këtë aspekt.

Nuk është hera e parë që flitet për një draft mbi sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat. Në vitin 2017 sërish nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të dilte një draft që parashikonte krijimin e një qendre të dedikuar për këtë aspekt me seli në Tiranë dhe që do të financohej nga primet. Por projekti mbeti në harresë.

 

Sigurimi vullnetar i pronës i ulët, e bëjnë vetëm ata që i detyron banka

Sigurimi i pronës është një segment në tregun e përgjithshëm të sigurimeve që kategorizohet tek pjesa vullnetare. Kjo bën që ndërgjegjësimi i qytetarëve të mbetet i ulët dhe drejt kompanive të sigurimit shkojnë me “vullnetin” e tyre vetëm ata që blejnë një banesë me kredi. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 10 mujorin 2019 janë siguruar një numër më i lartë pronash por vlera e tyre është më modeste pasi rritja e volumit të primeve është tkurrur me 28.11 për qind.

Kjo sipas siguruesve vjen pasi në treg janë blerë banesa të reja nxitur disi nga programi i kreditimit i programeve të strehimit, por edhe nga një tendencë e vetë bankave për të dhënë kredi kryesisht në Tiranë. Të dhënat e sektorit bankar tregojnë se deri në fund të shtatorit huaja për blerje banesash nga individët u rrit me 4.5%, me bazë vjetore, e udhëhequr nga Tirana e cila ka një rritje 6.6% të stokut të huasë për këtë qëllim.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar– tetor 2019 siguruan mbi 2,006 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 7.91%, ndjekur nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 17.76% të totalit.

“Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – tetor 2019, vihet re një ulje prej 28.11% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.93% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- tetor 2018” thuhet në publikimin e autoritetit.

Por teksa numri i atyre që shkojnë vullnetarisht për të siguruar një banesë mbetet i ulët, tërmeti i fundit nxori në pah edhe një tendencë tjetër për ata që shkojnë të detyruar nga kredia. Tendenca e kredimarrësve është që të ulin primin vit pas viti duke e lënë atë në minimum vetëm për pjesën e kolateralit duke lënë me vetëdije të pambuluar pjesën tjetër çka në rast fatkeqësish si kjo e fundit primi mbulon vetëm pjesën e bankës kurse individi rrezikon të mbetet i pastrehë.

 

Dy tërmetet lanë kompanitë e sigurimit me mijëra dosje në dorë

Në tërmetin e 21 shtatorit u raportuan me qindra banesa të dëmtuara dhe të paktën 650 raste kanë mbërritur pranë kompanive të sigurimit duke kërkuar dëmshpërblim pasi kanë qenë të siguruara.

Kompanitë e sigurimit raportuan në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare se kishin shlyer deri në fillim të dhjetorit 506 milionë lekë çka përbën 70-80 për qind të shumës totale që detyrohen ndaj këtij rasti ndërkohë që fatura që la pas tërmeti i 26 nëntorit llogaritet më e lartë. Nën zë ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë takimit me kompanitë e sigurimit u shpreh se sipas të dhënave vlera që do të paguhet nga kompanitë është 25 milionë euro. gjithsesi ai nënvizoi që kjo shifër duhet të shihej me rezerva.

“Deri tani nga informacioni që unë kam nga marrë nga AFM duket që dëme në proces trajtimi janë të njoftuara 1943 banesa dhe këto janë dinamike se çdo ditë lista rifreskohet me numra më të mëdhenj se këto. Në bazë të llogaritjes dëmi total shkon gati 12 milionë USD. Pra deri më sot me një vlerësim që është ende larg dëmit final që do të thotë që qytetarët do të paguhen nga kompanitë e sigurimit me këtë dëm dinamik 12 milionë USD. Këtu do dua të bëjmë kujdes së bashku që të ndajmë që listat e qytetarëve që do përfitojnë nga dëmshpërblimi të dorëzohen në komitetin e emergjencës në mënyrë që mos bëhet dëmshpërblim i dyfishtë” tha Ahmetaj.

 

“Sigurimi i pronës ende nuk shihet si  nevojë, çfarë duhet të garantojë skema”

Edlir Ruka Drejtori i Përgjithshëm i ANSIG

 

Sigurimi i pronës ende nuk shihet si një nevojë duke reflektuar kështu kulturën e ulët të sigurimit të saj në vend. Por ngjarje si kjo e fundit me tërmetin e 26 nëntorit sjellin në vëmendje përherë mundësinë për të ngritur një skemë të detyrueshme sigurimi.

Edlir Ruka, Drejtor i Përgjithshëm i ANSIG shprehet se pavarësisht se sa herë ka raste fatkeqësish projekti vjen në vëmendje diskutimi real në nivel teknik ka munguar.

Ai thekson se në projekte të tilla, është e rëndësishme që të ketë një platformë të mirë përcaktuar të pagesave të dëmeve, transferimit të rrezikut proporcionalisht me kapacitetet e operatorëve individualë, si dhe përcaktimi i qartë i tarifave, të cilat duhet të jenë teknikisht të mjaftueshme. Të gjitha këto mund të garantojnë një skemë funksionale.

Shqipëria zvarritet prej vitesh në një projekt për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës ndaj fatkeqësive natyrore por ky ka mbetur vetëm në letër. Cila do të ishte situata sot në terren nëse sigurimi do të ishte i detyrueshëm (barra që do mbanin kompanitë dhe qeveria)?

Është e vërtetë, që ka vite që diskutohet një projektligj për sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore dhe sa herë që ndodh një ngjarje, rifillon diskutimi i këtij projekti, gjë që krijon perceptimin e gabuar sikur kërkohet të përfitohet nga fatkeqësia, kur synimi dhe rezultatet e skemës së sigurimit janë krejt tjetër.

Arsyeja përse ende nuk është zhvilluar kjo skemë sigurimi është për shkak të paqartësisë që ekziston se si do funksionojë ky model dhe ka një mungesë diskutimi në nivele teknike. Ne jemi njohur me një projekt fillestar, të propozuar nga BB dhe më tej ka pasur dhe propozime nga industria.

Ajo, që është e rëndësishme në projekte të tilla, është që të ketë një platformë të mirëpërcaktuar të pagesave të dëmeve, transferimit të rrezikut proporcionalisht me kapacitetet e operatorëve individualë, si dhe përcaktimi i qartë i tarifave, të cilat duhet të jenë teknikisht të mjaftueshme. Nëse këto elementë adresohen saktë dhe nëse do të gjykonim për situatën aktuale, patjetër që mekanizmi i sigurimeve do të absorbonte lehtësisht faturën financiare të trashëguar nga fatkeqësia e fundit.

Një pjesë e banesave të dëmtuara nga tërmetet e fundit janë të siguruara për efekt kredie por në shumë raste ka një sigurim me prim minimal aq sa i takon pjesës së kolateralit ndërsa pjesa tjetër është lënë me vetëdije e pambuluar. Çfarë mekanizimi nuk ka funksionuar që kemi këtë panoramë?

Sigurimi i pronës ende nuk shihet si një nevojë. Edhe ato prona që sigurohen, më tepër paraqiten si një detyrim, që i bashkëlidhet një kredie për banim apo me kolateral pronën. Shoqëria Ansig me vetëdije ka qenë jo shumë aktive në këtë portofol, pikërisht për faktin se primet e ulëta dhe komisionet e larta për të marrë sa më shumë treg nga operatorë të ndryshëm, nuk përputhen me rrezikun e akumuluar.

Përsa i takon elementit të mbulimit të pamjaftueshëm, këtu gjykoj që nuk është zhvilluar si duhet komunikimi transparent dhe i shprehur në mënyrë të qartë apo të kuptueshme për kredi marrësin që të dijë se çfarë dhe sa po siguron. Si rregull, shoqëria e sigurimit duhet t’ia shpjegojë qartë klientit kontratën e sigurimit dhe këtë duhet ta bëjë që në fazën e negocimit, me informimin parakontraktor.

Por duhet të jemi të sinqertë që ky proces i ofrimit të sigurimit të pronës ka disa të meta: (i) ai shitet në sportele agjentësh të ndryshëm nga ato të shoqërive të sigurimit dhe (ii) shitet nga vetë përfituesi i sigurimit. Kjo bën që të ketë pak informacion ose informacion të paqartë për klientin kredi marrës, i cili pronën që e blen me kredi e ka në fakt investimin e jetës.

Kjo po vihet re dhe me raportimet e fundit nga praktikat e dëmeve që po hapen pas tërmetit. Ka mungesë informacioni dhe klientët që kanë paguar një pjesë kredie tani po përballen me një situatë të pakëndshme, ku sigurimi shkon për të shlyer pjesën e mbetur të kredisë, ndërkohë që klienti praktikisht mbetet i pastrehë apo pa pronën e siguruar.

Kjo situatë duhet të ndryshojë dhe tregu duhet lejuar të veprojë brenda kuadrit të konkurrencës së lirë. Kosto e kësaj praktike është tepër e lartë. Nëse institucionet përgjegjëse do të kishin lejuar një konkurrencë të lirë, në rastin konkret sigurimet do kishin absorbuar një pjesë të konsiderueshme të dëmeve, që tashmë do i duhet të përballohen nga buxheti i shtetit, si dhe klientët nuk do të ishin zhveshur nga pronat.

Mekanizmi që ka munguar është konkurrenca e lirë dhe komunikimi direkt me shoqëritë e sigurimit, të cilat kanë më tepër njohuri për t’u shpjeguar klientëve si funksionon nën sigurimi (sigurimi me prime nën nivelin e arsyeshëm të përcaktuar në bazë të rrezikut dhe elementëve të tjerë teknik) dhe cilat janë rreziqet me të cilat klientët do përballen nëse zgjedhin këtë praktikë.

Sa e llogarisni ju primin mesatar të tregut në rast se të gjithë ndërtesat do të sigurohen dhe a mendoni se ka vend për të rishikuar primin e riskut pas tërmeteve të fundit?

Siç e theksova dhe më sipër, primet për sigurimin e pronës nuk reflektojnë rrezikun real, që paraqet ky produkt. Kjo për arsye se kemi të bëjmë me një konkurrencë të ashpër për marrje tregu dhe fatkeqësisht dhe nga operatorë të tregut të sigurimeve ky produkt është konsideruar si rrezik i ulët. Po të shtojmë këtu dhe faktin, që ky produkt është tërësisht i kontrolluar nga bankat, primet kanë qenë të pamjaftueshme.

Të gjitha këto në fund shkojnë si kosto tek konsumatorët, të cilët nuk përfitojnë masën e duhur të dëmshpërblimit apo indirekt si kosto në ekonomi, pasi mekanizmi i sigurimeve ka vepruar nën potencial, ndërkohë që nëse do të ishin siguruar pronat me vlerë të plotë, e gjithë kjo faturë do të ishte përballuar nga tregu, i mbështetur dhe nga risiguruesit e huaj.

Gjykoj që patjetër, që duhet të ketë një reflektim dhe kjo do ndihet fillimisht në marrëveshjet e risigurimit, të cilat do ndikojnë dhe në çmimet e ofruara në tregun vendas. Ndërkohë, që përqendrimi i lartë i këtij portofoli në zonën Tiranë dhe Durrës, praktikisht e kthen situatën në një rrezik sistemi, ku akumulimet e rrezikut normalisht do përkthehen në prime më të larta.

Cili është modeli më i përshtatshëm për një skemë sigurimi për pronën e paluajtshme. Turqia pas tërmetit të vitit 1999 vendosi një mekanizëm që njihet si “Turkish Catastrophic Insurance Pool” dhe që sot menaxhon 30 milionë pasuri të siguruara. Për Shqipërinë çfarë modeli mendoni se përshtatshëm: një mekanizëm i përbashkët ku janë pjesëmarrëse të gjithë kompanitë me ndarje sipas pjesës tregut që ka secila apo menaxhim i lirë?

Gjykoj që nuk ka një model universal, që mund të zbatohet ose të eksportohet, pasi çdo vend ka specifikat e tij. Aspekti më i rëndësishëm në këto skema është ndërtimi i një mekanizmi efikas për pagesat e shpejta të dëmeve. Mund të jetë një skemë e përbashkët, kjo më tepër për arsye kapaciteti dhe negocimi të marrëveshjeve të risigurimit të përshtatshme dhe efikase, por në çdo kohë duke respektuar konkurrencën e lirë.

Përpos faktit që shqiptarët janë ende të pandërgjegjësuar për të siguruar pronën por që situata me tërmetin mund të ndikojë disi në ndërgjegjësim, nëse sigurimi bëhet i detyrueshëm duket se shtrohet para një sfidë për kompanitë. A do sigurohet çdo pronë sepse jemi përpara faktit kur është ndërtuar pa kriter, pa standarde pa leje? Si do filtrohet ky aspekt?

Ky është një aspekt tepër i rëndësishëm. Pavarësisht faktit, nëse do kemi sigurim të detyrueshëm të pronës, jo çdo pronë do jetë e sigurueshme. Patjetër, që duhet të jetë brenda kritereve normale të ndërtimit dhe standardeve, në të kundërt kemi të bëjmë me rreziqe të cilat do të rrisin kostot e skemës dhe mund ta bëjnë atë të paqëndrueshme ekonomikisht.

Pak javë më parë qeveria prezantoi një nismë për sigurimin 10 vjeçar të ndërtesave të reja nga ndërtuesit me 0.1 për qind të vlerës së ndërtesës por që garanton rastet e defekteve të ndërtimit ose të tokës dhe jo fatkeqësitë. Si e vlerësoni këtë hap dhe çfarë zgjidh kjo nismë në këndvështrimin tuaj?

Ky është një hap pozitiv pasi kemi një mungesë të theksuar të kulturës së përgjegjësisë. Kemi parë jo pak herë, që në rastet e ndërtesave me probleme, konsumatorët kanë pasur pak ose aspak mbrojtje, ndërkohë që nëpërmjet këtij mekanizmi, investimi i tyre do jetë i mbrojtur dhe fatura financiare do të përballohet nga tregu i sigurimeve, sigurisht nëse mekanizmat për zbatimin praktik ndërtohen korrekt dhe veçanërisht nëse ky lloj sigurimi nuk ndjek të njëjtën rrugë si sigurimi i detyrueshëm motorik. Përndryshe do të kthehet në një mekanizëm që do të cenojë edhe më tej reputacionin e tregut të sigurimeve dhe do të ashpërsojë konkurrencën jashtë logjikës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of